Zëri i Amerikës: Zoti Balla çfarë të reje solli Forumi Parlamentar mbi Zbulimin dhe Sigurinë?
Taulant Balla: Forumi i Uashingtonit është në takimin e tij të njëzetë dhe gjithmonë ka ardhur duke u pasuruar prezenca në të, jo vetëm me ligjvënës amerikanë, por edhe me përfaqësues të parlamenteve të shumë vendeve. Çështjet në këtë forum ishin të përqendruara tek zbulimi dhe siguria, ku çdo minutë ndodh një sulm kibernetik. Ne si parlamentarë duhet të përmirësojmë legjislacionin për këto çështje, ndërkohë që qeveritë duhet të rrisin efektivitetin në mbrojtje të sistemeve dhe gjithçkaje që mund të bëhet objektiv i sulmeve kibernetike. Gjithashtu kemi folur për çështje të trafikimit dhe problematikat që ato sjellin. Kemi folur për asetet dixhitale, për kriptomonedhat, për të përafruar secili prej nesh, legjislacionin në kuadër të nevojës që ka çdo vend, duke mësuar nga eksperiencat më të mira. Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha disa ditë më parë se edhe demokracia amerikane është gjithnjë e rrezikuar nga sulmet kibernetike apo përdorimi i lajmeve të rreme. Dezinformi është një betejë të cilën duhet ta përballojmë të gjithë së bashku.
Zëri i Amerikës: Këtë javë pritet opinioni përfundimtar i Komisionit të Venecias lidhur me zgjatjen e mandatit të institucioneve të vetingut deri në fund të vitit 2024. Megjithatë, ka një projekt-opinion i cili është publikuar në media dhe vlerëson se kjo zgjatje mund të konsiderohet e pajtueshme me standardet evropiane. Si prisni të votojë opozita, duke patur parasysh qëndrimin skeptik të saj në raport me këtë çështje, në një kohë kur juve u nevojiten votat e saj.
Taulant Balla: Natyrshëm që pa mbështetjen e Partisë Demokratike është e pamundur qe të kemi në Kuvendin e Shqipërisë votat e mjaftueshme. Unë nuk dua ta përdor draft-opinionin e Komisionit të Venecias si një instrument presioni ndaj opozitës për të thënë që, ky është drafti, dhe ju duhet të vini ta votoni. E kam patur për praktikë dhe nuk dua asnjëherë të komentoj draftet e Komisionit të Venecias sepse data 10 është brenda kësaj jave dhe të gjithë do të njihemi me opinionin përfundimtar. Por si propozues ose si mbështetës i propozimit sepse, dua të jem shumë i qartë, nuk është një propozim i grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Natyrshëm që grupi parlamentar i PS-së e mbështeti instrumentin e domosdoshëm kushtetues me firmat e nevojshme për ta futur këtë nismë në procedurë. Por ky ka qenë një sugjerim teknik i operacionit ndërkombëtar të monitorimit, i atyre që kanë mbështetur që prej fillimit, Shtetet e Bashkuara dhe delegacionit të Bashkimit Evropian…
Zëri i Amerikës: Nëse nuk do të donit ta përdornit si mjet presioni, a mund të ishte ky rasti, që të përdorej si mjet kompromisi me opozitën, duke patur parasysh edhe shqetësimet që ajo ka ngritur për çështjen e reformës territoriale, apo atë të reformës zgjedhore?
Taulant Balla: Në përgjithësi në Shqipëri, të paktën në komunikimet me Partinë Demokratike, kur opinionet e Komisionit të Venecias kanë qenë të qarta, pa asnjë ekuivok, unë besoj se është gjithë terreni i nevojshëm për ta kaluar këtë çështje, të cilën dua ta nënvizoj, është një çështje shumë teknike.
Çështjet për të cilat ju flisni nuk mund të jenë kontrabalanca e tyre. Nuk bëhet fjalë këtu, që na votuat këtë dhe ne të votojmë diçka që ata duan. Për çështje të tjera ne kemi thënë se jemi të gatshëm dhe vazhdojmë të jemi në proces diskutimi. Pra të treja propozimet, por që janë në një dokument, që kanë ardhur nga Partia Demokratike dhe deputetët e saj që lidhen me çështje zgjedhore, që lidhen me çështje të reformës territoriale, propozimi i vetingut politik, ato janë duke u diskutuar. Natyrshëm sugjerimi im publik ka qenë, çështjet e reformës territoriale patjetër hajde të ulemi dhe t’i diskutojmë, çështje të reformës zgjedhore, ne do të ngremë në ditët në vijim komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore dhe natyrshëm që çdo çështje mund të diskutohet atje.
Zëri i Amerikës: Zoti Balla, Partia Socialiste është në mandatin e saj të tretë dhe kontrollon qeverisjes qendrore dhe pushtetin lokal. Cila do të jetë qasja juaj ndaj institucioneve të pavarura? A nuk mendoni se duhet që të paktën të emërohen profesionistë dhe jo njerëz që kanë lidhje me politikën në to.
Taulant Balla: Cilit i referoheni ju?
Zëri i Amerikës: Ja për shembull pikërisht sot komisioni parlamentar i Financave miratoi propozimin për të vënë në krye të Autoritetit të Konkurrencës zotin Denar Biba, i cili ka qenë i propozuar nga ju në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Taulant Balla: Zoti Biba është anëtar i Autoritetit të Konkurrencës. Dhe ligji në fjalë thotë se prej anëtarëve duhet të jetë dhe kryetari. Kështu që unë nuk shoh ndonjë problematikë. Megjithatë ju e dini që ky është një organ tek i cili edhe Partia Demokratike ka pasur dhe do të ketë përfaqësuesit e vet. Duhet të kuptoni që ligji përcakton që për të qenë kandidat në një nga këto institucione duhet të gëzosh mbështetjen e të paktën 28 firmëtarëve deputetë. Dhe si i tillë merr një lloj ngarkese, propozimi politik. Por kandidatura në fjalë është një kandidaturë tepër e mirë që i bën mirë atij institucioni.
Zëri i Amerikës: Duke mbetur tek i njëjti argument, si do të përzgjidhen dy anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë?
Taulant Balla: Procesi është i hapur. Me sa di unë, është mbyllur shprehja e interesit. Ne do të përzgjedhim nga ata që kanë shprehur interesin për ta mbështetur me firmat e nevojshme, sepse edhe këtu bëhet fjalë për 28 firma deputetësh për të çuar përpara procedurën parlamentare. Ajo që dua të them, sepse është shumë e rëndësishme, Partia Socialiste e Shqipërisë është gjithmonë dhe do të vazhdojë të mbështesë në këto pozicione të institucioneve të pavarura ata që gëzojnë profesionalizëm të lartë. Kjo është një garanci që e jap edhe këtu në studion tuaj.