Të paktën 38 vende kanë raportuar raste të variantit të ri Omicron të koronavirusit. Presidenti amerikan Joe Biden e quan variantin një shkak për shqetësim - por "jo panik" - ndërsa shkencëtarët punojnë për të përcaktuar nëse ai është më i rrezikshëm se llojet e tjera. Masat paraprake kërcënojnë rimëkëmbjen globale nga pandemia ndërkohë që Afrika e Jugut kritikoi kufizimet e udhëtimit të vendosura ndaj saj nga disa vende.
Krishtlindje në karantinë. Kështu mund të jetë sezoni i festave për ata që vijnë nga vendet e Afrikës Jugore në Aeroportin Heathrow të Londrës. Kjo pas raportimeve për mungesë dhomash në të ashtuquajturat hotele karantine pasi Mbretëria e Bashkuar tani kërkon izolim të detyrueshëm pas mbërritjes nga Afrika Jugore.
“Kjo ngarkesë për rezervime, ndryshimet e udhëtimit dhe më pas të gjesh se ku mund të bësh testin për COVID-in është stresuese. I detyron njerëzit të bëjnë diçka, duke i lejuar të udhëtojnë”, thotë Teresa Martin që po udhëton nga Afrika e Jugut.
Mbretëria e Bashkuar kohët e fundit vendosi një karantinë 14-ditore për udhëtarët që vijnë nga ato që ajo i konsideron "lista e kuqe", ose vendet me rrezik të lartë, si disa në Afrikën Jugore.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë vendosur kufizime udhëtimi për disa vende të Afrikës Jugore.
“Kur u vendosën kufizimet, të vetmet raste që ne dinim ishin në Afrikën Jugore. Kufizime u vendosën për të parandaluar ardhjen e varianteve të reja në Shtetet e Bashkuara dhe për të mbrojtur popullin amerikan nga variantet e reja”, tha drejtoresha e CDC-së Rochelle Wallensky.
Në një konferencë të fundit për shtyp në Bregun e Fildishtë, Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa i quajti ndalimet e udhëtimit "të pabazuara në shkencë" dhe tha se ato ishin një "shuplakë në fytyrë" për shkencëtarët afrikanë që zbuluan për herë të parë variantin Omicron.
“Ndërsa ne respektojmë të drejtën e çdo vendi për të marrë masa për të mbrojtur popullatën e tyre, bashkëpunimi i qëndrueshëm global që na nevojitet për të kapërcyer pandeminë kërkon që ne të udhëhiqemi nga shkenca dhe jo nga emocionet dhe konsideratat politike”.
Ndërsa Afrika e Jugut lufton valën e saj të katërt të COVID-19, e mbizotëruar kryesisht nga varianti Omicron, drejtoresha e CDC-së Rochelle Walensky justifikoi qasjen e kujdesshme të agjencisë.
“Ne dimë se ai ka shumë mutacione, më shumë se variantet e mëparshme. Shumë prej këtyre mutacioneve janë shoqëruar me variante më të transmetueshme, që depërtojnë tek disa prej terapive tona, dhe potencialisht tek një pjesë e imunitetit tonë, dhe kjo është ajo që ne po e vëzhgojmë me shumë kujdes“.
Deri të shtunën, të paktën 16 shtete amerikane raportuan raste të variantit Omicron. Ndërsa shkencëtarët vazhdojnë kërkimet, zyrtarët shëndetësorë përgatiten për përhapjen e asaj që ata e kanë quajtur një variant shqetësues.
Facebook Forum