Lidhje

Britania e Madhe emëron të dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor


Qeveria britanike tha të enjten se kryeministri, Boris Johnson, emëroi një të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim thuhet se i dërguar do të jetë Sir Stuart Pech dhe emërimi është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Britanisë së Madhe për zhvillimin dhe përparimin e rajonit.

“Sir Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, një post të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Britanisë së Madhe”, thuhet në njoftim.

Qeveria tha se ai do të punojë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon dhe aleatët amerikanë dhe evropianë, për të mbështetur dhe përforcuar qëndrueshmërinë rajonale. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe çështjen e personave të zhdukur.

Britania e Madhe, thuhet më tej, do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Nismës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në konflikte. Në Bosnje dhe Hercegovinë, zoti Peach do të mbështesë punën e Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë.

“Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian”, thuhet në njoftim.

Komunikata e qeverisë citon kryeministrin britanik, Boris Johnson të ketë thënë me këtë rast se vendi i tij është thellësisht i përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë.

“Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut. Nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e zotit Peach, do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të nxitur integrimin euroatlantik në këtë rajon”, citohet të ketë thënë kryeministri Johnson.

Ndërsa ministrja e Jashtme britanike, Lizz Truss, citohet të ketë thënë se emërimi i i të dërguarit të posaçëm, “është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon. Mirëpres thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Ballkanin Perëndimor si dhe punën së bashku për të penguar aktorët keqdashës. Sir Stuart Peach do të luajë një rol thelbësor në këtë drejtim”, ka thënë ministrja Truss.

Të mërkurën situata politike në Ballkanin Perëndimor është diskutuar edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s që u mbajt ne Riga të Letonisë, me ç’rast sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “Aktorë të huaj po punojnë për të dëmtuar përparimin në Ballkanin Perëndimor”.

Sir Stuart Peach do të jetë i dërguari i tretë perëndimor për rajonin. Aktualisht zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar është në postin e të dërguarit të posaçëm amerikan, ndërsa Miroslav Lajçak, në detyrën e të dërguarit të posaçëm të BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor.

XS
SM
MD
LG