Gjatë vitit 2021 në Kosovë janë regjistruar tetë raste të reja të personave të prekur me SIDA, ndryshe nga viti paraprak kur u regjistruan dy raste.
Shefi i repartit për trajtimin e rasteve me HIV/AIDS në Klinikën Infektive të Kosovës, Murat Mehmeti, thotë për Zërin e Amerikës se ky numër nuk është shqetësues.
“Zakonisht numri i të infektuarve brenda vitit gjithmonë është sjellë 4 deri 5, kemi pasur raste me 8 të infektuar pastaj me 2 deri 3, kështu që prapë mund të them se nuk mund të flitet për një numër shqetësues apo të madh të rasteve të reja dhe sigurisht Kosova edhe më tutje mbetët vendi me prevalencë të ulët të HIV infeksionit edhe pse asnjëherë nuk mund të themi me siguri që nuk ka numër më të madh të të infektuarve duke pasur parasysh faktin se një person i infektuar nuk manifeston simptoma dhe duhet të kalohet një periudhë goxha e gjatë kohore për të ardhur deri te paraqitja e simptomave”, tha ai.
Zoti Mehmeti thotë se aktualisht në Kosovë janë 41 persona të infektuar me HIV që marrin trajtime në Klinikën Infektime por asnjëri prej tyre nuk është i shtrirë në spital dhe janë në gjendje të qëndrueshme. Ai numëron kategoritë më të rrezikuara nga infektimi me HIV.
“Personat më të rrezikuar apo mund të jenë më të rrezikuar janë mosha seksualisht aktive dhe në të njëjtën kohë më të rrezikuar janë personat që janë homoseksual duke pasur parasysh që mundësia e përhapjes së virusit është realisht pak më e madhe te personat homoseksual se sa ata heteroseksual”, tha ai.
Safet Blakaj që drejton qendrën për këshillim dhe trajtim të varësisë “Labyrinth” thotë se qëllimi i kësaj qendre është parandalimi i infektimeve te përdoruesit intravenozë të drogave.
“Brenda këtij viti ka kalur numrin e 500 testimeve dhe presim që edhe gjatë këtij muaji dhe të rritet ky numër. Sidoqoftë asnjë përdorues intravenozë i drogave nuk është i infektuar me HIV, pra është numri i lartë i të infektuarëve me Hepatitin C mirëpo me HIV nuk është asnjë, as në të kaluarën as këtë vit”, tha ai.
Ai thotë gjatë viteve në vazhdim duhet të punohet më shumë në parandalimin e infektimeve.
“Mënyra më e mirë këtu është që sa më shpejt të identifikohen personat që infektohen me këto sëmundje, pra identifikimi i hershëm i ndihmon atij dhe neve. Atij i ndihmon pasi që tretmani dhe terapia është shumë më e suksesshme dhe më e lehtë, neve na ndihmon që të parandalojmë që edhe më tutje të shpërndahet infeksioni i HIV-it tek popullata në përgjithësi posaçërisht tek përdoruesit e drogave”, tha ai.
Doktoresha Edona Dobroshi Deva, që është menaxhere e programit të Fondit Global për HIV në CDF (Fondin e Zhvillimit të Komunitetit), thotë se sfida më e madhe në trajtimin e personave të prekur me HIV mbetet stigma dhe diskriminimi. Ajo thotë se një hulumtim i bërë në vitin 2019 ka nxjerrë në pah se të prekurit janë trajtuar me paragjykim edhe nga ata që do të duhej të kujdeseshin për të sëmurët.
“Dhe është vërtetuar që nga shkalla një deri në katër, 1 është stigma më e lartë ndërsa katër është stigma më e ulët, për shembull te punonjësit shëndetësorë ky indeks është 2.89 përderisa tek punëtorët që punojnë në sundimin e ligjit ky indeks është 2.98, kjo tregon se niveli i stigmës dhe diskriminimit është i lartë edhe në vendet ku ata duhet të marrin shërbimet qofshin shëndetësore apo qofshin ato që kanë të bëjnë me aspektin social apo ligjor’, tha ajo.
Zonja Dobroshi Deva thotë se studimet flasin për paragjykime të thella ndaj të prekurve.
“90 për qind e popullatës duke përfshirë edhe moshat e reja kanë percepcione negative për personat që jetojnë me HIV. Për të destigmatizuar popullatën e cila është rrezik për HIV-in dhe vet personat që jetojnë me HIV është e nevojshme që të ndërmerren intervenime dhe aktivitete të shumta, të punohet në trajnimin dhe informimin e të gjithëve të cilët e prekin sistemin por edhe në përgjithësi me popullatën për t’i njohur mënyrat e transmetimit të HIV-it dhe për të ditur që këta persona kanë nevojë të marrin trajtimin dhe të vazhdojnë të jetojnë jetën normalisht sikur të gjithë”, tha ajo.
Zonja Dobroshi Deva thotë se popullata duhet të ndërgjegjësohet më shumë rreth rrugëve të infektimit dhe kjo do të luante edhe një rol të rëndësishëm në shmangien e stigmatizimit.
Në Kosovë rasti i parë me Hiv/Aids është paraqitur në vitin 1986 dhe që nga atëherë e deri tash janë gjithsej 139 raste me HIV, prej të cilëve 50 kanë humbur jetën. Me këtë numër rastesh në 35 vjet, Kosova radhitet në mesin e vendeve me shkallën më të ultë të SIDA-s, por zhvillimet socio ekonomike e vënë atë në grupin e vendeve me faktorë të lartë të rrezikut.
Facebook Forum