SHBA iu bashkua listës së vendeve që po ndalojnë fluturimet nga Afrika e Jugut dhe disa vende të tjera fqinjë të saj për shkak të variantit të ri të koronavirusit që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti Omicron.
“Si masë paraprake derisa të kemi më shumë informacion, po urdhëroj kufizime shtesë për udhëtimin ajror nga Afrika e Jugut dhe shtatë vende të tjera. Këto kufizime të reja do të hyjnë në fuqi më 29 nëntor. Ne do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga ajo që këshillon shkenca dhe ekipi im mjekësor”, tha Presidenti Joe Biden përmes një deklarate.
Kufizimet përfshijnë përveç Afrikës së Jugut, edhe Botsvanën, Zimbabven, Namibinë, Lesoton, Eswatinin, Mozambikun dhe Malavin, sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë tha se shkencëtarët dhe zyrtarët e shëndetit publik po punojnë me shpejtësi për të mësuar më shumë rreth variantit të ri.
Në deklaratën e tij, Presidenti Biden nxiti amerikanët të vaksinohen dhe ata që janë vaksinuar të bëjnë edhe dozën përforcuese. Ai iu drejtua gjithashtu komunitetit ndërkombëtar.
Ai i dërgoi një mesazh edhe komunitetit ndërkombëtar.
“Lajmet për këtë variant të ri duhet ta bëjnë më të qartë se kurrë pse kjo pandemi nuk do të marrë fund derisa të kemi vaksinime globale”, tha ai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) klasifikoi të premten variantin B.1.1.529 të zbuluar në Afrikën e Jugut si një "variant shqetësues" duke thënë se mund të përhapet më shpejt se format e tjera.
Të dhënat paraprake sugjerojnë se rreziku për riinfeksion është më i madh dhe se ka një "ndryshim negativ në epidemiologjinë e COVID-19-ës", tha OBSH-ja në një deklaratë pas një takimi të mbyllur të ekspertëve të pavarur që shqyrtuan këto të dhëna.
Infeksionet në Afrikën e Jugut ishin rritur ndjeshëm javët e fundit, duke përkuar me zbulimin e variantit të ri, tha OBSH-ja.
Omicron është varianti i pestë që mban një emërtim të tillë.
"Ky variant ka pasur ritme më të shpejta se infeksionet e mëparshme, duke sugjeruar se ky variant mund të ketë një avantazh në rritje," tha OBSH-ja.
Testet aktuale PCR vazhdojnë të jenë të sukseshme për të diktuar me sukses këtë variant, sipas OBSH-së.
Më herët OBSH-ja paralajmëroi kundër kufizimeve të udhëtimit për momentin.
"Ne këshillojmë kundër zbatimit të masave frenuese të udhëtimit për momentin. OBSH-ja rekomandon që vendet të vazhdojnë të aplikojnë një qasje të bazuar tek të dhënat shkencore kur zbatojnë masa frenuese”, tha zëdhënësi i OBSH-së Christian Lindmeier.
Por nervozizmi për përhapjen e variantit të ri, ka bërë që numri i vendeve që po vendosin masa kufizuese të rritet.
Vendet e Bashkimit Evropian ranë dakord të pezullojnë përkohësisht udhëtimin në vendet e Afrikës jugore pas zbulimit të variantit të ri të COVID-19, tha të premten presidenca e BE-së.
Një komision ekspertësh të shëndetësisë nga 27 vendet e BE-së "ranë dakord mbi nevojën për të vendosur kufizime të përkohshme për të gjitha udhëtimet në BE nga Afrika jugore", tha presidenca sllovene e BE-së në Twitter.
Më herët Komisioni evropian u kishte sugjeruar të gjitha vendeve të bllokut të ndalonin fluturimet nga vendet ku është identifikuar një variant i ri i koronavirusit. Autoritetet në gjithë botën po reagojnë me alarm pas lajmeve për variantin e zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut, që mund t'i shmanget efektivitetit të vaskinave ekzistuese. Vlera e aksioneve ra ndjeshëm në bursat e Azisë dhe Evropës.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen foli të premten ndërsa një numër vendesh në gjithë botën po fusin në fuqi ndalime udhëtimesh për shkak të variantit të ri.
"Tani është e rëndësishme që të gjithë ne në Evropë të veprojmë me shpejtësi, me vendosmëri dhe të bashkuar”, tha ajo.
Zonja von der Leyen tha gjithashtu se prodhuesit e vaksinave janë të detyruar t'i përshtasin ato që të funksionojnë për variantet e reja.
Ajo foli ndërsa Belgjika konfirmoi një rast të parë të variantit të ri në territorin e saj.
Autoritetet britanike nxituan të premten të vendosin kufizime udhëtimi ndaj Afrikës së Jugut, ashtu si edhe Japonia, Republika Çeke dhe Italia.
Më pas Sekretari britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid tha se po shtoheshin edhe pesë vende të tjera afrikane në listën për ndalimin e udhëtimit.
"Shkencëtarët tanë janë thellësisht të shqetësuar për këtë variant. Unë jam i shqetësuar, sigurisht, dhe kjo është një nga arsyet që kemi ndërmarrë këtë veprim sot. Nuk kemi imformacion të mjaftueshëm për këtë variant”, tha ai.
Zyrtarja kryesore Mjekësore për Agjencinë britanike të Shëndetësisë, dr. Susan Hopkins paralajmëroi se varianti i ri është transmetuar në mes të një popullate me imunitet të lartë dhe jep shenja të një transmetimi të lartë.
“Varianti i ri ka numrin më të madh të mutacioneve që kemi parë ndonjëherë tek koronavirusi, pra 30 më shumë në krahasim me variantin origjinal dhe rreth dy herë më shumë se Delta. Dhe mutacionet tregojnë prova të rritjes të aftësisë transmetuese dhe infektuese, si edhe shenja se mund të shmangë imunitetin dhe trajtimin me antitrupa, kështu që të gjitha këto janë shumë shqetësues.", tha ajo.
Pas një periudhe transmetimi relativisht të ulët kur Afrika e Jugut po regjistronte pak më shumë se 200 raste të reja të konfirmuara në ditë, javën e kaluar rastet e reja ditore u rritën me shpejtësi në më shumë se 1200 të mërkurën.
Facebook Forum