Lidhje

Rregullatori i BE-së autorizon vaksinën Pfizer për fëmijët 5-11 vjeç


Rregullatori Evropian i Barnave autorizoi të enjten vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë Pfizer për përdorim tek fëmijët nga 5 deri në 11 vjeç. Vendimi i hap rrugën vaksinimit të milionave nxënësve të shkollave fillore në mesin e një vale të re infeksionesh që ka përfshirë gjithë kontinentin.

Kjo është hera e parë që Agjencia Evropiane e Barnave miraton vaksinën për përdorim tek fëmijët e vegjël.

Pas shqyrtimit të një studimi të kryer me vaksinën tek më shumë se 2,000 fëmijë, EMA vlerësoi se vaksina ishte rreth 90% efektive në parandalimin e COVID-19 simptomatik tek fëmijët e vegjël. Zyrtarët thanë se efektet anësore më të zakonshme ishin dhimbje në vendin e injektimit të vaksinës, dhimbje koke e muskujsh, si dhe të dridhura. Agjencia tha se doza e dytë e vaksinës duhet t'u jepet fëmijëve tre javë pas dozës së parë.

Ndërkohë Austria, një vend që po përballet me një numër të lartë infeksionesh ka nisur tashmë vaksinimin e fëmijëve të kësaj grupmoshe pa pritur miratimin nga autoritetet evropiane.

Evropa është aktualisht epiqendra e pandemisë. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se kontinenti mund të shënojë 2 milionë vdekje deri në pranverë, nëse nuk merren masa urgjente.

Drita jeshile e dhënë nga EMA për vaksinën e Pfizer-it dhe kompanisë partnere të saj BioNTech duhet të marrë vulën përfundimtare nga dega ekzekutive e BE-së, Komisioni Evropian, përpara se autoritetet shëndetësore në shtetet anëtare të nisin fushatën e imunizimit të fëmijëve.

Në fillim të kësaj jave, ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn tha se vaksimini i fëmijëve të grupmoshës 5-11 vjeç është parashikuar të nisë më 20 dhjetor.

XS
SM
MD
LG