Lidhje

Sudan: Marrëveshje për rikthimin e kryeministrit Hamdok në detyrë


Udhëheqësit ushtarakë dhe civilë të Sudanit arritën një marrëveshje për të rikthyer në detyrë kryeministrin Abdalla Hamdok, i cili u shkarkua me një grusht shteti muajin e kaluar, thanë të dielën zyrtarë ushtarakë dhe qeveritarë.

Kryeministri Hamdok tha se marrëveshja me udhëheqësit ushtarakë synon të rikthejë tranzicionin demokratik të vendit dhe t'i japë fund gjakderdhjes pasi të rinjtë sudanezë u vranë në protestat kundër marrjes së pushtetit nga ushtria.

"Unë e di që rinia jonë ka aftësinë të sakrifikojë dhe të tregojë vendosmëri. Por gjaku sudanez është i çmuar, le të ndalim gjakderdhjen dhe ta drejtojmë energjinë e të rinjve tek ndërtimi dhe zhvillimi," tha ai.

Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët e arrestuar që nga grushti i shtetit të 25 tetorit pritet të lirohen si pjesë e marrëveshjes midis ushtrisë dhe partive politike, përfshirë Partinë më të madhe Umma.

Zoti Hamdok do të drejtojë një kabinet të pavarur teknik, thanë zyrtarët. Ata thanë se OKB-ja, SHBA-ja dhe të tjerë luajtën "rol vendimtar" në hartimin e marrëveshjes. Ata folën në kushte anonimiteti për të diskutuar marrëveshjen përpara njoftimit zyrtar.

Grushti i shtetit, që ndodhi më shumë se dy vjet pas një kryengritjeje popullore që detyroi largimin e autokratit Omar al-Bashir dhe qeverisë së tij islamiste, u kritikua në shkallë ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara, aleatët e tyre dhe Kombet e Bashkuara kanë dënuar përdorimin e forcës së tepruar kundër protestuesve që ishin kundër grushtit të shtetit.

Sudanezët kanë dalë në rrugë në masë që nga marrja e pushtetit ushtarak, që goditi tranzicionin e brishtë të vendit drejt demokracisë. Marrëveshja vjen vetëm disa ditë pasi mjekët thanë se të paktën 15 njerëz u vranë nga gjatë demonstratave kundër grushtit të shtetit.

Ushtria ka forcuar kontrollin e saj mbi pushtetin, duke emëruar një Këshill të ri Sovran, të drejtuar nga ushtria. Këshilli kryesohet nga udhëheqësi i grushtit të shtetit, gjenerali Abdel-Fattah Burhan.

Këshilli Sovran do të mblidhet gjatë ditës së dielë përpara se të shpallë marrëveshjen, thanë zyrtarët.

Një nismë kombëtare e formuar pas grushtit të shtetit që përfshin parti politike dhe figura publike tha në një deklaratë se zoti Hamdok do të rikthehet në detyrë dhe do të formojë një kabinet teknik.

Forcat për Shpalljen e Lirisë dhe Ndryshimit, grupi që udhëhoqi kryengritjen që kulmoi me përmbysjen e Bashirit, u shpreh kundër çdo marrëveshjeje me ushtrinë.

Në një deklaratë të dielën, grupi përsëriti kundërshtimin e tij ndaj çdo partneriteti të ri politik me ushtrinë, duke këmbëngulur se autorët e grushtit të shtetit duhet të sillen para drejtësisë.

"Ne nuk duam asnjë marrëveshje me këtë juntë brutale dhe ne po përdorim të gjitha metodat paqësore dhe krijuese për ta rrëzuar atë," thuhet në deklaratë.

Grupi ripërsëriti gjithashtu thirrjen për protesta mbarëkombëtare kundër sundimit ushtarak.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG