Lidhje

Basha: Kuvendi i 18 dhjetorit gjëja e duhur përballë kërcënimit për përçarje


Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se Kuvendi i 18 dhjetorit është gjëja e duhur përballë kërcënimit për përçarje që siç shprehet ai, vjen nga interesat e një individi të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, aleati strategjik. Në një intervistë për Zërin e Amerikës zoti Basha deklaron se nuk ka patur asnjë dilemë në vendimin e marrë për të lënë ish kryeministrin Sali Berisha, jashtë grupit parlamentar demokrat. Në bisedën me korrespondentin tonë në Tiranë, Armand Mero, zoti Basha flet gjithashtu për dualizmin në disa vendimmarrje të Partisë Demokratike, reflektimin e tij për vendime që nuk kanë sjellë pasojat e pritshme, si dhe shpjegon deklaratën e tij për Trekëndëshin e Bermudave ku përfshiu krahas zotit Rama e Berisha dhe kreun e Shtetit Ilir Meta.

Basha: Kuvendi i 18 dhjetorit gjëja e duhur përballë kërcënimit për përçarje
please wait

No media source currently available

0:00 0:11:41 0:00

Zëri i Amerikës: Partia Demokratike ndodhet sot ndoshta në një nga momentet më kritike të jetës së saj. Kur morët vendimin për të lënë jashtë grupit parlamentar zotin Berisha, e mendonit, e kishit parashikuar se situata mund të precipitonte deri në këtë pikë?

Z. Lulzim Basha: Detyra e kryetarit të Parisë Demokratike, ashtu siç e përjetoj unë me përgjegjësinë e marrë nga demokratët në një moment kritik për vendin jo thjesht për Partinë Demokratike, pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, përballë jo një kundërshtari politik, por një regjimi që ka shkatërruar kolonat e bashkëjetesës demokratike, është që t’i shërbejë interesit të vendit duke e mbajtur Partinë Demokratike të fortë e të bashkuar, e çështë më e rëndësishmja, në aksion kundër këtij regjimi. Ajo që ka ndodhur me shpalljen non grata të Sali Berishës nga Departamenti i Shtetit, ishte padiskutim një goditje e rëndë për Parinë Demokratike. Është lideri historik me një kontribut 30 vjeçarë në jetën e Partisë Demokratike, me dritëhijet e veta padiskutim, por konteksti në të cilën kjo ndodhi, kërkonte një vendimmarrje. Dhe vendimmarrja ishte fare e qartë, o do të zgjidhnim një standard të vendosur tashmë nga Partia Demokratike, ku asnjëherë pavarësisht prej kërkesës tonë për transparencë, pavarësisht prej qëndrimeve tona sa i takon pjesës pozitive të trashëgimnisë së zotit Berisha, asnjëherë nuk kemi mbajtur qëndrime të dyfishta. Pra, të merrnim qëndrimin dhe vendimin që mora për të qëndruar si një forcë Pro perëndimore, Pro amerikane, siç kemi lindur, siç do të vazhdojmë, ose të vendoseshim në pozita kundërshtie me aleatin tonë strategjik. Duke vendosur jo thjesht demokratët, Partinë Demokratike, por vetë fatin e shqiptarëve në pikpyetje dhe duke i hedhur në prehër kundërshtarit tonë historik, gjithashtu kundërshtarit historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri në fillimet e pluralizmit, favore të pamerituara në betejën politike mes palëve, e cila duhet të përfundojë me mundjen e regjimit dhe me triumfin e demokracisë.

Zhvillimi i parë. për fat të keq, është që në kundërshtim me zotimin e tij publik, Sali Berisha jo vetëm që e përfshiu Partinë Demokratike dhe grupin parlamentar në këtë betejë që e konsideroi personale, por e ka kthyer këtë betejë personale në një betejë brenda llojit. Me një stil linçues të tijin personal dhe të një grupi të ngusht njerëzish të tij që veprojnë sa në sytë e publikut, sa në ilegalitet, figura të dyshimta, të cilat disa prej tyre vijnë dhe nga jashtë Shqipërisë, që pretendojnë se janë ata që nuk janë, të cilët përdorin një gjuhë linçuese, përdorin gënjeshtrën, spekullimin për të fshehur një të vërtetë të thjeshtë, Sali Berisha është shpallur non grata nga SHBA-të.

Partia Demokratike, kryetari i saj ka marrë një vendim me përputhje të plotë me statutin dhe me rregulloren e grupit parlamentar për ta pezulluar nga grupi parlamentar deri në përfundimin e çështjes gjyqësore që ka hapur kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo dhe vetëm kjo i shërben demokratëve, respekton sakrificën e tyre, kjo dhe vetëm kjo është rruga për të ecur përpara drejt misionit që shqiptarët na kanë ngarkuar dhe që presin ta çojmë deri në fund, që është ndryshimi. Ndryshim i cili nuk mund të vijë duke pasur dilema sa i takon marrëdhënies së PD-së me perëndimin. Ne mund të kemi opinione të ndryshme, mendime të ndryshme mbi çështje të ndryshme. Çështjen e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik që e kemi pasur në krah kur hodhëm komunizmin, që kemi pasur në krah kur ngritëm flamurin e shqipërisë në NATO, që e kemi pasur në krah kur bëmë të mundur pavarësinë e Kosovës, çlirimin dhe pastaj pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj dhe mbrojtjen e integritetit të saj territorial. Nuk është çështje lirie mendimi, apo mendimi ndryshe, është çështje e identitetit të Partisë Demokratike, është çështje e identitetit të çdo demokrati.

Ndaj, padiskutim ajo që ka rrjedhur është diçka e pakëndshme, është një lëvizje përçarëse për interesa personale të Sali Berishës dhe kundër interesave të çdo demokrati. Edhe të atyre demokratëve që kanë besuar në fillim se kjo ishte një lëvizje për demokraci të brendshme apo për respektim statuti, ndërsa unë si Kryetar i Parisë Demokratike i zgjedhur me një anëtar një votë, me përgjegjësitë që më jep statuti i Partisë Demokratike dhe institucionet e tjera të Partisë Demokratike, të zgjedhura po kështu nga demokratët për të përfaqësuar vullnetin e demokratëve, nuk kemi thjesht detyrimin statutor, por kemi përgjegjësinë politike para demokratëve dhe para shqiptarëve, për të cilët kemi marrë këto vendime dhe jemi gati të marrim çdo vendim tjetër në të mirë të demokratëve dhe në të mirë të vendit.

Zëri i Amerikës: Kur u bë publik vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit ju u shprehët i keqardhur ndërkohë më pas kur morët vendimin për ta lënë jashtë Grupit Parlamentar mbështetët sërish kërkesën e tij për transparencë. A mendoni se ky ishte një vendim i merituar për zotin Berisha?

Z. Lulzim Basha: Unë nuk e komentoj vendimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk e kam komentuar as kur është shpallur, nuk e kam komentuar as në takimet dhe konsultimet me forumet drejtuese të Partisë demokratike, nuk e kam komentuar në media dhe nuk kam ndër mend ta komentoj edhe sot. Realiteti është që ne përballemi me këtë vendim dhe ky vendim nuk vjen nga dikush, vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri strategjik i Shqipërisë, partneri strategjik i Partisë Demokratike.

Ndaj hapat që janë hedhur janë në përputhje me identitetin politik të Partisë Demokratike si një parti pro-perëndimore, si një parti pro-euroatlantike, si një parti pro-amerikane. Sepse siç e thashë më parë, arritjet më të mëdha për këtë vend, Partia Demokratike i ka shënuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, fitoret më të mëdha politike në këtë vend Partia Demokratike i ka shënuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë nuk mund të ekzistojë asnjë pikëpyetje, për këtë nuk mund të ketë mendim ndryshe. Kjo nuk është çështje mendimi ndryshe, kjo është çështje identiteti. Kështu që në këtë pikëpamje mund ta them me gojën plot se ajo që ka drejtuar vendimmarrjen, është tashmë një vendim publik i shpallur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pa pikë diskutimi që prej fillimit kam kërkuar transparencë dhe vazhdoj të mbështes kërkesën për transparencë. Por kjo nuk mund të paralizojë Partinë Demokratike në misionin që është më jetik se kurrë që është përballja me regjimin e Edi Ramës, për të kthyer demokracinë e dhunuar me 25 prill, të gjithë procesin zgjedhor që kulmoi me 25 prillin dhe për t’u marrë me përditshmërinë e shqiptarëve, e cila është më e keqe se sa ndonjëherë në dekada siç e thotë vetë Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e vet të përvitshëm të të drejtave të njeriut ku flet për korrupsionin, ku flet për një qeveri më të korruptuar në Ballkan, peshën dhe haraçin e të cilës e ndjen çdo familje shqiptare me çmimet që rriten, me fuqinë blerëse që bie, me rënien përtokë të cilësisë së mësimdhënies dhe të sistemit shkollor, me shkatërrimin dhe kolapsin e sistemit shëndetësor, me emigrimin masiv të shqiptarëve. Këto janë betejat dhe hallet e shqiptarëve, këto janë betejat që duhet dhe do të luftojë, dhe po lufton Partia Demokratike, jo hallet personale të askujt, kushdo qoftë ky.

Zëri i Amerikës: Historikisht, Shqipëria ka vuajtur duke patur në krye figura të forta dhe edhe sot 30 vjet pas ndryshimit të sistemit Partia Demokratike ende vërtitet rreth emrit të Sali Berishës. Para 8 vitesh kur morët drejtimin e Partisë Demokratike u patë jo vetëm si një figurë e re, por dhe moderne, por janë të shumtë ata që në këto 8 vite kanë parë tek ju një njeri që ka vepruar nën hijen e zotit Berisha. A fillon tani për ju, sprova e vërtetë në krye të Partisë Demokratike?

Z. Lulzim Basha: Unë kam kaluar shumë sprova këto 8 vite në krah të demokratëve dhe demokratët në krahun ti,. Betejat tona kanë qenë beteja parimore, nuk kanë qenë beteja në kuptimin e ngushtë për avantazh politik. Ne kemi luftuar kundër krimit në politikë dhe kemi arritur dekriminalizimin. Ne ishim të parët që ngritëm alarmin për dëmin që do t’i sillte familjes shqiptare, ekonomisë shqiptare, shoqërisë shqiptare, imazhit të Shqipërisë, procesit të integrimit evropian, kanabizimi dhe më pas kthimi i Shqipërisë në një nyje të trafikut të drogës. Ne jemi ata që kemi çuar edhe në këtë parlament që buron nga paligjshmëria e 25 prillit, propozimet kushtetuese për vettingun e politikanëve. Sepse ne besojmë se pa e ndarë politikën nga krimi nuk mund të ketë demokraci në kuptimin e vërtetë të fjalës që përfaqëson qytetarët dhe që kontrollohet nga qytetarët.

Në këtë kuptim ajo që mund të them është se pa diskutim protagonizmi i zotit Berisha, dukshëm kësaj radhe edhe për mua këto dy muaj, por dukshëm për një kohë të gjatë, është perceptuar nga publiku i gjerë edhe nga ajo pjesë e publikut që është e rëndësishme si vendimmarrës me votë, si një dualizëm në vendimmarrje. Vendimmarrjet e Partisë Demokratike kanë qenë të gjitha vendime kolegjiale, por në kundërshtim me atë që thuhet sot, një pjesë e mirë e këtyre vendimmarrjeve janë kërkuar me ngulm publikisht dhe duke i paraprirë dhe duke iu mbivendosur edhe forumeve të Partisë Demokratike, të gjitha forumeve nganjëherë e vetë kryetarit të Partisë Demokratike.

Kjo sigurisht nuk është as shfajësim, por është një reflektim nga ana ime dhe si përfundim dua të them këtë: Nuk ka asgjë me të qënurit një lider i fortë. Problemi është kur nuk je një lider i drejtë, kur forca që të jep përgjegjësia e lidershipit nuk përdoret drejtësisht. Dhe çfarë kam parasysh me këtë, të marrësh vendime në funksion të atyre që ta kanë dhënë këtë përgjegjësi, qytetarëve të tu. Të marrësh përgjegjësi të zgjidhët hallet dhe problemet e shumta të qytetarëve të tu dhe jo t’i mbivendosesh këtyre halleve, t’i bësh ato edhe më të rënda, siç është rasti i regjimit të Edi Ramës, apo të vendosësh hallin tënd personal, mbi hallet e qytetarëve shqiptarë siç po sillet Sali Berisha apo siç sillet dikush tjetër tash sa vite.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju thoni se Berisha ka nisur një betejë për hallet e tij personale. Duket se kjo lëvizje ka gjetur terren edhe sepse nën drejtimin tuaj Partia Demokratike dhe demokratët janë prej 8 vitesh në opozitë dhe pavarësisht se ju flisni për një masakër zgjedhore lidhur me 25 prillin, fakt mbetet që demokratët do të duhet të shohin socialistët që rrinë në pushtet.

Z.Lulzim Basha: E para e punës ajo që them unë nuk është ajo që them unë, por është ajo që thotë Raporti i OSBE-ODIHR dhe kushdo shqiptar, amerikan, evropian që nuk e sheh raportin e OSBE-ODIHR i bën një dëm të madh interesave të Shqipërisë dhe interesave të atyre vendeve që kanë investuar në demokracinë shqiptare. Në qoftë se nuk e kupton që raporti është për Shqipërinë, mjafton të lexosh 5 prioritete kryesore dhe duket sikur është shkruar për Bjellorusinë, për Lukashenkon.

Ndaj këtu një pjesë e betejës pa diskutim është që me ndihmën e aleatëve tanë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian të bëjmë gjithçka për ta rikthyer vendin në shinat e demokracisë. Gjithçka do të thotë gjithçka. Në ditët e para në parlament ne kemi depozituar 3 kërkesa për komisione hetimore, 3 amendamente kushtetuese, një prej të cilit ka të bëjë pikërisht me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, me zhbërjen e ndryshimeve të njëanshme kushtetuese të 30 korrikut të 2020-ës dhe shkeljen e marrëveshjes së 5 qershorit. Ne kemi ngritur një komision hetimor për zgjedhjet. Ne kemi ngulmuar dhe do të ngulmojmë që të gjithë ata që dhunuan zgjedhjet e 25 Prillit, që nuk është çështje mendimi, se ka dalë raporti i ODHIR-it dhe thotë qartë që 25 Prilli, ishin zgjedhje të dhunuara, të rrethuara nga të gjitha anët, nga shteti, nga administrata, nga policët e korruptuar, nga bandat dhe krimi i organizuar, nga paratë e oligarkëve, nga paratë e zyrtarëve të vjedhura shqiptarëve, nga sistemi alla-sigurim i shtetit i patronazhistëve. Domethënë provat e krimit dhe krimeve elektorale nuk janë thjesht më në tavolinën e Partisë Demokratike, megjithëse ne e kemi dorëzuar librin e zi te të gjithë faktorët ndërkombëtar, janë të zyrtarizuara në raportin e OSBE ODHIR-it.

Ndaj zgjidhja e krizës më të thellë ku e ka futur Shqipërinë 25 Prilli, masakra zgjedhore e 25 Prillit, nuk është thjesht prioritet i Partisë Demokratike, është domosdoshmëria që të normalizohet vendi, të normalizohet ekonomia, politikbërja dhe të ndalen plagët që sjell kjo masakër zgjedhore, që janë kryesisht plagë të natyrës ekonomike dhe të natyrës së emigrimit masiv të shqiptarëve nga vendi.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, ju gjatë 8 viteve keni provuar pothuajse të gjitha llojet e format etë bërit opozitë, deri në ato më ekstremet. A jeni penduar sot, për bojkotin e zgjedhjeve vendore dhe djegien e mandateve?

Z. Lulzim Basha: Reflektimi për çdo vendim, qoftë ato që sjellin pasoja të dëshiruara, qoftë ato që nuk sjellin pasojat e pritura, duhet të jetë pjesë e çdo politikani të pjekur dhe të matur. Dhe pa diskutim edhe unë kam reflektimet e mia. Për një gjë nuk kam pendesë dhe nuk do të kem pendesë kurrë. Regjime antidemokratike, autokratike, që zhbëjnë themelet e bashkëjetesës demokratike, që shkatërrojnë zgjedhjet, që sjellin krimin në politikë, që shkatërrojnë një investim perëndimor, siç është reforma në drejtësi, e cila sot është një godinë boshe, që nuk ka arritur akoma të prodhojë një vendim domethënës për shqiptarët, nuk ka akoma arritur të çojë një politikan të korruptuar apo një bos të krimit të organizuar prapa hekurave, beteja për dinjitetin dhe të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, beteja për lirinë e medias, beteja për lirinë e pronës, beteja për të përndjekurit, beteja për mirëqenien të shqiptarëve, beteja për të ardhmen e të rinjve, ndaj një regjimi që të gjitha këto i sakrifikon për hir të pushtetit personal të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish, kriminelë dhe oligarkë, me të cilët e ka kapur dhe e mban pushtetin, për këtë nuk pendohem kurrë dhe përkundrazi po ju them që jam i vendosur ta intensifikojmë me të gjitha format dhe mënyrat, brenda dhe jashtë parlamentit.

Keqardhja e vetme që kam është që në këto dy muaj ndërkohë që ne kemi bërë këtë, Edi Rama ka gjetur një tub oksigjeni tek veprimet e papërgjegjshme të Sali Berishës, të cilit i ka vënë në dispozicion të njëjtët kriminelë me të cilët ne u përballëm më 25 Prill dhe që sot pa pritur i shohim të aktivizuar në përpjekjen e Edi Ramës dhe në veprimet e Sali Berishës për të përçarë Partinë Demokratike. Nuk do t’ia dalin as njëri, as tjetri, as ndonjë i tretë. Partia Demokratike më 18 Dhjetor do të mbajë kuvendin kombëtar si një kuvend bashkimi, por mbi të gjitha si një kuvend vendosmërie, për t’u shpalosur edhe njëherë para shqiptarëve, siç ishte ditën e parë apo javët e para kur u themelua, Partia e shpresës, partia e ndryshimit përballë një kaste të vjetruar politike, që ka vetëm një interes, të mbajë në duart e një pakice, pushtetin ekonomik, pushtetin politik, në doni edhe pushtetin mediatik të marrë padrejtësisht shqiptarëve.

Zëri i Amerikës: Ju sapo thatë që Kuvendi i 18 dhjetorit do të jetë ai i bashkimit, ndërkohë që zoti Berisha dhe mbështetësit e tij kanë paralajmëruar Kuvend, ju e quani miting, më 11 dhjetor. A nuk duket se ka një kontradiktë, me faktin që ju flisni për një Kuvend bashkimi, ndërkohë që nga ana tjetër ju keni paralajmëruar ndëshkimet e ashpra sipas statutit për ata që nuk zbatojnë vendimet e kryesisë. Pra nga një anë keni thirrje për bashkim, nga ana tjetër paralajmërim për përjashtime, ndoshta siç parashikohet dhe nga statuti. Sikur nuk shkojnë bashkë?

Z. Lulzim Basha: Shkojnë dhe në fakt është e njëjta logjikë. Ne jemi një shtëpi njerëzish të lirë, ku respektohet mendimi ndryshe por me një mision të përcaktuar qartë. Kur dikush brenda shtëpisë, e konsideron veten mbi të tjerët, i bie me shkelm rregullave, i bie me shkelm sakrificës së demokratëve për interesat e veta, padiskutim që rregullat e shtëpisë, në këtë rast statuti, do të zbatohen.

Dhe kjo është jo thjesht detyrë dhe përgjegjësi e çdo demokrati, po është mbi të gjitha një nga arsyet kryesore se pse këto institucione ekzistojnë, që nga kryetari i zgjedhur me një anëtar një votë, pak muaj më parë, në një garë të hapur dhe transparente, tek institucionet e tjera legjitime. Nuk mund të thotë as Sali Berisha, as dikush tjetër, që janë mbi rregullat, që janë mbi çdo anëtar tjetër të Partisë Demokratike dhe që kur vjen puna për hallin tim, interesat e mia, statuti nuk vlen dhe unë shpik rregulla çdo ditë dhe i ndryshoj ato çdo ditë, sepse ky do të ishte fundi i Parisë Demokratike si një familje politike.

Ndaj 18 dhjetori është ditë e bashkimit, mdaj 18 dhjetori është ditë e rikonfirmimit të Partisë Demokratike si një parti tashmë e gatshme për t’u përballur në mënyrë moderne me sfidat që ka përpara, për t’u përballur me sfidat politike me vizion, për ta nxjerr Shqipërinë nga kriza, që nuk i shërben vetes së vet, por t’i shërbejëçdo shqiptari, edhe asaj pjese të shoqërisë, shtresë e mesme, intelektualë, pronarë, të përndjekur që ka jo vite, po ndoshta dhe dekada që na e kanë hequr vështrimin, na e kanë hequr votën sepse janë zhgënjyer nga vendime që kanë konsideruar të padrejta dhe që në disa raste kanë qenë të padrejta në raport me angazhimet që duhet të kishte një forcë e qendrës së djathtë, një forcë konservatore, një forcë e lirisë dhe e demokracisë, dhe e tregut të lirë dhe e pronës dhe e anti-komunizmit siçështë Partia Demokratike.

Në këtë kuadër 18 dhjetori do të jetënjë ditë bashkimi i gjithë këtyre energjive qëështë edhe gjëja e duhur, është pikërisht ajo që duhet bërë, përballë kërcënimit për përçarje që vjen nga interesat e një individi të shpallur non grata nga aleati ynë strategjik.

Zëri i Amerikës: Përçarja është thjesht kërcënim apo një mundësi gati gati e pashmangshme në këtë situatë?

Z.Lulzim Basha: Jo, në mënyrë absolute unë gjykoj se demokratët e sakrificës, demokratë e idealeve, janë të vetëdijshëm edhe për ato që kemi bërë bashkë në të mirë të shqiptarëve, që nga rrëzimi i komunizmit, futja në NATO, heqja e vizave, ndërtimi i infrastrukturës moderne, kontributi për çështjet kombëtare, në veçanti për pavarësinë e Kosovës, por janë të vetëdijshëm edhe për defektet, mangësitë dhe borxhet që iu kemi shqiptarëve. Që nga mosreflektimi për 96-ën, që më pas solli pasojat e 97-ës dhe daljen e Partisë Demokratike në opozitë. Që nga sjellja iliberale ndaj opozitës në periudhën 92-97. Që nga qëndrimi ndaj korrupsionit në radhët tona të një grushti njerëzish, një pakice absolute që njollosi punën e mijëra demokratëve gjatë qeverisjes 2005-2013, ku ne shënuam arritje të mëdha për shqiptarët, për të cilat jemi e duhet të jemi krenarë, por nga ana tjetër po kështu pati një grusht njerëzish të cilët përfituan në kurriz të sakrificës së demokratëve dhe që sot i shohim si rregull të ulur në radhën e parë të takimeve të Sali Berishës me lugë në brez, gati për të shkelmuar përsëri sakrificën e demokratëve apo për të luajtur me emocionet e demokratëve. Kjo nuk ka për të ndodhur më.

Demokratët janë të vetëdijshëm për arritjet tona, për të cilët duhet të jemi krenarë, sepse i kemi bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe shqiptarët sot i gëzojnë këto arritje. Disa mund të duken dhe të paprekshme. Futja në NATO mund të duket e paprekshme, por i ka dhënë fund dilemave ekzistenciale të kombit dhe të shtetit shqiptarë, të cilat kanë ndaluar zhvillimin dhe përparimin, investimet për kaq gjatë. Ndërsa disa të tjera janë fare të prekshme, që me pasaportën shqiptarë të udhëtosh në vendet e hapësirës Shengen, kjo ishte e pamendueshme. Infrastruktura rrugore që ndërtuam, që në mënyrën më banale dhe vulgare Edi Rama e sulmoi, ndërkohë që e shijon përditë kur udhëton, sigurisht kur nuk është me helikopter dhe me charter, nga Saranda në Tropojë, në rrugët që ka ndërtuar Partia Demokratike. Atë që arritëm në krijimin e një kulture liberale në treg përmes taksave të ulëta, qeverisjes së vogël.

Pra, ne kemi një identitet politik për të cilin jemi krenarë, por ne po kështu kemi një stok gabimesh për të cilin kemi folur pak ose aspak.

Zëri i Amerikës: Por çfarë bëtë ju për 8 vite për këto kategori zyrtarësh që ju thoni kanë përfituar nga pushteti i Parisë Demokratike? Dhe nga ana tjetër, nuk janë vetëm këta, në foltoren e zotit Berisha, janë të paktën dhe 10 deputetë që janë njerëz që i keni zgjedhur ju, janë deputetët tuaj.

Z. Lulzim Basha: Nuk ka pikë diskutimi që Partia Demokratike, si një parti e madhe ka flukset dhe përfaqësimet e veta të të gjithë kategorive shoqërore që i ngërthen. Këtu përfshihen të përndjekurit politikë, përfshihen pronarët, kemi deputetët e rinj, kemi dhe padiskutim deputetë që kanë shërbyer për dekada. Por kjo nuk është çështja. Çështja është se çfarë qëndrimi mbajmë ne sot. Do fusim kokën në rërë dhe do themi që ne s’kemi bërë asnjëherë gabime dhe e kemi pasur gjithmonë mirë dhe është kundërshtari politik për t’u fajësuar për gjithçka që na ka larguar siç ju thashë nga një pjesë e elektoratit që nga viti 92, apo do dalim para tyre dhe do iu themi: E dimë që në 92-shin nuk na votoni, sado që të jeni 5% në Shkodër, 10% në Tiranë 15% në Vlorë, s’ka rëndësi. Keni humbur besimin sepse jeni pronarë të cilët nuk keni parë të drejtën tuaj të kthehet tek ju, prona të kthehet tek i zoti. Jeni të përndjekur të cilët mirë në 92-97-ën s’kishim kohë, por edhe te periudha e dytë e qeverisjes tonë, nuk keni parë qëndrimin e duhur jo thjesht ndaj shpërblimit financiar, po ndaj qëndrimit moral ndaj diktaturës dhe ndaj krimeve të diktaturës. Apo sipërmarrja e cila pavarësisht prej pjesëve pozitive të qasjes tonë ka parë edhe pjesën negative. Apo intelektualëve elitë e cila me të vërtetë ka pritur shumë më shumë nga Partia Demokratike në kuptimin e zhvillimit të një demokracie të vërtetë dhe një lirie të vërtetë të individit.

Këtyre do t’ju flasë edhe 18 dhjetori përmes platformës qytetare për demokraci. Ama një gjë është e qartë si nata me ditën: Ne edhe për shkak të pjesës pozitive të historikut, por edhe për shkak të ndjesës dhe pendesës së vërtetë për ato që s’i kemi bërë ndonjëherë apo ato që kemi bërë keq në këto 30 vite, jemi e vetmja shpresë për shqiptarët. Përballë kemi një parti që ka kryer krime për 50 vite, krimet më të përbindshme ndaj shqiptarëve, ka ndryshuar emrin, ka bërë sikur ka reflektuar, por nën lidershipin aktual, është rikthyer pothuajse në çdo aspekt tek mënyrat e veprimit dhe qëndrimit ndaj qytetarëve njësoj si partia që ishte para se të ndryshonte emrin.

Shtyp lirinë e medias, godet demokracinë dhe themelin e saj që janë zgjedhjet, godet opozitën, godet lirinë ekonomike. Me të vërtetë nuk ka një komision të planifikimit qendror të ekonomisë por ka një komision të planifikimit qendror të oligarkisë që s’ka rëndësi se ku mblidhet, te Sheratoni apo tek dhoma e ngrënies së kryeministrit, apo tek vilat e Dhërmiut, ku ndahet me thela Shqipëria midis Edi Ramës dhe 5 oligarkëve.

Dhe më e rënda e më të rëndave ka sjellë krimin në politikë. Kulti i krimit ishte ai që mbante diktaturën në këmbë. Varja e armiqve të popullit, burgosja e armiqve të popullit siç quheshin, mbante me terror diktaturën në këmbë. Tani përsëri me kultin e krimit, me kultin e të fortëve, me kultin e Tom Doshëve, Aqif Rakipëve, Suel Çelëve, Rrahman Rrahjave me shokë, ky regjim ka ndalur ndryshimin me 25 prill dhe përpiqet të mbajë në këmbë një Shqipëri të korruptuar deri në palcë që është kthyer në një udhëkryq të trafiqeve ndërkombëtare të drogës ku trafikantët mbajnë në pushtet një qeveri të korruptuar dhe kjo qeveri e korruptuar dhe ky kryeministër i korruptuar ndan pushtetin me ta.

Ky është realiteti, këto janë shkaqet se pse shumica e shqiptarëve varfërohet çdo ditë dhe një pakicë pasurohet çdo ditë. Ka një shpresë dhe një forcë që mund dhe do ta ndryshojë këtë dhe kjo është Partia Demokratike, e bashkuar rreth interesave të demokratëve dhe rreth interesave të shqiptareve, për një Shqipëri vërtet demokratike dhe vërtet të lirë. Kjo është domethënia e 18 dhjetorit, të tjerat janë çështje hallesh, frikërash dhe interesash personale, S’ka rëndësi nëse janë të Sali Berishës apo të ndokujt tjetër.

Zëri i Amerikës: Zoti Basha edhe një pyetje të fundit. Pak kohë më parë ju në parlament folët për atë që e quajtët Trekëndëshi i Bermudës, Trekëndëshi i të keqes, ku përfshitë Zotin Rama, zotin Berisha por edhe presidentin Meta. Çfarë ka ndodhur mes jush dhe presidentit Meta sepse deri tani nuk ju kishim dëgjuar të shprehnit kundërshti për veprimet e tij, madje ju e keni mbështetur edhe ne veprimet që ai ka ndërmarrë.

Z. Lulzim Basha: Jo, nuk ka qenë presidenti Meta i përfshirë në trekëndëshin e Bermudës. Ndaj presidentit dhe qëndrimeve të tij të drejta në raport me kushtetutën ne kemi mbajtur qëndrime të qarta mbështetëse, madje më shumë se LSI-ja. Ka qenë Ilir Meta pjesë, personi Ilir Meta, i cili nëse më pyesni, dy javët e fundit të fushatës ka qenë aseti më i madh i Edi Ramës, shkatërruesi i fushatës në bindjen time, të LSI-së në veçanti në disa zona elektorale nga Vlora në Elbasan dhe në veçanti në javët e fundit me qëndrimet e tij, ka çuar ujë tek mulliri i Edi Ramës.

Pra, kur përmend trekëndëshin e Bermudës, përmend personin Ilir Meta, politikanin Ilir Meta dhe jo institucionin e presidentit të cilit i kemi dalë në krah sa herë ka qenë në krah të kushtetutës. Por, përsa i përket pjesës tjetër mund të flasim gjatë. Jam i sigurt që do ketë akuza e sulme të shumta. Kalërimi i kulturës së linçimit, gënjeshtrave, spekulimeve të ndodhura këto dy muaj është gjëja më e thjeshtë, por edhe unë jam i qartë, i vendosur dhe më i fortë se kurrë nga forca e demokratëve për të qëndruar përballë çdo trekëndëshi dhe çdo kombinimi interesash personale të një grushti sado të fuqishëm por të vogël njerëzish që sot qëndrojnë përballë shumicës së shqiptarëve. Ne do t’i japim zë shumicës së shqiptarëve, ne do ta çlirojmë shumicën e shqiptarëve nga interesat personale, nga frika dhe hallet personale që mbajnë peng Shqipërinë dhe zhvillimin e saj demokratik dhe perëndimor.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG