Lidhje

Kaliforni, një pjesë e punonjësve të sektorit ushqimor në grevë për kushte më të mira pune


Kaliforni, një pjesë e punonjësve të sektorit ushqimor në grevë për kushte më të mira pune 
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Punonjësit e sektorit të restoranteve të ushqimeve të çastit, apo “fast-food”, në Kaliforni, kanë zgjedhur të largohen nga puna, si shenjë proteste duke kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira. Kjo situatë i ka vendosur restorantet në vështirësi për të gjetur punonjës.

Punonjësit e sektorit të restoranteve “fast-food” thonë se janë të keqpaguar dhe kanë një ngarkesë të madhe pune, ankesa këto që janë bërë të zakonshme gjatë pandemisë ku shumë njerëz kanë dhënë dorëheqje për arsye shëndetësore, apo arsye të tjera.

“Ne kemi mungesë stafi, jemi të nënvlerësuar, jemi të mbingarkuar, ndonjëherë punojmë 12 orë në ditë. Dhe nuk marrim atë që meritojmë. Ata (punëdhënësit) nuk kujdesen për ne, por vetëm për paratë”, thotë Iyana Leon, punonjëse në një restorant “fast food”.

Mijëra punonjës të këtij sektori në Kaliforni kanë zgjedhur të largohen nga puna, në shenjë proteste për të kërkuar pagesa më të larta dhe kushte më të mira.

Ndër kërkesat e tyre janë: pagesa 15 dollarë për një orë pune, sigurim mjekësor dhe më e rëndësishmja formimin e një sindikate, që do të luftonte për interesat e tyre.

“Ne duam të kemi një sindikatë. Ne infektohemi me COVID dhe ata nuk kujdesen për ne. Ata nuk duan të na paguajnë! Në ambientet e punës nuk kemi doreza, as dezinfektues”, thotë Imelda Rosales, punonjëse në një restorant.

Pandemia, thonë punonjësit e këtij sektori, rëndoi edhe më shumë situatën. Ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz vendosën të largohen nga puna apo u sëmurën, ata që qëndruan kanë një ngarkesë më të madhe pune. Po ashtu klientët u bënë më të padurueshëm me shërbimin e ngadaltë.

“Ka klientë që sillen si të çmendur, sepse ne jemi pak staf. Restorantet tona mbyllen shumë herët ose nuk jemi të hapur në ditë të caktuara sepse nuk kemi staf dhe klientët e përjetojnë keq”, thotë Iyana Leon

“Ne u përpoqëm t’u kërkonim klientëve të mbanin maska, por ata thanë: ‘Pse? Ne nuk besojmë në COVID’. Pavarësisht insistimit tonë, ata thanë se mbajtja e maskës nuk ishte e detyrueshme me ligj. Dhe kjo shkakton grindje”, thotë një tjetër punonjës.

Të tjerë punonjës thonë se janë të lodhur nga frika se mos infektohen me koronavirus si dhe të bindin klientët të respektojnë masat kufizuese të vendosura në restorante, apo të kërkonin nga klientët kartat e vaksnimit.

Disa restorante u gjobitën disa herë për mos respektimin e masave kufizuese duke çuar në mbylljen e tyre të përkohëshme. Kjo situatë nga ana tjetër shkaktoi protesta nga klientët e pakënaqur.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom kur u pyet për të komentuar situatën, tha se rregullat strikte që janë vendosur në këtë shtet për pandeminë duhet të respektohen.

“I inkurajoj të gjithë të marrin seriozisht urdhrat shëndetësorë të vendosura si dhe inkurajoj të gjithë të mbështesin bizneset. Këto janë kompani me bazë në Kaliforni”, tha ai.

Në Florida, guvernatori Ron DeSantis, i cili kundërshton vaksnimin me detyrim për punonjësit, i ka kërkuar rrjetit të njohur të restoranteve “In-N-Out Burger” që të largohet nga Kalifornia dhe të zhvendoset në shtetin e tij. Por rrjeti e refuzoi ofertën.

XS
SM
MD
LG