Në kontenë e Los Anxhelosit në Kaliforni, klientët duhet të tregojnë prova të vaksinimit të plotë ndaj COVID-19 për të hyrë në lokale, klube nate, kantina vere dhe vende të tjera. Rregulli i ri – i cili hyri në fuqi më 8 nëntor – konsiderohet të jetë një nga më të ashpërit në Amerikë. Korrespondenjta e Zërit të Amerikës Angelina Bagdasaryan njofton.
Banorët dhe turistët 12 vjeç e lartë në Los Anxhelos, tani duhet të tregojnë prova të vaksinimit të plotë ndaj COVID-19 për të hyrë në bare, klube nate, sallone bukurie dhe vende të tjera.
Masa – e nënshkruar në ligj nga kryetari i bashkisë së Los Anxhelosit në fillim të tetorit – shihet si një nga rregullat më të rrepta të vaksinës COVID-19 në vend.
Përpara se të hyjë në restorantin Hotville Chicken, Margo paraqet kartën e saj të vaksinimit kundër COVID-19. Kushdo që nuk është plotësisht i vaksinuar nuk lejohet të hyjë.
“Ka disa njerëz në komunitetin tim që nuk duan të vaksinohen. Kështu që më pëlqen kjo nxitje për njerëzit që të imunizohen!”, thotë Margo.
Toni Kasias ka ardhur në restorant me familjen e tij. Ai thotë se ndihet i sigurt që të gjithë përreth janë të vaksinuar.
“Mendoj se është një zgjedhje e mirë, të gjithë duhet të vaksinohen. Është e vështirë, por nëse u shpjegon arsyet për këtë, se po kujdesesh jo vetëm për vete por edhe për njerëzit e tjerë – për të dashurit e tyre – mendoj se është një mënyrë e shkëlqyer për t’u thënë se duhet të vaksinohen”.
Dhe ndërsa klientët e vaksinuar po shijojnë radhë të shkurtra dhe shërbim të shpejtë, pronarja Kim Prince ngre dyshime për masën dhe është e shqetësuar se po humbet biznesin dhe prenotimet e rregullta.
Zona ku ndodhet Hotville Chicken ka një shkallë vaksinimi prej rreth 50 për qind.
“Mund të shkoj në aeroport dhe nuk kam nevojë të tregoj kartën time të vaksinimit. Mund të shkoj në një dyqan ushqimor dhe nuk duhet të tregoj një kartë vaksinimi. Por kur hyj në Hotville Chicken, duhet të tregoj kartën e vaksinimit. Kjo nuk ka kuptim për mua”, thotë Kim.
Ata që kanë marrë një justifikim për arsye fetare ose mjekësore duhet të tregojnë se kanë rezultuar negativ për COVID-19 në 72 orët e fundit.
Disa thonë se rregulli i ri i vaksinës shkon shumë larg.
“Nuk jetojmë dot një jetë normale. Mendoj se të gjithë duhet të kenë një zgjedhje për të shkuar në dyqane dhe kudo tjetër. Unë mendoj se maskat janë të mjaftueshme. Kjo masë është më shumë se ç’duhet”, thotë Orly, banor i Los Anxhelosit.
"Nëse i detyrojnë njerëzit të tregojnë prova të vaksinimit, kjo bie ndesh me të drejtat e njeriut", thotë John Hernandez, banor i Los Anxhelosit.
Zbatimi i masës fillon në fund të nëntorit, me gjoba deri në 5 mijë dollarë për bizneset që lejojnë klientë që nuk janë vaksinuar.