Lidhje

Tiranë: Botohet vëllimi i gjashtë i veprës së dijetarit Midhat Frashëri


Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” publikoi sot në Tiranë vëllimin e gjashtë të veprës diplomatike, letrare dhe publicistike të dijetarit dhe veprimtarit të njohur Midhat Frashëri.

Tiranë: Botohet vëllimi i gjashtë i veprës së dijetarit Midhat Frashëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:46 0:00

Diplomat dhe publicist, botues dhe historian, veprimtari i lëvizjes kombëtare Midhat Frashëri, ka lënë si trashëgim vëllime të konsiderueshme veprash, të cilat kanë qenë të ndaluara nga regjimi komunist.

Instituti i Studimeve Historike, Lumo Skëndo, po i nxjerr në dritë me së paku 12 vëllime krijimtarinë e veprimtarit të shquar Midhat Frashëri, pas censurës së rreptë të diktaturës komuniste.

Në vëllimin e gjashtë, që u publikua sot, përfshihet letërkëmbimi i Midhat Frashërit me figurat më të shquara shqiptare dhe botërore të kohës në fillim të shekullit të kaluar, kur po formohej shteti shqiptar.

Vëllimi përmban letra nga Rilindja Kombëtare deri në shpalljen e Pavarësisë së shtetit shqiptar, nga koha kur ishte kryetar dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris, drejtuar pjesëmarrësve në të, si Presidenti amerikan Wilson, si dhe Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë.

Drejtuesi i Institutit dhe autor i hulumtimeve, Uran Butka, thotë se “Midhat Frashëri mbrojti me pasion Kosovën kundër politikave pushtetuese të shteteve fqinje. Edhe kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ai mbrojti çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare të shpërnguljes dhe shpopullimit të shqiptarëve”.

Letërkëmbimi i Midhat Frashërit përfshin një hapësirë të gjerë shqiptare, europiane dhe amerikane, dhe figurat më të shquara zyrtare dhe humaniste të kohës nga Janina në Boston, nga Bukureshti në Vlorë, nga Trieste në Londër, nga Sofia në Shkodër, nga Zyrihu në Romë, nga Parisi në Gjenevë, nga Viena në Nju Jork e nga Elbasani në Uashington.

Studiuesja Lindita Komani thotë se “Midhat Frashëri ishte një politikan vetësakrifikues dhe aspak oportunist, ai mori përsipër punët më të vështira diplomatike e shkencore, nuk pranoi karrierën parlamentare dhe as atë administrative, ndonëse mund të arrinte gjithcka me gjeninë e tij dhe prejardhjen familjare si bir i Abdyl Frashërit dhe nipi i Naim dhe Sami Frashërit”.

Letrat dhe telegramet e nxjerra me durim nga arkivi i shtetit shqiptar dhe burime të tjera janë me rëndësi për studiuesit, në ndriçimin e veprimtarisë së patriotëve shqiptarë në fillim të shekullit të kaluar.

Vëllimi i 6 i veprave të Midhat Frashërit pa dritën e botimit në 3 vjetorin e riatdhesimit të eshtrave të tij në Shqipëri nga SHBA, ku ndërroi jetë vite më parë.

Dijetari dhe politikani i njohur shqiptar, Midhat Frashëri, u përcoll në banesën e fundit në atdhe, sipas amanetit të tij, ku u nderua me ceremoni zyrtare, nga qytetarët e studiues, nga Akademia e Shkencave e deri pranë memorialit të vëllezërve Frashëri.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG