Lidhje

Gjermani, numër rekord infektimesh me COVID-19 


Gjermania po regjistron shifra të larta infeksionesh me koronavirus. Të enjten autoritetet raportuan një numër rekord ditor infektimesh, 50 mijë.

Kancelarja në detyrë e Gjermanisë, Angela Merkel thotë se qytetarët e kanë detyrim të vaksinohen kundër koronavirusit, si një mënyrë për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe të tjerët.

Gjermani, numër rekord infektimesh me COVID-19
please wait

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Zonja Merkel i bëri komentet në një takim online, gjatë forumit të Bashkëpunimit Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit (APEC).

“Fatkeqësisht, Gjermania është në mes të valës së katërt tani. Ne po regjistrojmë një rritje të lartë të numrave të infeksioneve. Njerëzit mund të mendojnë se koronavirusit i përket së shkuarës, por ne duhet ta kuptojmë se kjo pandemi ende nuk ka mbaruar. Edhe një herë, ne duhet të sigurohemi që sistemi ynë shëndetësor të mos jetë i mbingarkuar”, tha zonja Merkel.

Zyrtarët gjermanë do të takohen javën e ardhshme për të diskutuar mënyrën për të luftuar përhapjen e virusit. Autoritetet shëndetësore iu kanë bërë thirrje qytetarëve që të anulojnë ose të shmangin ngjarjet e mëdha festive.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn, shkalla e infeksionit në Gjermani ka arritur në mbi 260 raste të reja për 100 mijë banorë, gjatë shtatë ditëve.

Ndërsa shkalla e infeksionit nuk është ende aq e lartë sa në disa vende të tjera evropiane, rritja e saj ka shkaktuar shqetësim.

Që nga fillimi i pandemisë në Gjermani kanë humbur jetën më shumë se 97 mijë qytetarë nga koronavirusi.

XS
SM
MD
LG