Autoritetet polake e bjelloruse shkëmbyen akuza të martën, ndërsa një grup migrantësh kanë mbetur në anën bjelloruse të kufirit mes dy vendeve.
Polonia thotë se migrantët, kryesisht nga Lindja e Mesme, po inkurajohen të hyjnë në Poloni, një vend anëtar i Bashkimit Evropian, nga qeveria e Presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko.
Në një postim në Twitter Kryeministri polak Mateusz Morawiecki shkruante se është në interesin e Polonisë të mbyllë kufirin e saj dhe se me veprimet e Bjellorusisë "stabiliteti dhe siguria e të gjithë BE-së është në rrezik".
Bjellorusia i mohon akuzat duke i cilësuar atë si të pabaza në një njoftim të lëshuar nga ministria e Mbrojtjes e këtij vendi.
Tensionet ishin të mëdha përgjatë kufirit të hënën, por policia polake tha të martën se situata paraqitej e qetë gjatë natës.