Një anije humanitare gjermane me më shumë se 800 emigrantë të shpëtuar, ndër ta 15 fëmijë të vegjël, arriti në një port siçilian të dielën pasi iu dha leja e ankorimit nga autoritetet italiane. Anija priti disa ditë në Detin Mesdhe për të marrë lejen për hyrjen në një port të Siçilisë.
Organizata bamirëse “Sea-Eye” tha se anija e saj “Sea-Eye 4” u ankorua në portin e Trapanit, në Sicilinë perëndimore, të dielën në mbrëmje. Shumica e të rriturve do të transferohen në anije të tjera për karantinë për shkak të rregullave kundër COVID-19, ndërsa rreth 160 të mitur, përfshirë foshnjat dhe fëmijë të tjerë më të vegjël se 4 vjeç, do të dërgohen në qendra strehimi në tokë.
Shumë nga pasagjerët janë nga vendet e Afrikës Perëndimore, si Egjipti dhe Maroku, tha Giovanna di Benedetto, një punonjëse e organizatës “Save the Children” në Itali.
Rreth gjysma e migrantëve u shpëtuan nga një varkë druri që po fundosej më 4 nëntor, ndërsa pasagjerët e tjerë ishin nxjerrë nga deti në operacione të veçanta.
Zyrtarët e organizatës “Sea-Eye” janë ankuar se Malta, një vend i Bashkimit Evropian në Mesdheun qendror, nuk i ishte përgjigjur sinjalit të varkës prej druri që ishte në rrezik afër një zone malteze.
Ndërkohë, një tjetër anije humanitare, “Ocean Viking”, me 308 migrantë në bord, ishte ende në pritje të miratimit të lejes për t’u ankoruar në një port pranë Lampeduzës, një ishull i vogël italian në jug të Siçilisë.
Organizata humanitare “SOS Mediterranee”, e cila përdor anijen “Ocean Viking”, postoi në Twitter se ekipi i saj të premten mbrëma ishte përfshirë në një operacion të shpëtimit të një varke në jug të Lampeduzës. Në mesazhin e saj në Twitter organizata bamirëse “SOS Mediterranee” tha se roja bregdetare italiane "eventualisht koordinoi dhe përfundoi operacionin e kërkim-shpëtimit duke kërkuar ndihmën" e anijes “Ocean Viking”.
Në një operacion tjetër, roja bregdetare italiane evakuoi dy persona, së bashku me katër anëtarë të familjes, nga anija “Ocean Viking” që kishin nevojë për trajtim mjekësor, përfshirë edhe për plagë të marra nga djegiet, tha organizata “SOS Mediterranee”.
Të shtunën, personeli i anijes “Sea-Eye 4” mori një dërgesë ushqimesh dhe batanijesh ndërsa priste të mësonte se në cilin port mund të dërgoheshin migrantët. Mjekët në bordin e anijes “Sea-Eye 4” kanë trajtuar 25 persona për hipotermi, sëmundje deti dhe shtypje të lartë të gjakut, si dhe lëndime të tjera të ngjashme me torturat.
Agjencitë e OKB-së për refugjatët kanë denoncuar prej kohësh praktikën e torturës në kampet e paraburgimit në Libi, ku qëndrojnë migrantët, shpesh për javë ose muaj të tërë, derisa trafikantët e qenieve njerëzore t’i trafikojnë ata me varka të dobëta drejt Italisë.
Numri i emigrantëve që marrin rrugën e rrezikshme të kalimit të Mesdheut qendror është rritur këtë vit në më shumë se 54,000. Megjithatë, shifrat janë shumë më të ulëta krahasuar me ato të viteve 2014-2017, kur 120,000 - 180,000 njerëz arrinin në Itali çdo vit, shpesh me anije të kontrabandistëve.
Facebook Forum