Në zgjedhjet me pasoja përtej kufijve të saj, shteti i Virxhinias zgjodhi të martën biznesmenin republikan Glenn Youngkin në postin e guvernatorit, duke i dhënë fund një prirje dhjetëvjeçare të dominimit të demokratëve në këtë shtet. Fitorja e tij shihet si një sinjal se partia demokrate do të mund të ndeshet me vështirësi në zgjedhjet e vitit të ardhshëm për Kongresin.
"Së bashku ne do të ndryshojmë trajektoren e këtij shteti", tha zoti Youngkin para një turme mbështetësish pas fitores në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Youngkin mori 50.7% të votave në fitoren ndaj rivalit demokrat, ish-guvernatorit Terry McAuliffe, i cili mori vetëm 48.6% të votave në përpjekjen e tij për t'u rikthyer në punën që la pas largimit nga detyra në 2018 për shkak të kufizimeve të mandatit në shtetitn e Virxhinias. Në këtë shtetet nuk lejohet që një person të ketë dy mandate të njëpasnjëshme në postin e guvernatorit.
Republikanët ishin të suksesshëm në të gjitha garat në Virxhinia, duke fituar postet e prokurorit të përgjithshëm dhe atë të zëvendës-guvernatorit. Winsome Sears, një republikane konservatore, u bë femra e parë dhe gruaja e parë me ngjyrë që fiton zgjedhjet për postin e zëvendës guvernatores në historinë legjislative 400-vjeçare të shtetit të Virxhinias. Republikanët gjithashtu kanë shansin të rimarrin kontrollin e Dhomës së Delegatëve, njërën nga dy dhomat e legjislaturës së shtetit.
Ndikimi i Presidentit Biden tek zgjedhjet në Virxhinia
Gara, e cila arriti kulmin pak më shumë se nëntë muaj pasi demokrati Joe Biden filloi mandatin e tij si president i Shteteve të Bashkuara, u pa gjerësisht si një sinjal i qëndrimit të publikut ndaj presidentit dhe partisë së tij. Presidenti Biden fitoi me lehtësi në Virxhinia nëntorin e kaluar, duke marrë 10 përqind më shumë vota se sa presidenti i atëhershëm Donald Trump.
Megjithatë, aktualisht, mbështetja e publikut për punën e Presidentit Biden ka rënë. Pak më shumë se gjysma e amerikanëve mendojnë se ai nuk ka bërë një punë të mirë si President, që sipas analistëve, mund të ketë patur ndikim negativ në fushatën e zotit McAuliffe.
"Që nga gushti, pozita në nivel kombëtar e Presidentit Biden është dobësuar", thuhet në një analizë të ekspertëve Kyle Kondik dhe J. Miles Coleman, të botuar të mërkurën nga Qendra për Politikat e Universitetit të Virxhinias. “Kjo rënie, e kombinuar me prirjet e zakonshme me të cilat përballet partia e presidentit në zgjedhjet që nuk përkojnë me ato presidenciale, ndihmoi zotin Younkin të fitonte shtetin, në të cilin zoti Trump vitin e kaluar kishte humbur me diferencë 10 për qind”.
Shenja paralajmëruese për demokratët
Rezultati në Virxhinia është një sinjal paralajmërues për demokratët në Uashington. Ata nuk kanë arritur të bien dakord për elementët kryesorë të agjendës së brendshme të presidentit, pavarësisht se kanë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, edhe pse me epërsi shumë të vogla. Partia demokrate rrezikon të humbasë kontrollin e të dyja Dhomave të Kongresit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Në një shenjë tjetër paralajmëruese, Phil Murphy, guvernatori demokrat i Nju Xhersit, u përfshi në një betejë të ngushtë rizgjedhjeje me sfiduesin republikan Jack Ciattarelli. Rezultati do të vendoset nga një sasi e vogël votash, ende të panumëruara. Murphy pritej të fitonte garën me lehtësi.
"Gara çuditërisht e ngushtë mes guvernatorit Phil Murphy (demokrat nga Nju Xhersi) dhe kandidatit të panjohur republikan për guvernator të Nju Xhersit tregon gjithashtu se mjedisi i pafavorshëm politik për demokratët ishte një nga shkaqet kryesore të rezultatit të tyre të dobët në zgjedhjet e vitit 2021", thuhet në analizën e ekspertëve Kondik dhe Coleman.
Një rrugë përpara për republikanët
Gara në Virxhinia sugjeron se ka një rrugë të qëndrueshme përpara për republikanët që përpiqen të gjejnë një mënyrë jashtë ndikimit të zotit Trump, i cili, pavarësisht nivelit të ulët të vlerësimit nga publiku i gjërë, vazhdon të ruajë kontrollin e fortë të bazës së mbështetësve të partisë.
Ndërsa Youngkin pranoi mbështetjen e zotit Trump, ai nuk bëri fushatë me ish-presidentin dhe rrallë e përmendi atë në komentet e tij publike. Kandidati demokrat Terry McAuliffe përdori çdo mundësi për ta portretizuar republikanin Youngkin si një bashkëpunëtor të zotit Trump. Gjatë gjithë fushatës, Youngkin, një biznesmen i pasur investimesh, ndoqi një rrugë shumë të ngushtë, duke projektuar imazhin e një babai të dashur, dhe në të njëjtën kohë duke ngjallur zemërimin e mbështetësve të ish-presidentit me paralajmërime për çështjet e debatueshme.
Youngkin ishte në gjendje të tërhiqte me sukses votuesit që mbështetën zotin Biden në periferi të zonave më të mëdha urbane të shtetit. Në Virxhinian veriore, për shembull, Youngkin mori 35% të votave në distrktin e Ferifaksit, ku Trump fitoi vetëm 28% të votave vitin e kaluar. Në distriktin fqinj të Laudanit, Youngkin mori 44.5% të votave krahasuar me 36.5% që zoti Trump mori vitin e kaluar.
Në fillim të fushatës, Youngkin refuzoi të thoshte se ai besonte se Biden kishte fituar zgjedhjet presidenciale, duke e mbajtur veten në linjë me zotin Trump, i cili pretendon pa prova, se zgjedhjet presidenciale të 2020-ës janë manipuluar. Youngkin përfundimisht e pranoi se zoti Biden i kishte fituar në mënyrë legjitime zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Përkushtimi ndaj zotit Trump rezulton të jetë i panevojshëm
Partia Republikane ka të ngjarë të marrë disa mësime nga rezultati i zgjedhjeve në Virxhinia, thotë Jennifer N. Victor, profesore e asociuar në Fakultetin e Politikave dhe Qeverisë në Universitetin George Mason, në Virxhinia.
"Së pari, republikanët mund të fitojnë pa praninë e zotit Trump në fletëvotim", tha ajo. "Dhe republikanët mund të fitojnë me një imitim të kufizuar të ideve të zotit Trump dhe vetë zotit Trump, dhe ndoshta edhe me imitimin e disa taktikave të zotit Trump, por lidhja e hapur me zotin Trump nuk është e nevojshme për të marrë disa nga përfitimet."
Profesorja Victor tha se ajo pret që në zgjedhjet e vitit 2022 kandidatët republikanë të përdorin mësimet e nxjerra nga fushata e zotit Youngkin.
“Demokratët do të jenë në një disavantazh strukturor në vitin 2022 dhe partia e presidentit zakonisht pëson humbje në zgjedhjet për Kongresin që nuk përkojnë me zgjedhjet presidenciale”, tha ajo. "Pra, unë mendoj se do të jetë më mirë për republikanët nëse ata përdorin strategjinë e zotit Youngkin në zgjedhjet e vitit 2022."
Teoria kritike e bazuar tek kategoria e racës
Gjatë gjithë fushatës, Youngkin shfaqi frikën se teoria kritike bazuar tek kategoria e racës, një disiplinë akademike e studiuar në shkollat juridike, po ofrohet në shkollat publike të Virxhinias. Në fakt, kjo teori nuk është pjesë e planprogramit mësimor në shkollat publike të shtetit, por është ngatërruar gjerësisht me argumentet mbi mënyrën se si aspektet më të debatueshme të historisë së Shteteve të Bashkuara, veçanërisht skllavëria dhe racizmi i periudhës së ashtuquajtur “Jim Crow”, duhet të jenë pjesë e mësimit në shkolla.
“Jim Crow” i referohet racizmit institucional që ishte i normalizuar në jug të vendit gjatë pjesës më të madhe të shekullit të 20-të. Ligjet e periudhës “Jim Crow” i bënë të detyrueshme politikat e ndarjeve racore që kishin në shënjestër njerëzit me ngjyrë në jug të vendit.
Gjatë vitit të kaluar në Virxhinia, mbledhjet e bordeve të shkollave janë ndërprerë rregullisht nga prindërit e bardhë që denonconin me zemërim shkollat për programet që, sipas tyre, u mësojnë fëmijëve të bardhë të ndihen fajtorë për trajtimin historik jo të mirë të pakicave nga vendi i tyre.
Youngkin u përqëndrua në shqetësimet e këtyre prindërve, duke u zotuar se do të "ndalonte" përdorimin e teorisë kritike të bazuar tek kategoria e racës në shkollat e shtetit. Në fund të fushatës së tij, ai publikoi një reklamë të debatueshme që shfaqte një grua, e cila pretendonte se djali i saj kishte vuajtur një shqetësim të rëndë psikologjik pasi lexoi një libër mbi skllavërinë të caktuar në klasën e gjuhës angleze. Djali ishte në shkollën e mesme në atë kohë, dhe libri quhej “Beloved” (“I dashur”), një roman që ka fituar çmimit Pulitzer, i laureatit të çmimit Nobel për letërsi, Toni Morrison.
Analistët besojnë se McAuliffe dëmtoi shanset e tij kur, në një debat me republikanin Youngkin në shtator, u duk se po nënvlerësonte shqetësimet e prindërve, duke thënë: "Unë nuk mendoj se prindërit duhet t'u tregojnë shkollave se çfarë duhet të mësojnë".
Roli i ish-presidentit Trump
Pavarësisht përpjekjeve të republikanit Youngkin për t'u distancuar nga ish-presidenti, Donald Trump tha se fitorja e republikanëve në zgjedhjet për guvernator në Virxhinia ishte arritur falë angazhimit të tij dhe atij të mbështetësve të tij.
Facebook Forum