Lidhje

Gërdeci, Mediu ankimon në Gjykatën e Lartë vendimin e Apelit për rihapjen e procesit


Në Shqipëri, ish ministri i Mbrotjes Fatmir Mediu ankimoi sot në Gjykatën e Lartë vendimin e gjykatës së Apelit e cila u shpreh në favour të rihapjes së procesit gjyqësor ndaj tij për rastin e shpërthimit në Gërdec 13 vjet më parë.

Ashtu si dhe në reagimin pas vendimit të Apelit, në ankimin drejtuar Gjykatës së Lartë, zoti Mediu përmes avokatit të tij, Ardian Visha e ka cilësuar atë një vendim antikushtetues që shkel parimin e gjësë së gjykuar, duke qenë se sipas tij një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli i saj.

Po ashtu, sipas avokatit, një gjykatë e një shkalle më të ulët nuk mund të prishë një vendim të Gjykatës së lartë, duke ju referuar faktit se në gusht të vitit 2009, kishte qenë gjykata e Lartë e cila kishte pushuar çështjen.

Vendimi i asaj kohe erdhi pasi legjislacioni në fuqi nuk lejonte procedimin ndaj personave me imunitet, dhe zoti Mediu sapo kishte rimarrë mandatin e deputetit. Por prej shumë vitesh, imuniteti nuk konsiderohet më pengesë për hetimin dhe gjykimin e deputetëve. Për këtë arsye në vendimin e saj Gjykata e Apelit vlerësoi se “pengesa e imunitetit ishte përkohshme” dhe se “rënia e kushtit për të pasur imunitet konsiderohet fakt i ri që hap rrugën e gjykimit”.

Në përfundim të hetimeve në vitin 2009, Prokuroria e përgjithshme e asaj kohe, ngriti ndaj zotit Mediu dy akuza për shpërdorim detyre ngriti akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Zoti Mediu megjithatë nuk u gjyua kurrë. Çështja e tij u rikthye, pas 13 vitesh nga ngjarja që shkaktoi 26 viktima, mes të cilëve dhe fëmijë, ndërsa afro 250 të tjerë mbetën të plagosur, pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pranoi kërkesën e prindërve të 7 vjeçarit Edison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit në Gërdec.

Në maj të këtij viti, SPAK kërkoi rihapjen e procesit gjyqësor. Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë argumentohej se motivi që çoi në vendimin e kësaj gjykate në vitin 2009, nuk ekziston më. “Imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij”, shpjegoi SPAK-u, duke nënvizuar se “ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston”.

Kërkesës së SPAK-ut, për revokimin e vendimit të 2009-ës, Gjykata e Lartë ju përgjigj duke argumentuar se me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që kanë ndodhur, i takon Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të vendosë. Në korrik, kjo Gjykatë e rrëzoi kërkesën për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj zotit Mediu, duke e konsideruara atë si “të pabazuar në ligj”.

Por dhe SPAK-u e konsideroi po ashtu, të “pabazuar në ligj” vendimin, duke iu drejtuar Apelit, i cili në 24 shtator, vendosi “të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar".

Javën e shkuar, SPAK njoftoi se “pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në ngarkim të zotit Fatmir Mediu, ka regjistruar procedim penal për veprat penale: “Shpërdorim i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe “shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak, kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal dhe 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak, në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu”, duke nisur kështu procedurat për t’iu drejtuar Gjykatës për rihapjen e procesit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG