Lidhje

Jon Bon Jovi anulloi koncertin pasi rezultoi pozitiv me COVID-19


Jon Bon Jovi (foto nga Charles Sykes/Invision/AP)
Jon Bon Jovi (foto nga Charles Sykes/Invision/AP)

Mediat lokale në Majami raportuan se ylli i rrokut Jon Bon Jovi u detyrua të anulojë një koncert të shtunën disa minuta para se të dilte në skenë pasi doli pozitiv nga testimi për COVID-19.

Një stacion televiziv i Majamit tha se një zëdhënës i këngëtarit plotësisht të vaksinuar i tha audiencës të shtunën në mbrëmje se Bon Jovi kishte rezultuar pozitiv pasi ai dhe anëtarët e grupit të tij bënë testet e shpejta. Zëdhënësi tha se ylli i muzikës rock "ndihet mirë", por se nuk do të luante në skenë dhe se ishte nisur për t'u çlodhur.

Grupi raportohet se ka qëndruar dhe ka luajtur për turmën pa këngëtarin kryesor.

Nuk pati asnjë fjalë nëse koncerti do të caktohej për t'u zhvilluar sërish në një datë tjetër.

Bon Jovi mori pjesë në fushatat e shërbimit publik vitin e kaluar duke inkurajuar njerëzit të mbajnë maska dhe të praktikojnë distancimin shoqëror.

Më herët të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se më shumë se 5 milionë vdekje nga COVID-19 ishte "një turp global" dhe një kujtesë se shumica e botës po "dështon" nga pabarazia e vaksinave.

Antonio Guterres
Antonio Guterres

Mbi 5 milionë njerëz në të gjithë botën kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19-ës. Qendra që monitoron dhe informon publikun mbi situatën lidhur me pandeminë, në universitetin “John Hopkins”, e njoftoi shifrën e zymtë ditën e hënë.

Vetëm disa muaj më parë, në qershor, numri i të vdekurve si pasojë e pandemisë së koronavirusit arriti në 4 milionë.

Shifra e re vjen ndërsa disa vende vazhdojnë të hasin vështirësi në sigurimin e vaksinave, në një kohë kur një pjesë ka nisur të vaksinojë popullsinë me dozën përforcuese.

Në një letër të hapur, drejtuar udhëheqësve të vendeve anëtare të Grupit të Njëzetëshes, që u takuan në Romë, Organizata Botërore e Shëndetësisë vinte theksin tek pabarazia në shpërndarjen e vaksinave mes vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të ulëta.

"Hendeku aktual demonstron një mospërfillje për jetën e më të varfërve dhe më të pambrojturve në botë", thuhej në deklaratë.

Për çdo 100 persona në vendet me të ardhura të larta, janë ofruar 133 doza vaksinash, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta, vetëm 4 doza për 100 persona”.

Në letrën e OBSH-së thuhej se pabarazia në shpërndarjen e vaksinave po merr çdo ditë jetë njerëzish dhe vazhdon të rrezikojë të gjithë.

Historia dhe shkenca e bëjnë të qartë: veprimi i koordinuar me qasje të barabartë në burimet e shëndetit publik është mënyra e vetme për t’u përballuar me plagë globale të shëndetit publik si COVID-19. Ne kemi nevojë për një shtytje të fortë e kolektive për të shpëtuar jetë, për të zvogëluar vuajtjet, si dhe për të siguruar një rimëkëmbje të qëndrueshme globale”, thuhet më tej në deklaratën e OBSH-së.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG