Lidhje

Berisha njofton mbajtjen e një Kuvendi të Partisë Demokratike në dhjetor


Polemikat në radhët e demokratëve të opozitës shënuan të premten një zhvillim të ri, kur ish kryeministri Sali Berisha deklaroi se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike do të mbahet në fillim të dhjetorit.

Gjatë fjalës përpara përkrahësve të tij në Lezhë, ai tha në tubimin e fundit të serisë së takimeve publike se qëllimi është kthimi i Partisë Demokratike në rrugën e ligjshmërisë statutore.

Ai akuzoi kryetarin e forcës më të madhe opozitare, Lulzim Basha, se ishte marrë peng nga kryeministri Edi Rama, gjë që u provua kur vendosi ta përjashtojë nga grupi parlamentar në shkelje të statutit të partisë.

Marrëdhëniet e afërta mes ish kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike pësuan një thyerje të thellë kur sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e shpalli zotin Berisha dhe familjen e tij si të papërshtatshëm për të shkuar në SHBA, ndërsa zoti Basha e përjashtoi atë nga grupi parlamentar i opozitës.

Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, përcaktoi zotin Berisha, bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, si individë që nuk janë të përshtatshëm për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish-kryeministrit Berisha në korrupsion domethënës.

Sekretari Blinken theksoi se zoti Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij.

Pas kësaj, zoti Basha e përjashtoi zotin Berisha nga grupi i deputetëve dhe ka theksuar disa herë publikisht se, si kryetar i PD-së, ai nuk do të lejonte që partia të shndërrohej në bunker për interesat personale të zotit Berisha dhe se nuk do të lejonte që Partia Demokratike të mbante Kuvend për vendimet e SHBA-ve.

“Kuvend Kombëtar që të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur sa kohë të jem unë kryetar i partisë” - theksoi i vendosur zoti Basha.

Gjatë një fjalimi të enjten në parlament zoti Basha akuzoi për një bashkëpunim mes presidentit Meta, kryeministrit Rama dhe ish kryeministrit Berisha, duke i etiketuar si “trekendëshi i Bermudës, brinjët e të cilës do të zbërthehen një nga një”.

Por disa ditë më parë zoti Berisha dëshmoi përsëri këmbënguljen e tij kur deklaroi në një tjetër tubim se ai do të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike në Kuvendin, për thirrjen e të cilit, sipas tij, tashmë ishin mbledhur firmat e delegatëve.

Por sipas interpretimeve mbi statutin nga ana e zotit Basha, është kryetari ai që vendos nëse thirret apo jo një Kuvend i partisë.

Zoti Basha ka kujtuar se ai sapo është rizgjedhur kryetar i Partisë Demokratike me një shumicë dërrmuese votash.

Ai ka propozuar në Kuvend një proces vettingu për pastërtinë e pasurive dhe integritetin e politikanëve, në mënyrë të ngjashme me atë që po bëhet për gjyqtarët, madje shprehu gatishmërinë që ky vetting të nisë së pari nga kryetari i opozitës para se të përfshijë qeverinë dhe gjithë politikanët e tjerë.

Polemikat mes politikanëve kryesorë të Partisë Demokratike kanë shkaktuar një debat të gjerë mes deputetëve dhe bazës së kësaj partie lidhur me autoritetin kryesor drejtues të partisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG