Në Sudan, Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe shpërndau këshillin e përbashkët civilo-ushtarak që kishte drejtuar vendin për dy vitet e fundit.
Forcat e ushtrisë arrestuan kryeministrin Abdalla Hamdok dhe zyrtarë të tjerë të Këshillit Sovran në pushtet.
Ministria e informacionit e Sudanit, e cila vazhdoi të publikonte deklarata në internet, njoftoi se zoti Hamdok u arrestua pasi refuzoi të mbështeste grushtin e shtetit.
Në kryeqytetin Kartum shpërthyen protesta të hënën pas njoftimeve për arrestimin e zotit Hamdok. Gazetari Michael Atit, i cili ndodhet në Kartum, i tha Zërit të Amerikës se mijëra njerëz, shumica të rinj, kishin dalë në rrugë dhe po marshonin drejt qendrës së qytetit. Ai raportoi se kishte dëgjuar të shtëna armësh dhe kishte parë goma të djegura në rrugë.
Zoti Atit tha se shumica e telekomunikacioneve në Kartum janë ndërprerë, përfshirë internetin dhe stacionet e radios. Vetëm një stacion televiziv shtetëror ishte në transmetim, që luante muzikë patriotike.
“Ata që mbështesin marrjen nën kontroll të vendit nga ushtria do të argumentojnë se ky është një ‘korrigjim’ i rrugës së revolucionit, por mendoj se shumë prej atyre që donin një pushtet plotësisht civil do ta shohin këtë pa dyshim si një hap prapa”, thotë Isma'il Kushkush, një gazetar i pavarur dhe ish-korrespondent për Afrikën Lindore në New York Times. "Unë e shoh këtë si një pengesë për tranzicionin drejt një demokracie," i tha zoti Kushkush Zërit të Amerikës.
Zoti Hamdok, një ekonomist dhe diplomat që ka punuar për OKB-në, u emërua kryeministër i përkohshëm i vendit në gusht 2019. Ai drejton një qeveri të përkohshme që mori pushtetin pas rrëzimit të diktatorit Omar al-Bashir, i cili u arrestua gjatë protestave masive. Vendi po përgatitet për zgjedhje në fund të vitit të ardhshëm dhe sipas kushtetutës, Hamdokut i ndalohet të kandidojë.
Por ai është përballur me rezistencë të ashpër nga elementë të ushtrisë së vendit. Më 21 shtator, forcat besnike të al-Bashirit përdorën tanke për të bllokuar një urë kryesore dhe u përpoqën të merrnin pushtetin. Grushti i shtetit u vu nën kontroll dhe dhjetëra ushtarë u arrestuan.
Shtëpia e Bardhë tha se është "e alarmuar" nga zhvillimet.
Ambasada amerikane në Kartum tha të hënën se "është shumë e shqetësuar nga njoftimet se forcat e armatosura kanë ndërmarrë veprime kundër qeverisë civile të Sudanit dhe dënon veprimet që po minojnë tranzicionin demokratik të Sudanit."
Ambasada u bëri thirrje "të gjithë aktorëve që po pengojnë tranzicionin e Sudanit të tërhiqen dhe të lejojnë qeverinë e përkohëshme të udhëhequr nga civilët të vazhdojë punën e saj të rëndësishme për të arritur objektivat e revolucionit të vitit 2019.