Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas rezultoi pozitiv të martën në testin për COVID-19 dhe është në vetëizolim në shtëpinë e tij, tha përmes një deklarate agjencia të cilën e drejton ai.
Zoti Mayorkas është vaksinuar plotësisht dhe po përjeton vetëm "simptoma të buta", thuhet më tej në deklaratën e Departamentit të Sigurisë Kombëtare.
Ai do të punojë nga shtëpia sipas protokolleve të rekomanduara nga Qendrat Amerikane për Parandalimin e Sëmundjeve dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka filluar gjurmimin e kontakteve të tij për të kontrolluar ekspozimin e mundshëm të njerëzve të tjerë.
Zoti Mayorkas ishte me Presidentin Joe Biden të shtunën në Shërbimin Memorial vjetor të Paqes Kombëtare për Oficerët e policisë në Kapitol, duke qëndruar në podium midis zonjës së parë Jill Biden dhe drejtorit të FBI -së Christopher Wray.
Testi pozitiv për Covid-19 do ta detyrojë atë të anulojë një udhëtim të planifikuar për këtë javë në Kolumbi, ku ai pritej t’i bashkohej Sekretarit të Shtetit Antony Blinken për diskutime të përqendruara pjesërisht në përpjekjet për të trajtuar atë që zyrtarët po e quajnë një fluks të paparë emigrantësh, veçanërisht nga Venezuela dhe Haiti, drejt Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të rajonit.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare është agjencia e tretë më e madhe e Kabinetit të Presidentit amerikan, që mbikëqyr agjencitë kryesore të zbatimit të ligjeve të imigracionit në vend, dhe çështje të tjera në fusha të ndryshme të zbatimit të ligjit.
Facebook Forum