Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken diskutuan të martën mbi fushat e mundshme të bashkëpunimit, ndërsa kryediplomati amerikan vizitoi Parisin në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy aleatëve pas një mosmarrëveshjeje në lidhje me një partneritet sigurie midis Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë.
Një zyrtar amerikan u tha gazetarëve se takimi zgjati rreth 40 minuta dhe përfshinte diskutimin e projekteve të përbashkëta që të dyja palët mund t’i bëjnë publike gjatë një takimi këtë muaj mes Presidentit Macron dhe Presidentit amerikan Joe Biden.
Më herët, zoti Blinken mbajti bisedime me Ministrin e Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dhe Këshilltarin Francez të Sigurisë Kombëtare Emmanuel Bonne. Ai do të kryesojë Mbledhjen e Këshillit Ministror të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe do të mbajë një fjalim.
Marrëdhëniet mes Francës dhe Shteteve të Bashkuara arritën një pikë të ulët pasi Presidenti Joe Biden njoftoi një marrëveshje sigurie me Australinë dhe Britaninë, sipas së cilës Australia do të marrë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore që do të ndërtohen në vend duke përdorur teknologjinë amerikane.
Marrëveshja erdhi pasi Australia u tërhoq nga një marrëveshje e mëparshme me Francën për nëndetëset me naftë, duke ngjallur një reagim të ashpër nga Parisi.
Franca tërhoqi përkohësisht ambasadorët e saj në Shtetet e Bashkuara dhe në Australi. Ministri Le Drian deklaroi se kishte një "krizë besimi" në Shtetet e Bashkuara.
Pas një telefonate midis Presidentit Biden dhe Presidentit Francez Emmanuel Macron më 22 shtator, të dy udhëheqësit vendosën të "hapin një proces konsultimesh të thelluara" për të rikthyer "besimin" mes dy vendeve.
Ambasadori francez Philippe Etienne është kthyer në Uashington.
Facebook Forum