Rreth 330,000 fëmijë kanë qenë viktimë e abuzimit seksual nga Kisha Katolike në Francë gjatë 70 viteve të fundit, thuhet në një raport të publikuar sot. Ky është dokumentimi i parë gjithëpërfshirës në Francë, i kryer nga Komisioni i Pavarur për Abuzimin Seksual në Kishë, mbi këtë fenomen të rëndë.
Abuzimet e kryera nga rreth 3,000 priftërinj dhe njerëz të tjerë të angazhuar me kishën janë fshehur në mënyrë sistematike për dekada nga autoritetet e kishës katolike, tha Jean-Marc Sauve, presidenti i Komisionit të Pavarur për Abuzimet Seksuale në Kishë.
"Janë bërë gabime, dhe natyrisht shkelje civile dhe kriminale nga abuzuesit, ndonjëherë edhe nga zyrtarët e Kishës, që nuk denoncuan dhe madje në shumë raste rrezikuan fëmijët me vetëdije, duke i vënë ata në kontakt me abuzuesit. Ka patur kryesisht një neglizhencë, dështime, heshtje, fshehje institucionale të abuzimeve në mënyrë sistematike", tha zoti Jean-Marc Sauve.
Komisioni i bëri thirrje kishës të "pranojë" përgjegjësinë e saj, duke denoncuar "gabimet" dhe "heshtjen", dhe i bëri thirrje shtetit francez të ndihmojë në kompensimin e viktimave, veçanërisht për rastet që janë shumë të vjetra për t'u ndjekur penalisht përmes gjykatave.
"Raporti juaj është i vështirë dhe i ashpër. Shkalla e abuzimit dhe dhunës seksuale në shoqëri dhe në Kishë që ju përshkruani është befasuese", tha Eric de Moulins-Beaufort, president i Konferencës së Peshkopëve të Francës.
Publikimi i raportit vjen në një kohë kur Kisha Katolike në Francë dhe në vende të tjera, po bënë përpjekje për t’u përballur me sekretet e turpshme të fshehura për një periudhë të gjatë.
Komisioni punoi për 2 vjet e gjysmë, duke mbledhur dëshmi nga viktimat dhe dëshmitarët dhe duke studiuar arkivat e kishës, gjykatave, policisë dhe shtypit duke filluar nga vitet 1950.
Presidenti i Komisionit të Pavarur për Abuzimet Seksuale në Kishë, Jean -Marc Sauve dënoi qëndrimin e kishës deri në fillim të viteve 2000 duke e cilësuar atë si “një indiferencë të thellë, mizore ndaj viktimave”.
Zoti Sauvé tha se 22 krime të dyshuara, që ende mund të ndiqen penalisht janë përcjellë tek prokurorët.
Më shumë se 40 raste që janë shumë të vjetra për t'u ndjekur, por që përfshijnë autorë të dyshuar, që janë ende gjallë, u janë përcjellë zyrtarëve të kishës. Rreth 80% e viktimave ishin djem.
Komisioni dha 45 rekomandime mbi parandalimin e abuzimeve,ku përfshihen edhe trajnimi i priftërinjve dhe klerikëve, rishikimi i Ligjit Kanonik, kodit ligjor që Vatikani përdor për të qeverisur kishën dhe inkurajimi i politikave për kompensimin e viktimave.
Raporti pason një skandal të priftit, tashmë të shkarkuar, Bernard Preynat që tronditi Kishën Katolike Franceze.
Vitin e kaluar, Preynat u dënua për abuzim seksual me të miturit dhe u dënua me pesë vjet burg. Ai pranoi se kishte abuzuar më shumë se 75 djem për dekada të tëra.
Një nga viktimat e tij, Francois Devaux, i cili tani drejton grupin e viktimave "Fjala e Çliruar", tha se ata që janë fajtorë për abuzimet janë "një turp për njerëzimin".
"Me veprimet tuaja ju keni shkelur mbi të drejtën natyrore të dhënë nga Zoti për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin njerëzor, që është thelbi i institucionit tuaj", tha ai.
Facebook Forum