Grupi i Çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan u bëri të hënën thirrje Presidentit Joe Biden dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që të dyfishojnë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara në zgjidhjen e tensioneve Kosovë-Serbi si edhe i kërkuan administratës të shtojë angazhimin për një zgjidhje përfundimtare mes dy vendeve.
Kërkesa e bërë përmes një letre dërguar zotit Biden dhe zotit Blinken, vjen si rezultat i atij që ligjvënësit e quajnë përshkallëzimin e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Javën e fundit u shfaq një situatë shqetësuese si rezultat i një mobilizimi ushtarak në kufi, duke kërcënuar stabilitetin e pasigurt në rajonin e Ballkanit. Duke pasur parasysh forcën joproporcionale të forcave të armatosura të Serbisë, ne ju bëjmë thirrje që të ripërtërini angazhimin e Shteteve të Bashkuara për t’u siguruar që aleati ynë Kosova të marrë trajtim të drejtë dhe njohje si vend i pavarur”, thuhet në letrën e ligjvënësve amerikanë.
Ata shtojnë se të dielën, tensionet u përshkallëzuan kur avionët luftarakë serbë fluturuan pranë kufirit Kosovë-Serbi.
Duke iu referuar zbatimit për reciprocitetin e targave, grupi për çështjet shqiptare, që ka si bashkëkryetarë anëtarët e Kongresit Ritchie Torres the Jim Hines, thotë se masa e Kosovës u mor pas dhjetë vjetësh që Serbia e ka ndërmarë këtë veprim.
Qeveria e Kosovës kishte vendosur se që nga 20 shtatori, makinat që hynin nga Serbia në Kosovë, duhet të merrnin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohej në Serbi me makinat nga Kosova. Ajo dërgoi atje njësitë e posaçme për të siguruar zbatimin e vendimit.
“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia në vitin 2008, Serbia ka refuzuar ta njohë Kosovën si një komb të pavarur. Kjo reflektohet në një marrëveshje, në të cilën Serbia lejoi vetëm automjetet që shfaqnin targa me "KS" (Kosovë) dhe refuzoi hyrjen në automjetet që tregonin targa me "RKS" (Republika e Kosovës)”, thuhet në letrën e ligjvënësve.
Pas vendosjes së kësaj mase, tensionet përfshinë veriun e Kosovës pasi serbët lokalë dhe Beogradi reaguan me zemërim. Protestuesit serbë vendosën barrikada në rrugë, duke bllokuar dy pikëkalime kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.
Forcat policore dhe ushtarake serbe u mobilizuan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
“Shumica, nëse jo të gjitha pajisjet ushtarake serbe të përdorura u siguruan nga Rusia, aleati më i ngushtë i Serbisë. Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, vizitoi kufirin më 26 shtator 2021, së bashku me ministrin serb të mbrojtjes Nebojša Stefanović dhe shefin e shtabit të ushtrisë serbe Milan Mojsilović, çka shihet si një përligjie dhe mbështetje e mëtejshme e taktikave të Serbisë”, thuhet në letër.
Më 30 shtator, palët arritën në Bruksel një marrëveshje trepikëshe, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pika e parë e së cilës parashihte atë që edhe ndodhi gjatë të shtunës– largimin e barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare.
Nga mëngjesi i së hënës, shenjat shtetërore të targave të makinave që hyjnë nga Serbia në Kosovë dhe anasjelltas, mbulohen me letër ngjitëse, duke shënuar edhe fillimin e zbatimit të pikës së dytë të marrëveshjes së javës së kaluar.
“Ne jemi të inkurajuar nga marrëveshja e përkohshme për parandaloni një shpërthim tjetër, por kërkojmë që ju dhe Administrata juaj të bëni gjithçka që mundeni për të mbështetur përpjekjet që mund të çojnë në një paqe të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e anëtarëve të Kongresit.
Ata nënvizojnë se Serbia ka kërkuar vazhdimisht të minojë legjitimitetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe bëjnë thirrje që Shtetet e Bashkuara “duhet të vazhdojnë të qëndrojnë me aleatin tonë Kosovën”.
“Ne ju bëjmë thirrje që të dënoni përshkallëzimin e fundit të tensioneve dhe mobilizimin ushtarak serb, si dhe inkurajojmë administratën tuaj që të bashkohet me partnerët tanë në BE dhe NATO, për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe përfundimtare”, vazhdon letra.
Përveç bashkëkryetarëve të grupit të çështjeve shqiptare Torres dhe Himes, letra është nënshkruar edhe nga anëtarët e këtij grupi: Elissa Slotkin, Joe Courtney, Mondair Jones, Carolyn B. Maloney dhe James P. McGovern.
Facebook Forum