Në rrjedhjen e miliona dokumenteve financiare të njohura me emrin “Dokumentetet Pandora” që u publikuan të dielën, pretendohet lidhja mes udhëheqësve botërorë dhe pasurive të tyre të fshehura përmes kompanive në parajsa fiskale, duke përfshirë Mbretin Abdullah të Jordanisë, Kryeministrin çek Andrej Babis dhe bashkëpunëtorët e Presidentit rus Vladimir Putin.
Hulumtimi i gati 12 milionë dokumenteve nga 14 burime është udhëhequr nga Koncorciumi i Gazetarëve Hulumtues me bazë në Uashington, një projekt ku u angazhuan 650 gazetarë.
“Dokumentetet Pandora” pretendojnë lidhje të 35 udhëheqësve aktualë dhe të mëparshëm botërorë, me kompani sekrete për të fshehur pasuritë e tyre, përfshirë Presidentin rus Vladimir Putin, Mbretin e Jordanisë, kryeministrin çek e ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Grupi i gazetarëve thotë se dosja e re, rrjedhja më e madhe e të dhënave në histori, vjen pesë vite nga rrjedhja e njohur si “Dokumentetet e Panamasë”, ku ishin publikuar të dhëna se si të pasurit kishin fshehur paratë nga agjencitë për zbatimin e ligjit.
Dokumentetet tregojnë se si udhëheqësit botërorë në të pesë kontinentet fshehin pasuri, zakonisht në vende tjera të njohura si parajsa fiskale. Hetimi ekspozon më shumë se dyfishin e llogarive të fshehta në vende të huaja, krahasuar me “Dokumentetet e Panamasë”.
Në dosjet e reja pretendohet se Mbreti Abdullah i Jordanisë, një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, përmes një llogarie në një vend të huaj, shpenzoi më shumë se 100 milionë dollarë për blerjen e shtëpive luksoze në Kaliforni, Uashington dhe vende të tjera.
Zyra e Mbretit Abdullah tha të hënën se pronat e mbretit në ShBA dhe Britani nuk janë diçka "e pazakontë dhe as e papërshtatshme".
“Këto prona nuk janë bërë të ditura për shkaqe sigurie dhe privatësie, jo nga përpjekja për të fshehur ato, siç njoftojnë këto raporte”, tha të hënën Pallati Mbretëror.
Ata shtuan se fondet personale të mbretit nuk janë para të shtetit dhe se nuk janë përdorur fonde publike për shpenzimet e pronave.
Gazeta Washington Post, një nga mediat që ndihmoi në kryerjen e hetimit, thotë se dosjet përfshijnë e-maile private, kontrata klandestine dhe të dhëna tjera, që zbulojnë skema financiare dhe se kush është pas tyre.
Washington Post, përmend rastin e Svetlana Krivonogih-it, një grua ruse për të cilën dokumentet thonë se ka marrëdhënie të fshetë me Presidentin rus Vladimir Putin.
Gazeta thotë se vetëm disa javë pasi lindi një vajzë më 2003, ajo u bë pronare e një apartamenti në Monako përmes një kompanie të huaj.
Kremlini nuk pranoi të komentojë.
Dokumentet gjithashtu pretendojnë se kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babis, përdori një llogari në një vend të huaj për blerjen e dy villave në jug të Francës, për më shumë se 16 milionë dollarë.
Zoti Babis mohoi të ketë kryer ndonjë parregullësi, gjatë një debati televiziv.
“Paratë janë dërguar nga një bankë çeke, paratë janë taksuar, ishin paratë e mia që janë kthyer në Republikën Çeke”, tha ai.
Lajmi vjen pak ditë para se çekët të votojnë për zgjedhjet parlamentare.
Dokumentetet tregojnë se edhe për Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe partnerët e tij në një kompani filmike kishin në pronësi një rrjet kompanishë në parajsa fiskale.
Ndihmësi kryesor për momentin i Presidentit ukrainas, Serhiy Shefir si dhe kreu i Shërbimit të Sigurisë së vendit, ishin pjesë e rrjetit të kompanive që ishin shfrytëzuar për blerjen e pronave të shtrenjta në Londër.
Sipas rrjetit BBC, Tony Blair dhe gruaja e tij, Cherie kursyen 421 mijë dollarë nga taksat kur blenë një zyrë në Londër nga një kompani në parajasa fiskale, që kishte nën pronësi ndërtesën.
BBC poashtu raporti se Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, familja e tij dhe bashkëpunëtorët e ngushtë kanë blerë fshehurazi prona në vlerë prej më shumë se 540 milionë dollarësh në Britani.
Facebook Forum