Lidhje

SHBA, pasojat e mospagimit të borxhit


Ligjvënësit amerikanë kanë më pak se tre javë kohë për të shmangur vendosjen e qeverisë në pozitat e pamundësisë për të shlyer pagesat, duke rritur tavanin e borxhit që mund të marrë Departamenti i Thesarit. Kjo do të ishte hera e parë në histori që Shtetet e Bashkuara do të dështonin me dashje, për të kryer pagesat.

Deri tani, shkalla e dëmit, që ekspertët parashikojnë se do të pësonte ekonomia amerikane, në rast të një dështimi në këtë drejtim, pasojë e një konflikti të ashpër mes demokratëve e republikanëve në Kongres, është raportuar gjerësisht.

Sipas një vlerësimi të kompanisë së shërbimeve financiare “Moody's Analytics” të paraqitur në fillim të këtij muaji, parashikohet që sipas një skenari ku pamundësia për të paguar do të zgjaste në kohë, Shtetet e Bashkuara do të futeshin në recesion, me Prodhimin e Brendshëm Bruto që do të binte me rreth 4 për qind. Sipas gjetjeve të kompanisë do të mbylleshin gjithashtu rreth gjashtë milionë vende pune, duke e çuar shkallën e papunësisë deri në 9 për qind. Rënia e çmimit të aksioneve në bursa do të rezultonte, të paktën në letër, në humbjen e 15 trilionë dollarëve nga të ardhurat e familjeve amerikane. Në planin afatshkurtër, normat e interesit do të rriteshin, dhe në atë afatgjatë, ato nuk do të binin kurrë sërish në nivelet e sotme, para dështimit, që janë ndër më të ultat në histori.

Por dëmi nuk do të kufizohej vetëm brenda Shteteve të Bashkuara. Bonot e thesarit të lëshuara nga SHBA-ja kanë qenë kaq shumë të besueshme për një kohë të gjatë, saqë ato shihen në thelb si një investim pa rrezik në tregjet financiare dhe përdoren për të mbështetur një numër të madh të kontratave financiare në të gjithë botën.

"Tregu i bonove amerikane të thesarit është përcaktues per vlerën e aksioneve në botë", thotë Jacob Kirkegaard, një nga anëtarët kryesorë të Institutit “Peterson” për Ekonominë Ndërkombëtare. "Nëse rezulton se letrat me vlerë në të vërtetë paraqesin rrezik, kjo në thelb do të ishte një bombë që do të shpërthente në mes të sistemit financiar global. Dhe kjo do të ishte jashtëzakonisht problematike”, shton ai.

Pasojat e menjëhershme

Në rast të një pamundësie nga ana e qeverisë amerikane për të paguar, në përgjithësi supozohet se do të ketë një shitje të gjerë të bomobve të thesarit. Kjo do të ndodhte për shume arsye: ajo që lidhet me një tronditje të investitorëve individualë nga mospagesat, tek kompanitë që kanë vendosur si kolateral per kreditë bonot e thesarit e që do të detyroheshin t'i zëvendësonin ato me diçka që huadhënësi e sheh si më të sigurt.

Shitja me çmim të ulët do ta bënte më të kushtetueshme për SHBA-në marrjen e huasë në të ardhmen, duke rritur normat e interesit në Shtetet e Bashkuara dhe duke ulur vlerën e dollarit kundrejt monedhave të tjera.

Ja pesë mënyra se si do të ndikonin problemet e qeverisë me pagesat, në ekonominë globale.

Rënia e tregtisë botërore

Nëse pamundësia për të paguar do ta çonte SHBA-në në recesion, konsumatorët dhe bizneset amerikane do të zvogëlonin sasinë e mallrave dhe shërbimeve që ata do të blinin jashtë vendit.

Ndërsa kjo do të ndikonte virtualisht pothuajse në të gjitha vendet deri në një farë mase, tregjet e vendeve në zhvillim që mbështeten tek eksportet e mallrave të tyre në Shteteve te Bashkuara, për pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre, do të ishin veçanërisht më të goditurat.

Zhvlerësimi i pritshëm i dollarit do të kishte një ndikim të ngjashëm, duke e bërë më të kushtetueshme për kompanitë amerikane blerjen e mallrave jashtë vendit, duke rezultuar në uljen e mëtejshme të tregtisë.

Ekonomitë që përdorin dollarin do të vuajnë

Dollari amerikan është një monedhë që përdoret në pjesën më të madhe të botës. Disa vende e kanë miratuar atë si monedhë zyrtare, ndërsa në disa të tjera ai qarkullon krah për krah me monedhat vendase që shpesh janë të "varura" nga dollari për të ruajtur vlerë të qëndrueshme në treg.

Në rast te pamundësisë për të paguar, kjo do të çonte tek ulja e vlerës së dollarit dhe për ato vende, ekonomia e të cilave është e bazuar shumë tek dollari, do të shihnin një rënie në shkëmbimin e monedhës së vendit të tyre.

"Tregjet e vendeve në zhvillim do të vuanin shumë nga kjo, sepse nuk do të kishin një monedhë vendase shumë te besueshme", thotë zoti Kirkegaard.

Ndikimi tek kontratat e biznesit

Në të gjithë botën, shumë transaksione ndërkombëtare kërkohet që të shlyhen në dollarë amerikanë. Në periudha të zakonshme, kjo shihet si një mënyrë praktike për të qenë të sigurt nga luhatjet e papritura në vlerën e një monedhe vendase, në mënyrë që ato të mos krijojnë dëme të mëdha për njërën palë në një transaksion, që do të shlyhet në të ardhmen.

Një rënie e papritur dhe e mprehtë e vlerës së dollarit mund të nënkuptojë që individët dhe kompanitë t'i bëjnë përpara kohe pagesat mbi kontratat ekzistuese në dollarë, duke përfituar në fakt më pak se sa prisnin për mallrat dhe shërbimet e tyre.

Kontratat tregtare më të ndërlikuara mund të përmbajnë dispozita lidhur me situatat e pafuqisë për të paguar, që kërkojnë që marrëveshjet të rinegociohen në rast të një dështimi, çka do të ulte vlerën e një monedhe që mbahet si rezervë. Kjo mund të sillte për pasojë ndërlikime e me gjasë do të ngadalësonte shumë transaksione.

Rrjedhja e kapitalit nga SHBA

Një nga avantazhet ekonomike që Shtetet e Bashkuara kanë gëzuar prej kohësh është se është vendi shihet si një magnet për kapitalin global. Kur ekonomia globale është e fortë, investitorët që kërkojnë rritje u japin para kompanive amerikane. Në periudha të këqija, investitorët kërkojnë "strehë" tek bondet amerikane të Thesarit. Çfarë do të ndodhë, tregjet globale e orientojnë kapitalin drejt SHBA-së.

Por kur normat e interesit rriten për arsye të gabuara, sepse investitorët nuk kanë besim se qeveria amerikane ka aftësi të paguajë, sistemi prishet.

Rezultati është se deri në një farë mase, investitorët që kërkojnë "strehë" apo mbrotje do të ishin më të kujdesshëm në lidhje me supozimin se letrat me vlerë të Thesarit janë investimi i duhur për të mbrojtur vlerën e pasurive të tyre. Lëvizja logjike në këtë rast do të ishte që ata të orientonin të paktën disa prej investimeve të tyre në letra me vlerë të emetuara nga qeveri të tjera, e në monedha të ndryshme.

Një monedhë e re rezervë

Një efekt anësor i flukseve të reja të kapitalit mund të krijojë një sfidë globale për dollarin si një "monedhë që mbahet si rezervë".

Monedhë rezervë konsiderohet paraja e mbajtur nga banka qendrore e një vendi dhe institucionet e mëdha financiare, me qëllim lehtësimin e tregtisë globale për kompanitë vendase, për të përmbushur detyrimet e borxhit ndërkombëtar dhe për të ndikuar në kurset e këmbimit të monedhës vendase, mes arsyesh të tjera.

Stabiliteti i dollarit e ka bërë atë monedhën mbizotëruese rezervë në rang botëror, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Kjo ka krijuar kërkesë të vazhdueshme globale për dollarë, duke bërë të mundur që qeveria amerikane të marrë hua me norma interesi më të ulëta, se vendet e tjera të mëdha.

Konkurrentët globalë të Shteteve të Bashkuara, përfshirë Kinën dhe Rusinë, por edhe vendet aleate, si ato brenda Bashkimit Evropian, prej vitesh kanë sugjeruar, se do të ishte më mirë që dollari, të humbiste terren.

Në dekadat e fundit ka pasur pak lëvizje për një zbehje të fuqisë së dollarit, por një tronditje sikurse ajo që lidhet me paaftësinë e qeverisë amerikane për të kryer pagesat, mund të bindë disa vende që të riskojnë duke u përqendruar tek monedha të tjera, si euro apo yuani, për t’i mbajtur gjithashtu rezervë.

"Nëse bëhet fjalë për Kinën ose qoftë edhe ato vende në zonën e euros, kuptohet se ato kanë dashur të zëvendësojnë rolin dominues të dollarit në ekonominë globale me yuan ose euro", thotë zoti Kirkegaard. "Dhe ata nuk do të kishin gjetur një situatë më të mirë sesa kjo", shton ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG