Lidhje

Dita Ndërkombëtare e Abortit të Sigurt shënohet me protesta në ShBA dhe Amerikë Latine


Protestues në mbarë botën këtë javë shënuan Ditën Ndërkombëtare të Abortit të Sigurt ndërsa disa raste që kanë tërhequr vëmendjen në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine ishin sërish në qendër të debateve mbi të drejtat e riprodhimit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, njofton për betejën ligjore rreth abortit në Teksas, një çështje që tashmë ka arritur në Kongres.

Dita Ndërkombëtare e Abortit të Sigurt
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:11 0:00

Dita Ndërkombëtare e Abortit të Sigurt u shënua këtë javë me protesta në Meksikë, ku po vazhdon beteja mbi një ligj lokal që kriminalizon abortin.

Ndërsa në Kili, autoritetet shtetërore po ndërmarrin hapa për legalizimin e abortit deri në 14 javë të shtatëzanisë.

Në Shtetet e Bashkuara, një ligj i ri, tepër kuifizues, hyri në fuqi para disa javësh në shtetin e Teksasit, i cili ndalon abortin pas diktimit të të rrahurave të zemrës në fetus, që ndodh rreth gjashtë javë pas fillimit të shtatëzanisë. Ligji poashtu shpërblen qytetarë privatë që padisin ata që besohet se kanë ndihmuar gratë të abortojnë.

Republikanët në Senat thonë se ligjet amerikane për abortin, janë ndër më liberalet në botën.

“Aktualisht ShBA është renditur shumë lartë në komunitetin ndërkombëtar. Jemi radhitur me Korenë e Veriut dhe Kinën, si një nga vendet më toleruese në botë kur është fjala për abortin sepse mbrojtësit e abortit u mohojnë të drejtën e jetës foshnjeve të palindura” , tha Senatori Republikan John Cornyn.

Aborti ka qenë një e drejtë kushtetuese që kur Gjykata e Lartë vendosi për rastin historik “Roe kundër Wade” më 1973. Që atëherë, mbëshetësit pro-zgjedhjes thonë se ligjet e shteteve të veçanta, praktikisht e kanë hequr këtë të drejtë.

“Kjo ka të bëjë me lirinë personale dhe respektimin e asaj që gratë dinë çfarë është më e mira për to, familjet dhe fatin e tyre. Kjo ka të bëjë me kujdesin shëndetësor dhe besimin në marrëdhëniet mjek-pacient. Kjo shërben që gratë të kenë kontroll mbi jetën e tyre”, tha anëtarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve në Teksas, Donna Howard.

Gjykata e Lartë amerikane refuzoi shqyrtimin e një sfide zyrtare ndaj ligjit të Teksasit, gjë që sipas disa ekspertëve ligjorë, shkakton një precedent të rrezikshëm.

“Kushtetuta ka krijuar një arbitër federal të pavarur dhe ende shumë njerëz, që duhet të dinë më mirë, nuk shohin asnjë problem me atë që bëri Teksasi, ose thjesht çojnë duart lart, sepse mendojnë se vendimi në rastin Roe kundër Wade ishte i gabuar. Ka një mendësi se qëllimi justifikon mjetin”, tha Profesori Steve Vladeck.

Një nga debatet më të nxehta të politikës amerikane, shkon përtej politikës për të dyja palët.

“Le të mos e maskojmë këtë dukuri me terme mjekësore, duke e bërë të duket si diçka që nuk është. Ne po flasim për marrjen e jetës njerëzore të palindur, jetën e pafajshme, jetën e një qenieje, që ka të drejtë të ekzistojë”, tha Mike Lee, Senator Republikan.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve e kundërshtuan ligjin e Teksasit në fillim të këtij muaji, duke miratuar një projektligj që garanton të drejtën e gruas për abort.

“Kjo çështje është aq personale, sa nuk duhet të ndërhyhet nga asnjë institucion qeveritar”, tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.

Por republikanët i kanë numrat e nevojshën në Senat për të parandaluar që ky projektligj të bëhet ligj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG