Lidhje

Bislimi: Arritëm marrëveshje në parim për çështjen e targave


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se është arritur një marrëveshje në parim me palën serbe për zgjidhjen e situatës së krijuar me targat e makinave.

Pas disa orë bisedimesh të ndara me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, për rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë, zoti Bislimi tha se është hartuar një projekt i marrëveshjes, pjesë të së cilës ende nuk janë miratuar nga Beogradi.

Ai tha se “nga e hëna Kosova dhe Serbia do të avancojnë në përdorimin e stikersave (fletëngjitëse) në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë që të kemi trajtim të barabartë”. Kjo tha ai, është masë e përkohshme dhe “do të formohet grup punues për gjetjen e një zgjedhje të përhershme për lëvizjen e lirë të makinave brenda gjashtë muajsh”.

Zoti Bislimi tha se sipas projekt-marrëveshjes, të shtunën forcat e KFOR-it do të zëvendësojnë njësitë e posaçme të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare ne veri dhe njëkohësisht duhet të hiqen barrikadat e vendosura nga protestuesit serbë.

As pala serbe e as i dërguari evropian nuk kanë folur rreth ndonjë marrëveshjeje, ndërsa zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se “takimi nuk ka përfunduar dhe se negociatat po vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën në veriun e Kosovës”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, shkroi në Twitter se është në kontakt me Zv/Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar “që është në Bruksel për të mbështetur bisedimet e drejtuara nga BE-ja. Puna nuk ka përfunduar, por është arritur përparim i mirë”, shkroi ai duke nënvizuar se palët duhet të vazhdojnë punën për ta çuar deri në fund. “Koha është tani”, shkroi ambasadori Godfrey.

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, shkroi se “pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, por mbetet punë për t’u bërë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, shkroi ai.

Situatë e pandryshuar në veriun e Kosovës

Grupe qytetarësh serbë për të dhjetën ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, thanë të mërkurën se “në përgjigje të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja, ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe ka vendosur njësi në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak”.

Në një postim në rrjetet sociale, KFOR –i tha se “mban një qëndrim të paanshëm, të vendosur dhe aftë për t'u përballur me të gjitha situatat e mundshme”, ndërsa komandanti i KFOR-it, Franco Federici, “gjithashtu mbetet në kontakt të ngushtë me të gjitha palët e përfshira, për të kontribuuar për një ulje të shpejtë të tensioneve”.

Qeveria e Kosovës është pajtuar me ofertën e komandantit Federici që trupat e KFOR-it të sigurojnë vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Por, oferta është refuzuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

Nga e hëna e kaluar, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG