Lidhje

Escobar: Do t’i përdorim në mënyrë agresive mekanizmat kundër korrupsionit


Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar thotë se përparësia kryesore në këtë detyrë do të jetë integrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në një intervistë gjithëpërfshirëse për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Escobar, i emëruar rishtazi në këtë detyrë, ndalet në tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dialogut mes tyre, luftën kundër korrupsionit, përcaktimin publik nga Sekretari i Shtetit të ish Kryeministrit Sali Berisha, në situatën në Bosnje Hercegovinë dhe në rolin e Kinës dhe Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Zëri i Amerikës: Zoti Escobar cilat do të jenë përparësitë tuaja për Ballkanin Perëndimor? Cilat do të jenë çështjet më të ngutshme me të cilat do të merreni?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Janë dy çështje shumë, shumë të rëndësishme. Çështja e parë, që është afatmesme, ne do të donim të shihnim integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ne mendojmë se këto vende kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm, sepse janë kulturalisht, historikisht dhe ekonomikisht evropianë. Shumë nga vendet kanë bërë tashmë reforma të jashtëzakonshme. Dhe për Evropën, ky është një hap që ia vlen ta ndërmarrë.

Ato ndajnë të njëjtat vlera e interesa të përbashkëta me pjesën tjetër të Evropës. Pra, kjo është e rëndësishme dhe do të jetë një përparësi. Paralel me këtë është edhe anëtarësimi në NATO, për ata që janë të interesuar. Kjo padyshim do të më kërkojë që të punoj shumë ngushtë me partnerët tanë evropianë, shumë prej të cilëve ndajnë pikëpamjen tonë rreth kësaj çështjeje. Por nga perspektiva jonë, ky duhet të jetë një proces, që duhet bërë dinamik dhe aktiv. Kështu që do të doja të shihja njëfarë dinamizmi në këtë proces.

Procesi tjetër ka të bëjë me të ardhmen, për brezin e ardhshëm të Ballkanit. Dhe për këtë ne po shqyrtojmë mundësi ekonomike. Ballkani Perëndimor është një zonë e mundësive. Ata janë dinamikë, kanë universitete të shkëlqyera, kanë njerëz shumë të kualifikuar. Për fat të keq, shumë njerëz nuk shohin mundësi në vendet e tyre dhe po largohen. Me kalimin e kohës, ky largim do të bëhej një problem strategjik, jo vetëm për vendet e Ballkanit, por edhe për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Pra unë jam shumë i interersuar për gjithë këto çështje dhe ide për integrimin ekonomik. Nëse shikoni Ballkanin Perëndimor në tërësi, teorikisht mund të keni një grup ekonomik prej gjashtë vendesh, ndoshta edhe më shumë, prej rreth 20 milionë banorësh, me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 125 miliardë dollarësh dhe me ritme të rritjes ekonomike deri në 5%. Duke pasur parasysh këtë, do të ishte rajoni me rritjen më të shpejtë në Evropë. Dhe kjo është pozitive, për ne politikisht, dhe mendoj se do të jetë pozitive edhe për investitorët amerikanë, që duan të shikojnë atë pjesë të botës.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar për rolin e Rusisë dhe Kinës në rajon? Analistët thonë se mungesa e një roli të fuqishëm të SHBA-së do të bëjë që boshllëku të mbushet nga Rusia dhe Kina.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Po jam i shqetësuar. Të jem i sinqertë, mendoj se në hapësirën Evropiane dhe në atë të Evropës Perëndimore, vendet duhet të ndihen se kanë mundësi të tjera përveç Kinës nga pikëpamja ekonomike. Hapja e zyrës së Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim në Beograd ishte një shembull i shkëlqyer i angazhimit tonë në rajon. Unë po punoj shumë ngushtë me Dhomat Amerikane të Tregtisë në të gjitha këto vende, si një mënyrë për të inkurajuar njerëzit që të shohin përtej Kinës për projekte të mëdha infrastrukturore dhe investime, sepse investimi ynë në fakt, vjen me përfitime afatgjata për rajonin.

Në rastin e Rusisë ne mendojmë se shumë nga gjërat që bën Rusia për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendeve, veçanërisht në Mali të Zi, është shumë destabilizuese, na largon më shumë nga rruga e integrimit evropian dhe akoma më larg nga pajtimi shumë-etnik.

Zëri i Amerikës: Sa i shqetësuar jeni nga tensionet e fundit që kanë shpërthyer mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave? A po e bëjnë të dyja palët për përfitime politike me zgjedhësit e tyre, apo ekziston një mundësi serioze e përshkallëzimit të situatës?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shikoni, më duhet të them se ne jemi shumë të angazhuar në këtë çështje me partnerët tanë evropianë. Ne besojmë se të dyja palët duhet të përmbahen e të mos përdorin retorikë të dëmshme dhe të dyja palët duhet ta përqendrojnë vëmendjen dhe energjinë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ne e mbështesim këtë dialog 100 për qind dhe unë jam në kontakt të përditshëm me Miroslav Lajçakun. Ai ka disa propozime shumë të mira. Ai po përpiqet t’i sjellë të dyja palët në Bruksel lidhur me çështjen e targave, me synimin për të negociuar një zgjidhje të qëndrueshme dhe ka disa zgjidhje të mira. Por varet nga të dyja palët, që të bien dakord për ta diskutuar këtë, u takon atyre të shkojnë në Bruksel dhe ta trajtojnë këtë çështje. Është gjithashtu në dorën e të dyja palëve, që të mos ketë një qasje ushtarake ndaj kësaj çështjeje dhe të mos dërgojnë Forca Speciale në një vend ku kemi KFOR-in. Nuk ka nevojë për një gjë të tillë. Lidhur me çështjen e targave ne do të donim të shihnim disa lëvizje në Bruksel, ndoshta që javën e ardhshme.

Për sa i takon çështjes më të gjerë të dialogut, ka shumë gjëra në tryezë, duke përfshirë disa çështje të menjëhershme, që mendoj se duhet të ndodhin, si ajo e personave të zhdukur, ose ajo e energjisë, për shembull. Por përsëri, përmes dialogut, ky është kanali të cilin ne e mbështesim.

Zëri i Amerikës: SHBA dëshiron të shohë një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë të bazuar në njohjen reciproke mes dy vendeve dhe mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, një proces që zvarritet prej 10 vitesh, pa shumë përparim. A është koha për një qasje të re?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Jo qasje, mendoj se është koha për një përpjekje të përtërirë për dialogun. Dialogu ka nevojë për mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Zëri i Amerikës: Çfarë doni të thoni me “përpjekje e përtërirë?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të thoja se, me gjithë respektin për kolegët tanë evropianë, njerëzit në rajon, nuk janë gjithmonë të bindur se Evropa i pranon ata. Pra Evropa duhet t'u japë atyre një mesazh, se këto vende do të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe se do të anëtarësohen brenda një periudhe të arsyeshme kohore. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë është pjesë e kësaj përpjekjeje. Por përpjekja ka të bëjë me të gjithë rajonin. Ajo përfshin Bosnjën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi. Mesazhi duhet të jetë shumë i qartë për popujt e këtyre vendeve, se ata do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Zëri i Amerikës: Në Bashkimin Evropian ka 5 vende që nuk e kanë njohur Kosovën dhe kjo është një pengesë për BE për të dalë me një qëndrim. A mund të ndihmojë SHBA-ja në njohjen e Kosovës nga këto vende?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Mendoj se në fund, nëse arrihet përparim në Bashkimin Evropian, në procesin e udhëhequr nga BE-ja, njohja nga këto pesë vende do të ndodhë. Nuk është se këto pesë vende besojnë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, por për arsyet e tyre të brendshme, kanë vendosur të presin për të parë rezultatet e dialogut. Prandaj dialogu është i rëndësishëm.

Zëri i Amerikës: A mendoni se Kosova dhe Serbia do të jenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse gjatë administratës së Presidentit Biden?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Shpresoj të jetë kështu, pasi ne duhet të ecim përpara me çështje e tjera, siç është ajo e statusit të vendit kandidat dhe integrimi ekonomik për të gjithë rajonin.

Zëri i Amerikës: Një nga paraardhësit tuaj, Hoyt Yee e paralajmëroi Serbinë se nuk mund të rrijë e ulur në dy karrige, nga njera anë ShBA dhe BE dhe nga ana tjetër Rusia dhe Kina. Serbia është afruar me të dyja këto vende. Si e shihni ju këtë prirje? A është Serbia një partner i besueshëm në rajon?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Serbia është një partner i mirë. Ata janë partnerë të mirë në shumë çështje, si ajo e bashkëpunimit në fushën e zbatimit e ligjit, apo në disa prej përpjekjeve tona për migrimin për shembull. Ata po punojnë shumë ngushtë me ne për shumë çështje, qofshin rajonale apo bilaterale. Serbia është motori ekonomik i rajonit dhe e hapur për integrim ekonomik me pjesën tjetër të rajonit. Presidenti Vuçic na ka siguruar se ndërsa ai po bën përpara në nismën për Ballkanin e Hapur, ai është i hapur për të gjashtë (vendet). Pra, pyetja nuk është, nëse Serbia po i afrohet më shumë perëndimit, sepse në fakt, 70 ose 80 për qind e ekonomisë së saj është e lidhur me perëndimin, shumica e diasporave të saj ndodhen në Perëndim, shumica e investimeve të saj vijnë nga perëndimi. Kështu që pyetja është: a mund ta bindë ai publikun për këtë fakt? Ka diçka që njerëzit nuk e kuptojnë, se Rusia nuk investon në Serbi. Rusia nuk i jep ndihmë humanitare Serbisë. Ndërsa Kina, nuk ka investime cilësore si ato që ne ofrojmë. Kështu që Hoyt Yee kishte të drejtë, Serbia nuk mund të ulet në dy karrige. Nga ana kulturore, ekonomike, sociale, ata kanë bërë një zgjedhje dhe na takon ne t’i ndihmojmë të lëvizin në këtë drejtim, në mënyrë konkrete, përmes anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Si e shikojnë Shtetet e Bashkuara konceptin e “Botës Serbe” dhe nismat e tjera, që ka ndërmarrë Presidenti Vuçiç për të promovuar “identitetin dhe unitetin serb” në rajon? A mund të bëhet kjo një prirje destabilizuese për rajonin?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Kjo mbetet për t'u parë. Por mund t'ju them se nuk ka asnjë konflikt mes njerëzve që duan të festojnë traditat e tyre kulturore duke jetuar në një vend tjetër. Këtu në ShBA ne festojmë traditat kulturore të njëri-tjetrit. Problemi lind kur kjo shdërrohet në një përparësi ushtarako-politike. Ne absolutisht besojmë se qytetarët e etnive të ndryshme, që jetojnë në një vend tjetër, janë qytetarë të vendit ku jetojnë dhe kanë përgjegjësi ndaj atij vendi. Vende të tjera nga jashtë, duhet ta kenë këtë të qartë, pavarësisht ku gjenden këto etni, në Kosovë, Maqedoni e Veriut, apo Mali të Zi. Është një çështje që krijon shumë pështjellim për njerëzit në rajon. Por ne besojmë se Ballkani, si një rajon shumë-etnik i botës, ka shumë për të festuar në aspektin kulturor.

Zëri i Amerikës: Disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor po shprehin zhgënjim për shkak të vonesave të integrimit në BE. BE-ja vetë vuan nga e ashtuquajtura "lodhje" nga zgjerimi, ose ka problemet e saj të brendshme. Kohët e fundit Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë bllokuar për shkak të Bullgarisë. A mundet SHBA të nxisë për një zgjidhje dhe si e shihni procesin për të ardhmen e këtyre dy vendeve?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Për sa i takon çështjes së lodhjes nga zgjerimi; vendet e Ballkanit Perëndimor, kanë shumë për t’i dhënë Bashkimin Evropian, do ta bëjnë Bashkimin Evropian më të fortë, do ta bëjnë atë ekonomikisht më të qëndrueshëm, sepse këto vende janë mjaft konkurruese.

Zëri i Amerikës: Po a mendon BE-ja kështu?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Mendoj se disa vende të BE-së po. Por sinqerisht mendoj se BE-ja përfiton nga anëtarësimi i tyre. Kështu që ata duhet të kërkojnë të bëjnë një gjë të tillë. Nëse shikoni sjelljen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në NATO, ato kanë qenë anëtare të forta. Ato kanë qenë kontribues të mëdhenj dhe kanë qenë partnerë besnikë. Pra, kjo është ajo që Bashkimi Evropian mund të presë nga këto dy vende. Pra, po, ne do të angazhohemi me partnerët tanë evropianë për të gjetur një mënyrë për t'i bërë ata të lëvizin shpejt në procesin e anëtarësimit.

Zëri i Amerikës: Vendimi i Sekretarit Blinken për përcaktimin publik të ish-Presidentit Sali Berisha për korrupsion madhor, ka shkaktuar polemika në Shqipëri, për faktin se ai nuk ka qenë në asnjë pozicion vendimmarrës në të paktën 8 vitet e fundit. Ndërsa ky është një vendim politik nga SHBA, për të çuar përpara interesat e saj kombëtare, disa njerëz ngrenë pikëpyetje se përse ky vendim u mor tani. Në mungesë të një procesi të rregullt ligjor në Shqipëri, a rrezikojnë këto përcaktime të mos arrijnë synimet e dëshiruara? Nësë një gjykatë shqiptare, apo autoritetet shqiptare do t’i kërkojnë SHBA-së të ndajë informacionet, pasi ju thoni se keni prova, nëse ata ua kërkojnë, a janë Shtetet e Bashkuara të gatshme të japin informacione?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me frenimin e korrupsionit, nuk lidhej me zgjedhjet, me palët brenda…

Zëri i Amerikës: Kur them koha, kam parasysh që ndodhi pas 8 vitesh që ai nuk ishte në pushtet dhe jo koha kur u shpall, menjëherë pas zgjedhjeve.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ka disa arsye, e para, kemi kompetenca të reja. Pastaj, gjatë asaj periudhe, duhej bërë hulumtimi dhe duhej të siguroheshim, që jemi në gjendje të bëjmë përpunimin e informacionit. Në lidhje me kalimin e informacionit tek Shqipëria, ne kemi tashmë një bashkëpunim shumë të fortë në fushën e zbatimit të ligjit, por edhe në fushën ushtarake dhe përcjellim shumë informacione. Nuk do të komentoj për ndonjë procedurë të veçantë ligjore, por ne kemi partneritet të mirë me Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Qeveria aktuale ka qenë në pushtet për 8 vjet dhe korrupsioni në Shqipëri ka qenë, po citoj këtu raportin e Departamentit të Shtetit: "i gjithë-përhapur". Por nuk kemi parë përcaktimin e ndonjë zyrtari në pushtet. A pritet të shohim përcaktime të tjera në të ardhmen?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan.

Zëri i Amerikës: Për sa i takon Malit të Zi, siç e përmendët, Rusia po luan një rol destabilizues atje. Çfarë po bëjnë bëjnë Shtetet e Bashkuara për të parandaluar destabilizimin e mëtejshëm të këtij vendi?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: E di që po e përsëris, por integrimi evropian dhe anëtarësimi në NATO, janë mjete shumë të rëndësishme për ta bërë këtë. Gjithashtu dërgimi i mesazhe për palët e veçanta, se sjella në qeveri dhe qeverisje e faktorëve destabilizues, është një fenomen shumë shqetësues.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë tek Bosnja. Mathew Palmer, paraardhësi juaj, ka marrë pozicionin e të dërguarit për zgjedhjet në Bosnje Hercegovinë. Që nga viti 2006 BE-ja ka luajtur rolin udhëheqës në Bosnje, por pa arritur ndonjë përparim. A pritet që ShBA të luajnë tani një rol më aktiv?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Unë nuk do të thoja që BE ka patur rolin udhëheqës, por ka luajur rol kryesor. Shtetet e Bashkuara janë investuar gjithmonë shumë në Bosnje, që pas Dejtonit dhe vazhdojmë të jemi të tillë. Ne ofrojmë një sasi të konsiderueshme financimi për zyrën e Përfaqësuesit të Lartë. Nënkryetari kryesor i Përfaqësuesit të Lartë është gjithmonë një amerikan. Ne kemi një program të fuqishëm në kuadër të USAID-it në Bosnjë, kreu i OSBE-së, zyrtari tjetër i lartë, paralel me Përfaqësuesin e Lartë, është zakonisht një ambasador amerikan. Ne mbetemi të interesuar për sa i takon Bosnjës. Vazhdimi i zotit Palmer me Bosnjen, flet për përkushtimin tonë ndaj rajonit. Do të doja të shihja përparim më të shpejtë nga të gjitha anët, për ta bërë Bosnjës një shtet më funksional, një vend, që në fakt mund të shprehë një lloj konsensusi politik si komb, për të qenë në gjendje të bëjë gjërat që duhet të bëjë për popullin e vet.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni është shumë i përhapur në Bosnje. Interesi i ShBA-së është që të luftojë korrupsionin në këtë vend, por çfarë mund të bëhet për ta kapërcyer status-quo-në?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Vitin e kaluar, Presidenti Biden njoftoi një seri mekanizmash të reja që parashikojnë sanksione posaçërisht kundër korrupsionit, jo domosdoshmërisht kundër veprimtarive kriminale, por korrupsionit. Ne planifikojmë t'i përdorim këto mekanizma në mënyrë shumë agresive.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësi serbo-boshnjak Milorad Dodik ka qenë në listën e sanksioneve që nga viti 2017. Pavarësisht përcaktimit të tij publik, zyrtarët amerikanë, si zoti Palmer dhe Ambasadori Nelson janë takuar me të kohët e fundit. A do të takoheni edhe ju dhe nëse po, cili do të ishte mesazhi juaj për të?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Nuk besoj se do të takohem me të. Kjo mbetet për t’u parë. Vendimi im nëse do të takohem apo jo me Dodik, do të varet nga qëndrimi i tij. Përsa kohë që ai vazhdon të bojkotojë institucionet qendrore, nuk besoj se do të takohem me të. Por edhe nëse ndryshon qëndrim, takimi mbetet për t’u shqyrtuar.

XS
SM
MD
LG