Lidhje

Rishikimi i numërimit të votave në Arizona konfirmon fitoren e presidentit Biden 


Raporti i hartuar nga një kompani për sigurinë kibernetike me qendër në Florida, tregon se rezultati i Distriktit Maricopa në nëntor ishte i saktë, thanë autoritetet e këtij distrikti

Distrikti më i populluar i Arizonës ka konfirmuar se një projekt-raport i një rishikimi nga ana e republikanëve të numërimit të votave për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 rikonfirmon Presidentin Joe Biden si fitues.

Raporti i hartuar nga "Cyber Ninjas", një kompani pak e njohur për sigurinë kibernetike me qendër në Florida, tregon se rezultati i Distriktit Maricopa në nëntor ishte i saktë, thanë autoritetet e këtij distrikti në Twitter të enjten vonë.

Përfundimi, i cili pritet të dalë zyrtarisht të premten, i jep fund efektivisht përpjekjes së diskredituar të udhëhequr nga republikanët për të përmbysur fitoren e zotit Biden atje, në favor të ish-presidentit Donald Trump.

Fitorja e zotit Biden në distriktin kryesor të Arizonës ishte e para nga një kandidat presidencial demokrat prej dekadash.

Përkrahësit dhe organizatat e zotit Trump, që pretendojnë se atij iu vodhën zgjedhjet, përfshirë disa që kanë përhapur teori konspiracioni, financuan rishikimin e numërimit me vlerë prej miliona dollarësh.

Që nga humbja e tij zgjedhore, ish-presidenti Trump është shfaqur përsëri për të kritikuar pasardhësin e tij.

Në korrik, në tubimin e tij të parë me stil fushate që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai përsëriti gënjeshtrën se kishte fituar në zgjedhjet e nëntorit dhe se presidenti Biden u shpall fitues vetëm përmes manipulimit.

Zoti Trump mund të kërkojë rizgjedhje në vitin 2024, por nuk i ka njoftuar planet e tij.

XS
SM
MD
LG