Lidhje

I dërguari amerikan në Haiti jep dorëheqjen


I dërguari i Shteteve të Bashakuara në Haiti dha dorëheqjen në mënyrë dramatike të enjten përmes një letre ku kritikonte ashpër Uashingtonin për kthimin mbrapsht ditët e fundit të qindra imigrantëve nga ky vend i përfshirë nga kriza, nga një kamp në Teksas.

Dorëheqja u konfirmua nga një zyrtar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

"Unë nuk dua të jem i lidhur me vendimin çnjerëzor dhe joproduktiv të Shteteve të Bashkuara të dëbimit të mijëra refugjatëve dhe imigrantëve të paligjshëm nga Haiti," shprehej Daniel Foote në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Antony Blinken që u bë publike të enjten.

Zoti Foote, një diplomat karriere i emëruar në korrik si i dërguar i posaçëm në Haiti, tha se kushtet në vend ishin aq të këqija saqë zyrtarëve amerikanë u duhej të rrinin të izoluar në ndërtesa të sigurta. Ai tha se "shteti i dështuar" nuk ishte në gjendje të mbështeste fluksin e emigrantëve të kthyer.

Dorëheqja e tij vjen pas presionit në rritje ndaj administratës së Presidentit amerikan Joe Biden nga Kombet e Bashkuara dhe demokratët mbi trajtimin e haitianëve në një kamp imigrantësh në Teksas pranë kufirit meksikan.

Rreth 14,000 vetë u grumbulluan në kamp javën e kaluar, por ky numër është përgjysmuar përmes dëbimeve dhe ndalimeve. Të tjerë janë drejtuar për në Meksikë, për të shmangur kthimin në vendin e tyre.

Pamjet e rojeve kufitare amerikane mbi kuaj që godisnin azilkërkuesit në fundjavë shkaktuan zemërim brenda Shtëpisë së Bardhë dhe grupeve të të drejtave të njeriut.

Shtetet e Bashkuara kanë kthyer 1,401 emigrantë nga kampi i Del Rios, Teksas, në Haiti dhe kanë ndaluar 3,206 persona të tjerë në paraburgim, tha Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) të mërkurën vonë.

Wade McMullen, një jurist me organizatën Robert F. Kennedy për të Drejtat e Njeriut, tha se disa qindra njerëz, kryesisht gra shtatzëna dhe prindër me fëmijë, ishin lënë të lirë në Del Rio, Teksas, gjatë disa ditëve të fundit.

Dëbimet erdhën mes paqëndrueshmërisë së thellë në vendin e Karaibeve, më i varfri në Hemisferën Perëndimore, ku vrasja e presidentit, dhuna e bandave dhe një tërmet i fuqishëm kanë përhapur kaos javët e fundit.

Filippo Grandi, kreu i agjencisë së OKB -së për refugjatët, paralajmëroi se dëbimet nga Shtetet e Bashkuara të Haitianëve mund të shkelin ligjin ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG