Administrata e Presidentit Biden po përdor një politikë të debatueshme si bazë për dëbimin masiv të më shumë se 12,000 haitianëve që kanë mbërriur në kufirin jugor amerikan me Meksikën në përpjekje për të kërkuar azil.
Këta migrantë haitianë janë me fat. Ata janë ndër të paktët që do të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara - tani për tani - ndërsa qeveria po dëbon shumicën e mbi 12,000 migrantëve që kanë arritur në këtë pikë kufitare.
Mbështetësit thonë se duket se migrantët më të rrezikuar nuk po dëbohen. Migrantja hatitiane Micheline Bautiste tregon për Zërin e Amerikës përpjekjet për mbërritur në Shtetet e Bashkuara.
“Kaluam në këmbë kodra, lugina e lumenj. Ishte shumë e vështirë por falë Zotit jam këtu.”
Duke lënë djalin 13-vjeçar në Haiti, ajo jetoi në Kili për tre vjet duke shitur nëpër rrugë. Kur dëgjoi se njerëzit po shkonin në Shtetet e Bashkuara, ajo vendosi të nisej me ta.
E nisur nga Brazili, Mariange Verna eci për dy muaj. Gjashtë ditët e fundit nën urën që lidh Amerikën me Meksinën, thotë ajo, kanë qënë tejet të vështira.
“Në tre ditët e fundit kam ngrënë vetëm një herë.”
Guerline Jozef drejton grupin që mbështet migrantët “Aleanca e Urës Haitiane” me qendër në San Diego të Kalifornisë. Ajo shkoi në Teksas për të ndihmuar.
“Gratë po lindin nën urë - është e tmerrshme. Si një nënë, si një grua, si një haitiane, si një Amerikane, si një grua me ngjyrë, ajo që po shikoj është e papranueshme”.
Mbështetësit e emigracionit po e kritikojnë si diskriminues përdorimin nga ana e administratës Biden të një urdhri të debatueshëm shëndetësor të vendosur nga administrata Trump.
Urdhri mbështetet tek një ligj i shëndetit publik dhe lejon dëbimin e migrantëve si rezultat i pandemisë. Joseph Makhandal Champagne është avokat për çështjet e imigracionit.
"Urdhri po i jep qeverisë amerikane liri të plotë për t’i dëbuar ata njerëz pa dëgjuar kërkesat dhe lutjet e tyre”.
Administrata Biden po sfidon urdhërin e një gjykatësi federal për të ndaluar përdorimin e urdhrit për kthimin mbrapsht të familjeve me fëmijë. Urdhri përcakton një afat dyjavor për veprimin e administratës. Sekretarja e shtypit Jen Psaki shprehu qendrimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Kemi thënë se kjo nuk është koha për të ardhur. Nuk bëhet fjalë vetëm për njerëzit në Shtetet e Bashkuara, por edhe për mbrojtjen e migrantëve që do të vinin në grupe masive”.
Disa thonë se urdhëri po përdoret në mënyrë selektive. Profesoresha e drejtësisë në Universitetin Vanderbilt, Karla McKanders thotë se kohët e fundit disa migrantëve venezuelianë u është lejuar intervista për azil. Ajo foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Zoom.
“Njerëzit po pyesin se pse shtetasit haitianë nuk kanë të njëjtën të drejtë.”
Pamjet befasuese të punonjësve të kufirit mbi kuaj shkaktuan kritika. Një zëdhënës i administratës Biden ka thënë se kjo është e papranueshme dhe se autoritetet do të zhvillojnë hetime. Imazhet janë veçanërisht të dhimbshme duke pasur parasysh historinë racore të Shteteve të Bashkuara, thotë zonja Guerline Jozef me organizatën “Haitian Bridge Alliance”
“Njerëz mbi kuaj që përpiqen të kapin njerëzit me ngjyrë në kufi, kjo nuk është barazi racore.”
Ndërsa ky grup i vogël ishte në gjendje të qëndronte në Shtetet e Bashkuara tani për tani, shumë të tjerë po kthehen atje nga janë nisur.