Lidhje

Mayorkas: Imazhet në kufirin jugor të SHBA-ve më kanë “shqetësuar thellësisht”


FILE PHOTO: U.S. Department of Homeland Security Secretary Alejandro Mayorkas holds a press briefing at the White House in Washington, U.S., March 1, 2021. REUTERS/Kevin Lamarque/File Photo
FILE PHOTO: U.S. Department of Homeland Security Secretary Alejandro Mayorkas holds a press briefing at the White House in Washington, U.S., March 1, 2021. REUTERS/Kevin Lamarque/File Photo

Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas tha të martën se imazhet e atyre që dukej se ishin agjentë të Patrullës Kufitare të hipur mbi kuaj duke mbledhur emigrantët që përpiqeshin të kalonin kufirin jugor e “tmerruan” atë, por ai nuk e quajti krizë fluksin e ri të migrantëve në kufirin jugor.

Zoti Mayorkas tha për kanalin CNN se "çdo keqtrajtim ose abuzim i një migranti është i papranueshëm" dhe shtoi, "fotografitë që kam parë më kanë shqetësuar thellësisht". Por ai nuk tha në mënyrë direkte nëse ato veprime reflektonin keqtrajtim ose abuzim, duke thënë se ai do të priste rezultatet e një hetimi të premtuar për këtë çështje.

"Kjo sfidon të gjitha vlerat që ne përpiqemi t’i rrënjosim tek njerëzit tanë", tha zoti Mayorkas, duke shtuar se departamenti që ai drejton do ta trajtojë me seriozitet situatën pasi të ketë përfunduar hetimi.

Zyra e Përgjegjësisë Profesionale po udhëheq hetimin dhe ajo do të dislokojë zyrtarët e saj në terren për të monitoruar situatën në qytetin kufitar të Del Rios në Teksas, i cili po përballet me një fluks prej mijëra migrantësh nga Haiti që po ikin nga situata e paqëndrueshme në vendin e tyre. Ata po përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara përmes Meksikës.

Më shumë se 6,000 haitianë dhe migrantë të tjerë janë larguar nga një kamp në Del Rio, dhe zoti Mayorkas parashikon një "rënie dramatike" të numrit të migrantëve atje brenda dy deri katër ditëve të ardhshme, ndërsa vazhdon procesi i largimit të tyre.

Fluksi i fundit e migrantëve në kufi ka nxitur republikanët të rifillojnë sulmet ndaj demokratëve në lidhje me atë që ata thonë se është një dështim i administratës për të trajtuar krizën në kufirin amerikan. Por gjatë një inerviste për kanalin CNN, Mayorkas nuk pranoi ta quante situatën në kufi një "krizë", duke thënë vetëm se është një "situatë tronditëse" dhe një "sfidë e jashtëzakonshme".

"Unë në asnjë mënyrë nuk po i injorojë vuajtjet njerëzore që ajo (situata në kufi) paraqet, por dua të jem i qartë se ne kemi një plan për ta trajtuar atë", tha ai.

Zoti Mayorkas tha se 600 punonjës të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, përfshirë Rojet Bregdetare, janë dislokuar në Del Rio. Ai tha se ka kërkuar ndihmën e Departamentit të Mbrojtjes në atë që mund të jetë një nga dëbimet më të shpejta në shkallë të gjerë të emigrantëve dhe refugjatëve nga Shtetet e Bashkuara në dekada.

Duke folur nga qyteti i Del Rios të hënën, Mayorkas paralajmëroi haitianët të mos vijnë në SHBA, duke vënë në dukje se një zgjatje e përkohshme e mbrojtjes nga dëbimi për haitianët deri më 29 korrik, nuk vlenë më për migrantët e rinj.

“Nëse vini në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, do të dëboheni. Udhëtimi juaj nuk do të ketë sukses dhe ju do të rrezikoni jetën tuaj dhe jetën e familjeve tuaja", tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG