Lidhje

Gjykata: Rusia përgjegjëse për vrasjen e Litvinenkos


Në një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut të publikuar të martën thuhet se Rusia është përgjegjëse për vrasjen e një ish-oficeri të KGB-së në Londër në vitin 2006.

Alexander Litvinenko vdiq tre javë pas helmimit me një substancë radioaktive (polonium-210) e cila i ishte hedhur në çaj. Britania ka fajësuar prej kohësh Moskën lidhur me sulmin, i cili i çoi marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin më të ulët që pas Luftës së Ftohtë.

Po Rusia ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në vdekjen e kritikut të Kremlinit që vdiq në moshën 43-vjeçare.

Një hetim i autoriteteve britanike doli në përfundimin në vitin 2016 se me gjasë Presidenti rus Vladimir Putin kishte miratuar një operacion zbulimi me synimin për të vrarë zotin Litvinenko.

Hetimi zbuloi gjithashtu se vrasja ishte kryer nga ish-truproja i KGB-së Andrei Lugovoy dhe një tjetër shtetas rus, Dmitry Kovtun dhe se me gjasë operacioni ishte drejtuar nga Shërbimi Federal rus i Sigurisë (FSB).

Pesë vjet më vonë edhe Gjykata Evropiane e Drejtave të Njeriut u pajtua me gjetjet e këtij hetimi.

Gjykata konstatoi se vrasja u krye nga zoti Lugovoy dhe zoti Kovtun. Por të dy këta të fundit kanë mohuar përfshirjen në këtë ngjarje.

Të martën, zoti Lugovoy i tha agjencisë së lajmeve Reuters se vendimi ishte “i motivuar politikisht” dhe “një budallallëk i madh”.

Në vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut thuhet gjithashtu se shteti rus ishte fajtor për vrasjen e ish-oficerit të KGB-së.

XS
SM
MD
LG