Lidhje

OKB, Presidenti Biden thekson nevojën për unitet përballë sfidave globale


Me premtimin për një "diplomaci agresive" dhe zotimin për të mos kërkuar "një Luftë të re të Ftohtë", Presidenti amerikan Joe Biden shfrytëzoi fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB -së të martën për të promovuar një axhendë globaliste. Udhëheqësi i forcës më të madhe ushtarake në botë tha se “fuqia ushtarake amerikane duhet të jetë mjeti ynë i fundit, jo i pari".

Presidenti Biden, duke zënë për herë të parë vendin e tij si kryetar shteti para foltores spikatëse prej mermeri të gjelbër të OKB-së, gjithashtu shfrytëzoi fjalimin e tij gjysëm orësh për të bërë thirrje për veprime agresive kundër COVID-19ës dhe ndryshimit të klimës.

"Kjo është një çështje qartësisht urgjente me të cilën duhet të përballemi në agimin e asaj që duhet të jetë një dekadë vendimtare për botën tonë, një dekadë që do të përcaktojë të ardhmen tonë", tha zoti Biden.

"Ne si bashkësi globale, jemi të sfiduar nga kriza urgjente e që po afrojnë, por me mundësi të mëdha nëse do të kemi vullnet e vendosmëri për t'i shfrytëzuar ato".

Pa përmendur emrin e Kinës, rivalit kryesor të SHBA-së, Presidenti Biden tha gjithashtu se “Amerika nuk do të kërkojë përshkallëzim të konflikteve”.

Në një fjalim të mbajtur më parë, përpara Asamblesë së Përgjithshme, Sekretari i Përgjithshëm i OKB -së Antonio Guterres tha se sfidat e mëdha që lidhen me ekonominë e zhvillimin, janë të "pamundura të trajtohen nëse dy ekonomitë më të mëdha të botës janë në konflikt me njëra-tjetrën".

"E them sërish, ne nuk po kërkojmë një Luftë të re të Ftohtë ose një botë të ndarë", tha Presidenti Biden. “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me çdo komb që ndërmerr hapa për një zgjidhje paqësore të sfidave të përbashkëta, edhe nëse ka mosmarrëveshje të forta në fusha të tjera, kjo sepse të gjithë do të vuajmë pasojat e dështimit tonë nëse nuk bashkohemi për të trajtuar kërcënimet urgjente sikurse COVID-19, ndryshimet klimatike apo kërcënimet e vazhdueshme që lidhen me përhapjen e armëve bërthamore", tha zoti Biden.

Gjatë fjalimit të tij zoti Biden i doli në mbrojti vendimit që shkaktoi debate, mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani pas 20 vitesh atje. Ndërkohë Shtëpia e Bardhë ka thënë se ata nuk kanë "asnjë nxitim" për të njohur qeverinë talebane.

"Jam këtu sot, për herë të parë pas 20 vitesh, me Shtetet e Bashkuara që nuk janë më në luftë", tha Presidenti Biden. "Ne kemi hapur një kapitull të ri".

Fjala e Presidentit Biden të martën ishte një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj doktrinës "Amerika e Parë" e paraardhësit të tij, Donald Trump.

"Ndërsa shohim përpara, ne do të udhëheqim në të gjitha sfidat më të mëdha të kohës sonë, nga COVID-i tek klima, paqja e siguria, dinjiteti njerëzor e të drejtat të njeriut. Por ne nuk do ta bëjmë këtë vetëm. Ne do të udhëheqim së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, në bashkëpunim me të gjithë ata që sikurse ne besojnë se, na takon ne të përballemi me këto sfida, për të ndërtuar një të ardhme dhe për të ruajtur planetin".

Asambleja vjetore e OKB-së që mbahet në Nju Jork është padyshim skena më e madhe globale të cilën udhëheqësit e shfrytëzojnë për të trajtuar tema me interes global e rajonal. Këtë vit, vetëm rreth 100 krerë shtetesh njoftuan se do të merrnin pjesë fizikisht. Udhëheqësit e Kinës, Iranit, Egjiptit dhe Somalisë janë në mesin e një grupi të vogël vendesh, të cilët vendosën që të japin mesazhe të regjistruara më parë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG