Lidhje

Nderimi i të persekutuarve në Mursi të Sarandës


Mursia, një zonë kufitare me Greqinë, gjatë viteve të regjimit komunist përjetoi persekutime të rënda të banorëve të saj. Dhjetëra persona nga ky fshat bënë mbi një mijë vite burg ndërsa pati pushkatime, humbje jetësh në burgje dhe interrnime të familjeve. Banorët i nderojnë çdo vit familjarët e tyre në një memorial në qendër të fshatit.

Nderimi i të persekutuarve në Mursi të Sarandës
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:32 0:00

Banorët e Mursisë, një fshati të vogël buzë kufirit me Greqinë, mblidhen çdo vit para një memoriali në nderim të të persekutuarve nga regjimi komunist. Bilanci është tragjik për një fshat të vogël ku dhjetëra banorë vuajtën burgje dhe internime. Lefter Rubija thotë se 32 të burgosur nga ky fshat vuajtën mbi një mijë vite burg.

“27 familje të tjera u internuan, 40 banorë u arratisën dhe 9 persona humbën jetën në burgje dhe internime. Ka qenë një bilanc tragjik për fshatin tonë që e bën atë nga zonat më te persekutuara të Shqipërisë”.

Kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë Antikoministë Nebil Çika tha se ky fshat është një nga simbolet e qëndresës antikomuniste në Shqipëri.

“Gratë dhe burrat e këtij fshati u përndoqën kur të tjerët ulën kokën ose më tepër bashkëpunuan me diktaturën komuniste. Qëndresa e tyre është ajo që nderojmë sot. Ata ishin antikomunistë, ata ishin demokratë, ata ishin për Shqipërinë e lirë dhe demokratike. Për këtë u persektuan”.

Shumë prej personave nuk u janë gjetur eshtrat, tha më tej zoti Çika, dhe është detyrë e autoriteteve të bëjnë hetime.

Andrea Gjika thotë se babain dhe xhaxhain e tij i pushkatoi regjimi komunist dhe pesë vëllezërit kaluan pesë interrnime në kampe të ndryshme të Shqipërisë.

“Na dërguan në Krujë, atje na e morën dhe e vranë babanë. Pasi e vranë nuk na treguan, na thanë se vdiq. Na kthyen më Mursi pasi u vra babai dhe më pas na dërguan në interrnime pesë herë : në Krujë,në Cërrik të Elbasanit,në Dukat të Vlorës, në Valias të Tiranës.”

Edhe Jorgulla Mici thotë se babai i tij u dënua me 25 vite burg dhe kur doli nuk arriti ti njihte fëmijët e tij. Jeta më pas ishte plot persekutime dhe vuajtje, thotë Jorgulla.

“Babai u dënua 25 vite burg dhe kur erdhi nga vuajtja e dënimit nuk na njohu ne fëmijëve. Djalë i ri, i varfri kur ra në burg, dhe doli prej andej pas shumë vitesh. I humbën rininë, i humbën dhëndërrinë, i humbën mirësinë dhe i humbën zotësinë se ishte i zgjuar dhe i ditur babai. Të gjithë këta që janë në memorial ishin më të diturit ,më të zgjuarit , dhe ata morën nëpër burgje”.

Ndërsa Antigoni Diamanti thotë se dëshmitë, sidomos të grave që vuajtën në internime, ishin të dhimbshme.

“E kisha fqinje. E kishte emrin Aleksandra Danga. Ajo u persekutua pasi djali që donte u arratis dhe nuk u kthye më. Nga i fejuari u interrnua në Savër të Lushnjës. Më ka thënë shumë gjëra të saj dhe nuk do ia harroj vuajtjet që më ka rrëfyer se ishim derë më derë me shtëpitë dhe flisnim shpesh pasi u kthye nga interrnimi”.

Banorët e Mursisë të prekur nga persekutimet, megjithëse shumë bashkëfshatarë të tyre dolën dëshmitarë gjatë regjimit, thonë se kanë kalur në mirëkuptim dhe paqe me familjet e tyre pas përmbysjes së regjimit. Por sipas tyre krimet e komunizmit duhet të mos harrohen dhe burrat dhe gratë që sakrifikuan meritojnë nderimin e përjetshëm.

XS
SM
MD
LG