Zyrtarët rusë bënë të ditur se një person i armatosur hapi zjarr të hënën në një universitet, duke shkaktuar vdekjen e gjashte personave dhe plagosjen e 28 të tjerëve.
Sipas Ministrisë së Brendshme, autori i dyshuar i sulmit ishte plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri me policinë dhe më pas ishte arrestuar. Ende nuk ka informacione në lidhje me identitetin, apo motivet e mundshme.
Gjatë sulmit, studentët dhe stafi pedagogjik i Universitetit Shtetëror të Permitit, ishin mbyllur brenda klasave. Në disa pamje filmike të postuara nga mediat ruse, shfaqeshin studentë që hidheshin nga dritaret e katit të dytë.
Komiteti Hetues i Rusisë, që përfaqëson autoritetin kryesor që merret me hetimet në këtë vend, njoftoi se personi i armatosur dyshohet se ka qëlluar me një armë gjahu.
Edhe pse ligjet mbi armët e zjarrit janë të rrepta në Rusi, shumë vetë marrin leje për armë gjuetie. Duke iu referuar burimeve zyrtare, mediat ruse bënë të ditur se i dyshuari kishte leje për armë gjahu, por nuk ishte e qartë se çfarë lloj arme kishte përdorur ai gjatë sulmit.
Autoritetet e universitetit, i cili ka 12,000 studentë të regjistruar, bënë të ditur se gjatë incidentit në kampus ndodheshin rreth 3,000 persona. Shkolla ndodhet në Permit, një qytet rreth 1,100 kilometra në lindje të Moskës dhe me një popullsi prej rreth 1 milion banorësh.
Sipas Komitetit Hetues gjatë sulmit ishin plagosur 28 persona, disa prej të cilëve u dërguan në spital. Por zyrtarët nuk dhanë më shumë detaje. Ministria e Shëndetësisë tha se 19 persona ishin plagosur me armë zjarri, por nuk është e qartë se si u plagosën personat e tjerë.
Në muajin maj, një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë në qytetin e Kazanit, duke vrarë shtatë nxënës dhe dy mësues, me një armë të regjistruar.