Njëra palë është e inkurajuar nga perspektiva e zgjerimit më të madh të programeve të qeverisë që nga Marrëveshja e Re gati një shekull më parë, ndërsa tjetra ka frikë të zgjerojë në mënyrë dramatike zgjerimin me kosto të lartë të qeverisë.
Të dyja palët i përkasin partisë demokrate në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, secila palë ka një qasje shumë të ndryshme në lidhje me drejtimin që duhet të marrë projektligji i buxhetit me vlerë 3.5 trilionë dollarësh në Kongres.
Partia demokrate përsëri po ballafaqohet me përparësitë politike konkurruese të krahut të saj progresiv dhe atij të moderuar. Versioni i projektligjit të buxhetit, i hartuar këtë javë nga Dhoma e Përfaqësuesve i hapi rrugën një debati të ri që mund të vë në provë aftësinë e demokratëve për të përfshirë në projektligj premtimet e tyre të guximshme të bëra gjatë fushatës zgjedhore për çështjet si pabarazia në të ardhura dhe ndryshimet klimatike.
Çdo pengesë mund të ketë pasoja serioze për perspektivën e partisë demokrate në zgjedhjet e ardhshme të mesmandatit, në të cilat ajo do të përpiqet të parandalojë rënien e Kongresit në duart e republikanëve.Versioni përfundimtar i projektligjit mund të zemërojë centristët që thonë se kostoja e tij është shumë e lartë, ose mund të zhgënjejë demokratët e krahut të majtë që argumentojnë se është i pamjaftueshëm në një moment me pasoja të mëdha.
"Kjo është shumë e rëndësishme për demokratët dhe për mesazhin e tyre në zgjedhjet e vitit të ardhshëm", tha ish-ligjvënësi veteran i Nju Jorkut, Joe Crowley, i cili u mposht në zgjedhjet paraprake të vitit 2018 nga ylli progresiv i demokratëve, Alexandria Ocasio-Cortez. "Ne jemi shumë afër vitit 2022 (në nëntor 2022 do të mbahen zgjedhjet e mesmandatit)."
Crowley tha se "nuk kam patur asnjëherë mundësinë në 20 vitet e mia në detyrë" të merrja në shqyrtim një projektligj që parashikonte triliona dollarë në shpenzime.
Megjithatë, ai tha se pavarësisht kostos përfundimtare, "Le të mos e harrojmë faktin se ky projektligj do të jetë transformues."
Me republikanët që në përgjithësi e kundërshtojnë projektligjin, udhëheqësit demokratë kanë një rrugë të ngushtë për ta miratuar atë në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë dhe një shumicë të thjeshtë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Shumë demokratë janë dakord me objektivat e përfshira në projektligj, si kujdesi për fëmijët dhe arsimi falas në unversitetet dy vjeçare, pushimet familjare të paguara për punonjësit dhe luftimi i ndryshimit të klimës. Demokratët gjithashtu synojnë të zgjerojnë kujdesin shëndetësor dhe të krijojnë një rrugë drejt shtetësisë për miliona imigrantë të paligjshëm në vend.
Por ka dallime mbi koston për trajtimin e këtyre çështjeve.
Senatori Joe Manchin nga Virxhinia Perëndimore dhe senatorja Kyrsten Sinema nga Arizona, të cilët u takuan me Presidentin Joe Biden të mërkurën, kanë kundërshtuar koston prej 3.5 trilionë dollarësh.
Ndërkohë, demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë propozuar një rritje të normës së të taksave ndaj korporatave në 26.5% për të ndihmuar në mbulimin e kostos. Kjo është më e ulët se norma 28%, që ka kërkuar Presidenti Biden. Por, senatori Manchin ka kërkuar një normë edhe më të ulët, prej 25% të taksave ndaj korporatave.
Ekzistojnë dallime edhe në trajtimin e fitimeve kapitale - fitimet që një investitor merr kur shet një pasuri që është rritur në vlerë.Në vend që të merrte parasysh kërkesën e presidentit për të rritur normën më të lartë prej 20% të fitimeve kapitale në 39.6%, duke e sjellë atë në përputhje me të ardhurat normale, projektligji do ta rriste normën në vetëm 25%. Propozimi i Dhomës së Përfaqësuesve përfshin një taksë shtesë prej 3% mbi të ardhurat mbi 5 milionë dollarë, duke krijuar atë që përbën një tjetër ndarje tatimore për amerikanët me fitime jashtëzakonisht të larta.
Presidenti Biden mbështet rritjen e taksave për ata që fitojnë të paktën 400,000 dollarë në vit, edhe pse disa demokratë të krahut progresiv kanë thënë se ata duan që ky prag të jetë më i ulët.
"Ne nuk do të rrisim taksat për ata që fitojnë më pakë se 400,000 dollarë në vit", tha presidenti të enjten. "Disa nga miqtë e mi liberalë po thonë se taksta duhet të rriten për ata që fitojnë më pak se kaq", shtoi ai.
Ndërsa dallimet e tilla janë teknike, ato përfaqësojnë një dëshirë në mesin e shumë udhëheqësve demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve për të mbrojtur anëtarët e tyre më të kërcënuar në distriktet e moderuara nga sulmet e kundështarëve republikanë se ata mbështesin rritjen e taksave dhe shpenzime masive.
Demokratët janë përballur me këto dallime edhe në të kaluarën. Ndarja mes krahut progresivë dhe atij të moderuar dominoi fazat e hershme të zgjedhjeve paraprake presidenciale të partisë demokrate në vitin 2020, kur senatori Sanders nga Vermonti përfaqësonte fuqishëm krahun e majt të partisë.
Por, në fund partia demokrate u bashkua rreth zotit Biden, pjesërisht për shkak të një dëshire urgjente për t’u bashkuar rreth një kandidati me mbështetje më të gjërë, i cili do të ishte në gjendje të fitonte ndaj Presidentit të atëhershëm, Donald Trump.