Lidhje

Propozimi 3.5 trilionë dollarësh i Presidentit Biden dhe ndryshimet klimatike 


President Joe Biden speaks about recent wildfires, at Sacramento Mather Airport, in Mather, Calif., Sept. 13, 2021.
President Joe Biden speaks about recent wildfires, at Sacramento Mather Airport, in Mather, Calif., Sept. 13, 2021.

Presidenti amerikan Joe Biden thotë se moti ekstrem i shkaktuar nga ndryshimi i klimës po e vendos Amerikën në një situatë të rëndë. Ai po bën thirrje që trajtimi i kësaj çështjeje të përfshihet në dy propozimet e tij masive prej triliona dollarësh që po shqyrtohen nga Kongresi. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim rrezikut nga ndryshimet klimatike për Shtetet e Bashkuara dhe përpjekjet për miratimin e projektligjeve.

Propozimi 3.5 trilionë dollarësh i Presidentit Biden dhe ndryshimet klimatike
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Zjarre masive.Uragane të fuqishme. Përmbytje të mëdha.

“Këto nuk janë imagjinare”, tha Presidenti amerikan Joe Biden.Moti po ndryshon në mënyra të frikshme dhe të paparashikueshme, me uragane, përmbytje dhe zjarre masive që po shkatërrojnë shumë zona në Shtetet e Bashkuara.

Këtë javë, ai po viziton zonat e prekura nga zjarri, duke theksuar pasojat e ndryshimit të klimës për popullin amerikan.

"Moti ekstrem i kushtoi Amerikës 99 miliardë dollarë vitin e kaluar. Dhe këtë vit, për fat të keq, ne do ta thyejmë këtë rekord. Kjo është një humbje e rëndë për ekonominë tonë dhe për kaq shumë komunitete", tha Presidenti Biden.

Zgjidhja e tij për këtë është një plan shpenzimesh prej 3.5 trilionë dollarësh, i cili, ndër të tjera, përfshin edhe rritjen e investimeve në prodhimin e energjisë së pastër dhe makinave elektrike për të zvogëluar varësinë e vendit në industritë që shkaktojnë ndotje.

Projektligji është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve, por tani ai duhet të miratohet nga Seanti. Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit po e ndjekin me vëmendje këtë zhvillim, duke shprehur shqetësimin se projektligjet e tilla përfshijnë fonde për çështje të tjera të debatueshme që mund të ngadalësojnë miratimin e tyre nga Kongresi.

“Këto projektligje nuk përfshijnë vetëm çështjen e ndryshimit të klimës, por edhe një sërë programesh sociale. Ne nuk e dimë se si do të përfundojnë ato. Në fund, mbështetësit e energjisë së pastër, ata të programeve sociale, ose të dyja grupet mund të jenë ato që do të zhgënjehen", thotë Will Thomas nga Instituti Amerikan i Fizikës.

Por, aktivistët e mbrojtjes së mjedisit thonë se ndryshimi i klimës është një çështje urgjente sepse disa pjesë të vendit tashmë janë duke vuajtur nga pasojat e zjarreve.

“Siç e pamë verën e kaluar dhe në dy vitet e fundit, fatkeqësitë natyrore në të gjithë vendin janë duke u përkeqësuar, përfshirë zjarret në perëndim dhe uraganet në Gjirin e Meksikës. Të dhënat e publikuara nga institutet tona shkencore thonë se ndryshimi i klimës po ndodh dhe po vazhdon të përkeqësohet. Dhe ne kemi një dritare shumë të vogël për të vepruar dhe përmbysur pasojat e këtij ndryshimi”, thotë Danielle Arostegui nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit.

Kundërshtarët e projektligjit ngrenë një numër kundërshtimesh, përfshirë argumentin se ekzistojnë rrugë me kosto më të ulëta për të nxitur prodhimin e energjisë së gjelbër, se industritë tradicionale si ajo e prodhimit të qymyrit do të humbisnin shumë vende të punës, dhe se kostoja e projektligjit është shumë e lartë.

"Nuk është e vështirë të shihet se një borxh prej tre ose katër trilionë dollarësh nuk është i mirë për qeverinë federale. Unë mendoj se kjo do ta çonte vendin më afër një krize financiare. Duhet të kujtojmë se 10 vjet më parë, shumë vende si Greqia dhe Italia u futën në kriza serioze qeveritare, financiare dhe ekonomike, sepse qeveritë e këtyre vendeve morën hua të mëdha. Kam frikë se Shtetet e Bashkuara po shkojnë në të njëjtin drejtim", tha Chris Edwards nga Instituti Cato.

Megjithatë, Presidenti Biden thotë se është i vendosur ta miratojë këtë projektligj pavarësisht pengesave në Kongres. Republikanët janë të bashkuar në opozitë, madje disa ligjvënës demokratë kanë ngritur dyshime për koston e projektligjit.

Në javët e ardhshme, Senati do të vendosë për fatin e projektligjit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG