Lidhje

Opozita ruse nën goditje por e vendosur para zgjedhjeve parlamentare


Autoritetet ruse ndërmorën një goditje të pashembullt kundër opozitës përpara zgjedhjeve parlamentare të këtij muaji, në mënyrë që që kritikët më të njohur dhe më të zëshëm të Kremlinit të mos mund të merrnin pjesë në në garë. Disa prej tyre u ndaluan të vinin kandidaturën në bazë të ligjeve të reja shtypëse, disa u detyruan të largohen nga vendi, pas kërcënimeve për ndjekje penale, ndërsa të tjerë u burgosën.

Opozita ruse nën goditje por e vendosur para zgjedhjeve parlamentare
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:34 0:00

Marina Litvinovich, një aktiviste për të drejtat e njeriut, kandidate për deputete, është një nga kritikët e paktë të Kremlinit që u lejua të kandidojë.

"Kur mendon se ndoshta nesër mund të ndalohesh nga gara ose të vihesh në shënjestër të një bastisjeje, ose një hetimi kriminal, është mjaft e vështirë të ndjehesh e lirë në një mjedis të tillë dhe të ecësh përpara, por ne po përpiqemi ta kapërcejmë atë ndjenjë dhe të ecim përpara gjithsesi”, i tha ajo agjencisë Associated Press.

Zonja Litvinovich ishte për një kohë të gjatë anëtare e Komisionit të Monitorimit Publik të mbështetur nga shteti që vëzhgonte trajtimin e të burgosurve dhe të paraburgosurve, por u shkarkua pasi ekspozoi abuzimet lidhur me aleatët e burgosur të Alexei Navalny-t.

Ajo vendosi të kandidojë në një qark të Moskës në vend të Yulia Galyaminas, një politikane e njohur që u dënua në një çështje penale vitin e kaluar dhe iu ndalua të kandidojë.

"I shkatërruan të gjithë ata që kishin peshë si lojtarë të mundshëm politikë," thotë zonja Litvinovich.

Një tjetër kritik i njohur i Kremlinit, ish -ligjvënësi Dmitry Gudkov, u arrestua për pak kohë në qershor së bashku me tezen e tij nën akuzat për mashtrim. Ai u largua nga vendi sapo u lirua.

Zoti Gudkov tha se kishte planifikuar të kandidonte në qark të Moskës kundër një kandidati të Rusisë së Bashkuar me një mbështetje shumë më të ulët, por autoritetet e detyruan të linte garën.

"Ata morën tezen time, pretenduan se kishte një borxh gjashtëvjeçar për një bodrum me qera, më përfshinë edhe mua në këtë rast, na arrestuan të dy për dy ditë dhe ma bënë të qartë se nëse nuk hiqja dorë nga gara dhe nuk ikja nga vendi, do të më burgosnin mua dhe tezen time”, tha zoti Gudkov për agjencinë Associated Press.

Navalny, kritiku më i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, po vuan një dënim prej 2 vjetësh burg për shkeljen e lirimit me kusht për një dënim që ai thotë se ishte i motivuar politikisht.

Kjo pasoi kthimin e tij në Rusi nga Gjermania, ku ai u trajtua për një helmim nga një agjent nervor për të cilin ai ka fajësuar Kremlinin që e mohon një gjë të tillë.

Aleatët kryesorë të zotit Navalny u dënuan me akuza penale, dhe Fondacioni i tij për Luftën kundër Korrupsionit, si dhe një rrjet zyrash rajonale, janë nxjerrë jashtë ligjit si organizata ekstremiste.

Zgjedhjet janë vendimtare sepse Kremlini do që të ketë kontroll të plotë mbi parlamentin e ardhshëm, thonë politikanët e opozitës dhe analistët politikë.

"Është shumë e rëndësishme për Kremlinin që të mos ketë asnjë pengesë, domethënë, që të jetë i sigurt se Parlamenti do të votojë për çdo opsion që të propozojë Putini – qoftë një reformë tjetër kushtetuese, apo një kabinet i ri", thotë analisti politik Abbas Gallyamov.

Duma Shtetërore e zgjedhur këtë vit do të jetë ende në fuqi në vitin 2024, kur të skadojë mandati aktual i zotit Putin, dhe ai duhet të vendosë nëse do të kandidojë përsëri për rizgjedhje apo do të zgjedhë ndonjë strategji tjetër për të qëndruar në pushtet.

"Putinit i pëlqen të mbajë një lloj pasigurie dhe të marrë vendime në minutën e fundit. Askush nuk do ta dijë deri në minutën e fundit se çfarë do të bëjë në vitin 2024. A do të hyjë në garë vetë edhe një herë apo do të prezantojë një pasardhës?” thotë zoti Gallyamov.

Po aq e rëndësishme është të shmanget rreziku që parlamenti të mbështesë ndonjë protestë të mundshme në vitin 2024, thotë zoti Gallyamov, sepse një institucion i zgjedhur drejtpërdrejt që kundërshton Kremlinin së bashku me demonstruesit mund ta çojë konfliktin në një nivel tjetër.

Grupet e opozitës pranojnë se Kremlini u ka lënë pak mundësi dhe burime përpara zgjedhjeve të 19 shtatorit.

Por ata vazhdojnë të shpresojnë që të dobësojnë dominimin e partisë në pushtet Rusia e Bashkuar në parlament.

Pavarësisht nga goditjet, ekipi i zotit Navalny ende planifikon të vërë në zbatim strategjinë për Votim të Zgjuar - një projekt i krijuar për të mbështetur kandidatët që kanë më shumë gjasa të mposhtin kandidatët e Rusisë së Bashkuar.

Në vitin 2019, Votimi i Zgjuar ndihmoi kandidatët e opozitës të fitonin 20 nga 45 vendet në këshillin bashkiak të Moskës, dhe në zgjedhjet rajonale vitin e kaluar, Rusia e Bashkuar humbi shumicën në legjislaturat e tre qyteteve.

"Po natyrisht asnjë nga kandidatët tanë nuk u lejua (të kandidojë në zgjedhje). Votimi i Zgjuar është një strategji për ndikim zgjedhor në kushtet kur kandidatët tanë nuk janë të pranishëm në zgjedhje. Për këtë qëllim është krijuar, "thotë Leonid Volkov, aleati kryesor i udhëheqësit të opozitës të burgosur Alexei Navalny për agjencinë Associated Press.

Autoritetet burgosën gjithashtu Andrei Pivovarovin, udhëheqësin e grupit opozitar Rusia e Hapur të financuar nga manjati rus Mikhail Khodorkovsky.

Rusia e Hapur u shpall e jashtëligjshme.

Në një kthesë të papritur, Pivovarov u lejua të kandidonte për partinë liberale Yabloko edhe pse do të jetë në qeli ditën e zgjedhjeve.

Aleatët e tij thonë se do të jetë e pamundur që ai të fitojë, por ata vendosën të vazhdojnë me fushatën dhe betejën kundër Rusisë së Bashkuar.

"Andrei kishte si synim që sa më shumë njerëz të kuptonin se ata nuk duhet të votojnë për Rusinë e Bashkuar, se zgjedhjet janë të padrejta," tha aleatja kryesore e zotit Pivovarov, Tatyana Usmanova për agjencinë Associated Press.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG