Lidhje

Kancelarja gjermane, Merkel, takon kryeministrat e Ballkanit Perëndimor gjatë një vizite në Shqipëri


Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, takoi sot 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor gjatë një vizite në Shqipëri, ku u diskutua për ecurinë e Procesit të Berlinit, integrimin e tyre europian dhe atë rajonal.

Zonja Merkel vlerësoi përparimin e Tiranës dhe Shkupit me plotësimin e detyrave të integrimit në BE, si dhe nismën për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Ajo tha se bashkëpunimet rajonale janë të mirëpritura në rrugën e integrimit.

Ndërsa kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës shprehën pikëpamjet e ndryshme mbi Nismën e Ballkanit të Hapur.

Kancelarja gjermane, Merkel, takon kryeministrat e Ballkanit Perëndimor gjatë një vizite në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:41 0:00

Kancelarja Merkel zhvilloi një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, më pas një takim dypalësh mes dy delegacioneve shtetërore.

Zonja Merkel zhvilloi një drekë pune me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq Kryeministrin e Bosnje - Hercegovinës, Zoran Tegeltija, Kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç si dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në mjediset e Tirana Business Park.

Ajo pati një drekë pune dhe takime më vete me secilin prej 6 kryeministrave, pas konferencës së shtypit me kryeministrit Rama, ku vlerësoi reformën e sistemit gjyqësor të Shqipërisë si dhe përparimin e Tiranës dhe Shkupit drejt Bashkimit Europian.

Kancelarja gjermane tha se Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit.

“Për fat të keq, kjo nuk u realizua gjatë kryesimit të Këshillit nga Gjermania për shkak të vetos së Bullgarisë, por Gjermania ka premtuar se do të jemi pranë këtij procesi, sepse në të është harxhuar shumë energji. Kur konstatohet përmbushja e kushteve nuk ka arsye pse hapja e negociatave të shtyhet. BE duhet të mbajë premtimet e dhëna për Ballkanin Perëndimor dhe i mirëkuptoj padurimin dhe zhgënjimin në rajon nga vonesat në hapjen e negocatave.” - theksoi zonja Merkel.

Nga Procesi i Berlinit, që nis në vitin 2014 e deri sot shumëçka ka ndryshuar në bashkëjetesën mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, shoqëria civile, organizatat rinore, shkencëtarët dhe udhëheqësit e tyre takohen shpesh, tha ajo.

Bashkëpunimi në gjithë këto fusha është forcuar në mënyrë të vazhdueshme, shtoi Kancelarja Merkel.

Ajo përshëndeti projektin për Tregun e Përbashkët Rajonal, ku jo të gjithë po bashkëpunojnë në të njëjtin nivel, por sa më shumë të bashkëpunojnë vendet aq më mirë do të ecë edhe Procesi i Berlinit.

“Procesi i Berlinit nuk zëvendëson procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Negociatat e anëtarësimit zhvillohen për secilin vend” - theksoi zonja Merkel.

Vendet kanë statuse të ndryshme lidhur me këtë, sipas saj: disa vende janë duke pritur konferencat ndër-ministrore, disa të tjerë kanë hapur kapituj anëtarësimi, dikush nuk ka bërë ende një kërkesë për anëtarësim, pra janë në shkallë të ndryshme.

Në secilën shkallë që gjendet çdo vend nevojiten energji dhe bashkëpunimi rajonal është shumë i dobishëm në këtë fazë, ndërkohë që priten projekte kombëtare e ndërkombëtare, thotë kancelarja Merkel.

Ajo përmendi projekte të rëndësishme infrastrukturore, në të cilat shihen tani rezultatet e para. Po ashtu është folur për nisjen e punimeve të autostradës së paqes, edhe zbatimin e marrëveshjeve për mbrojtjen e klimës pasi këto vende të bëhen pjesë e BE-së.

Lidhjeve midis Procesit të Berlinit dhe Nismës Open Balkan iu kthye disa herë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas tij, Nisma Open Balkan nuk zëvendëson Procesin e Berlinit, por është bijë e tij, që përshpejton integrimet rajonale dhe europiane.

Zoti Rama tha se edhe konfliktet e trashëguar me vite e vite, nën atmosferën e Procesit të Berlinit kanë më shumë mundësi zgjidhjeje, ndaj ishin të mirëpritura edhe vende të tjera të përfshihen në Nismën Open Ballkan.

“Open Ballkan është pjellë e Procesit të Berlinit, nuk është një alternativë e Procesit të Berlinit, as nuk është nismë në kontradiktë me Procesin e Berlinit. Open Balkan është, as më shumë e as më pak, një mekanizëm për ta përshpejtuar Procesin e Berlinit. Nuk ka Open Balkan asgjë që të kontradiktojë me Procesin e Berlinit, përkundrazi” - u shpreh zoti Rama.

Por Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha për shtypin pas takimit me Kancelaren Merkel se Procesi i Berlinit është edhe korniza edhe rruga për integrimin e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Sipas tij, Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë dhe i thellë që të mos ketë nevojë për variante të tjera alternative.

“Në bisedat që pata unë theksova se nuk duhet të ketë fonde europiane në Ballkanin Perëndimor pa vlera europiane. Për vendet e rajonit nevojiten sundimi i ligjit, që të veprojë kundër korrupsionit dhe oligarkëve; së dyti demokratizimi, kryesisht për mediat e pavarura dhe kundër autokratëve; së treti ballafaqimi me të kaluarën, që të mos ketë në liri kriminelë të luftës në pushtet dhe së katërti reciprociteti i të drejtave të pakicave. Krimet e kryera gjatë luftës nuk do t’i harrojmë kurrë dhe nuk do të ndalemi asnjëherë për të kërkuar drejtësi për to. Presidenti i Serbisë 3 javë më parë mohoi masakrën e Reçakut në Kosovë, që u krye nga forcat serbe më 15 janar 1999. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe mospranimi i krirmeve të Serbisë nuk janë dy gjëra të ndryshme” - deklaroi zoti Kurti.

Kancelarja gjermane vizitoi një ditë më parë Beogradin dhe sot Tiranën, duke treguar edhe një herë tjetër në fund të mandatit të saj si kancelare mbështetjen e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian si dhe për zhvillimin e tij.

Gjatë vizitës në Beograd, Kancelarja Merkel u shpreh edhe për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë, si një kusht për anëtarësimin në BE të Serbisë.

Zonja Merkel u bë 7 vjet më parë, në gusht 2014, nismëtare e Procesit të Berlinit, i cili përfshiu 6 vendet e Ballkanit Perëndimor në një përpjekje të përbashkët për të përspejtuar integrim e tyre në Bashkimin Europian.

Procesi i Berlinit synon të normalizojë dhe rigjallërojë marrëdhëniet rajonale në fushat e infrastrukturës, ekonomisë si dhe shkëmbmeve rinore, përmes reformave, zgjidhjes së çështjeve dypalëshe dhe pajtimi mes shoqërive të rajonit.

Disa nga rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit janë korridoret e gjelbra të transportit ndërkufitar, marrëveshja për një treg të përbashkët, heqja e çmimeve të telefonisë roaming mes vendeve dhe rritja e bashkëpunimit mes të rinjve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG