Lidhje

Demokratët propozojnë rritjen e taksave ndaj korporatave


Richard Neal, D-Mass.
Richard Neal, D-Mass.

Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve paraqitën një propozim gjithëpërfshirës të hënën për rritjen e taksave ndaj korporatave të mëdha dhe amerikanëve të pasur për të financuar planin 3.5 trilionë dollarësh të Presidentit Joe Biden për rindërtimin e vendit. Masa vjen ndërsa Kongresi po intensifikon përpjekjet për të miratuar paketën e gjerë që prek pothuajse të gjitha aspektet e jetës në vend.

Niveli i propozuar i taksave do të kthente normën prej 39.6% për çiftet me të ardhura mbi 400,000 dollarë në vit, dhe do të vendoste një taksë prej 3% për amerikanët më të pasur, me të ardhura mbi 5 milionë dollarë në vit. Për bizneset e mëdha, propozimi do të rriste normën e taksës së korporatës nga 21 në 26.5% për të ardhurat mbi 5 milionë dollarë.

Në tërësi, kjo rritje e taksave është në përputhje me propozimet e Presdentit Biden dhe do të sillte ndryshimet më thelbësore në kodin tatimor që nga viti 2017, kur republikanët nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump ulën taksat. Grupet e biznesit dhe një numër organizatash pritet ta kundërshtojnë këtë propozim. Por demokratët po ecin përpara më planin e tyre.

Ligjvënësi demokrat Richard Neal, Kryetar i Komisionit të Taksave në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se të marra së bashku, propozimet "do të zgjerojnë mundësitë për popullin amerikan dhe do të mbështesin përpjekjet tona për të ndërtuar një të ardhme më të shëndetshme dhe më të begatë".

Është një punë e vështirë për Presidentin Biden dhe aleatët e tij në Kongres, të cilët po mbledhin forcat për të miratuar një nga buxhetet më masive të vendit. Axhenda e presidentit "Rindërtoje më Mirë" përfshin rritje të shpenzimeve për kujdesin e fëmijëve, kujdesin shëndetësor, arsimin dhe përballjen me ndryshimet klimatike. Ajo shihet si një nga nismat më të mëdha e gjithëpërfshirëse, që i ngjan nismës “Marrëveshja e Re” që pasoi Depresionin e Madh ekonomik të viteve 1930 në Shtetet e Bashkuara.

Senator Joe Manchin (D-WV)
Senator Joe Manchin (D-WV)

Një senator demokrat, vota e të cilit është jetike për fatin e projektligjit thotë se kostoja paketës do të duhet të ulet në 1 deri 1.5 trilionë dollarë për të marrë mbështetjen e tij.

Senatori demokrat nga Virxhinia Perëndimore, Joe Manchin paralajmëroi gjithashtu se nuk kishte "asnjë mënyrë" që Kongresi të përmbushte synimin e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, për miratimin e buxhetit deri në fund të shatorit, duke patur parasysh dallimet e tij të thella me demokratët liberalë mbi nivelin e shpenzimeve dhe mënyrën se si duhet paguar për to.

"Unë nuk mund të mbështes një paketë prej 3.5 trilionë dollarësh", tha senatori Manchin të dielën, duke theksuar kundërshtimin e tij ndaj propozimit për rritjen e normës së taksave ndaj korporatave nga 21 në 28% dhe shpenzimet e mëdha të reja për programet sociale.

Demokratët nuk mund të humbasin asnjë votë në radhët e tyre nëse duan të miratojnë projektligjin e rëndësishëm të Presidetit Biden, në Senatin e ndarë në mënyrë të barabartë 50-50, ku vota përcaktuese është në dorë të Nënpresidentes Kamala Harris. Udhëheqësit demokratë të Kongresit kanë vendosur si objektiv të mërkurën për hartimin e projektligjit nga komisionet përkatëse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG