Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të dëshmojë sot para një paneli të Kongresit që po shqyrton tërheqjen kaotike të ushtrisë amerikane nga Afganistani në fund të luftës 20 vjeçare, më e gjata në historinë amerikane.
Ligjvënësit republikanë në opozitë dhe disa demokratë të partisë së Presidentit Joe Biden, e kanë kritikuar mënyrën e tërheqjes së trupave, qytetarëve amerikanë dhe mijëra afganëve, që punuan për forcat amerikane si përkthyes dhe këshilltarë gjatë luftës.
Kritikat u bënë edhe më të ashpra pasi 13 pjesëtarë të ushtrisë amerikane humbën jetën gjatë një sulmi vetëvrasëse në aeroportin e Kabulit në ditët e fundit të tërheqjes.
Shteti Islamik-Khorasan, një degë afgane e grupit terrorist që vepron në Lindjen e Mesme, mori përgjegjësinë për sulmin.
Sekretari Blinken dëshmon të hënën para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme. Ndërsa të martën ai do të dëshmojë para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Anketat e opinionit publik në shkallë kombëtare tregojnë mbështetje të gjerë për vendimin e Presidentit Biden për t'i dhënë fund asaj, që ai e ka quajtur, një "luftë pa fund" në Afganistan, por jo mënyrën se si u zhvillua tërheqja.
Kryediplomati Blinken ka të ngjarë të përballet me pyetje të vështira, se pse SHBA nuk filloi evakuimin e qytetarëve amerikanë më herët, veçanërisht pasi zoti Biden njoftoi qëllimin e tij në prill për të respektuar marrëveshjen e ish-Presidentit Donald Trump me talebanët, për t'i dhënë fund luftës dhe për të tërhequr forcat amerikane.
Ligjvënësit gjithashtu kanë kritikuar agjencitë amerikane të zbulimit, për dështim në parashikimin e marrjes së shpejtë të Afganistanit nga talebanët dhe rënien e qeverisë afgane, ndërsa Presidenti Ashraf Ghani u largua papritmas duke kërkuar azil politik në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Republikanët thonë se duan t’i përqëndrojnë pyetjet e tyre tek puna e Presidentit Biden gjatë javëve dhe ditëve përfundimtare të luftës. Nga ana tjetër, demokratët shpresojnë të shqyrtojnë të gjitha përpjekjet e luftës amerikane nën drejtimin e katër presidentëve - republikanëve George W. Bush dhe Trump, dhe demokratëve Barack Obama dhe Biden.
Presidenti Bush e filloi luftën në Afganistan në fund të vitit 2001 për të zhdukur al-Kaidën, përgjegjëse për sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara. Rreth 3,000 njerëz u vranë në Shtetet e Bashkuara nga sulmet me aeroplanët e rrëmbyer nga terroristët.
Presidenti Biden e ka quajtur tërheqjen “sukses të jashtëzakonshëm” dhe mbrojti vendimin për t'i dhënë fund luftës amerikane në Afganistan, duke thënë se ai nuk do t'ia kalojë përgjegjësinë për menaxhimin e përfshirjes ushtarake amerikane një udhëheqësi të pestë amerikan.