Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes thotë se SHBA janë më të sigurta sot nga ç’ishin në vitin 2001


Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin thotë se Shtetet e Bashkuara janë tani më të sigurta se 20 vjet më parë. Duke folur në një intervistë me korrespondenten në Pentagon të Zërit të Amerikës, Carla Babb, në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 që vranë gati 3000 njerëz, Sekretari Austin tha se aftësitë mbrojtëse dhe goditëse të Shteteve të Bashkuara kanë evoluar dhe “janë rritur shumëfish”.

Sekretari Austin tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t'i "kushtojnë vëmendje" kërcënimeve ndërsa ato evoluojnë në Afganistan, por kjo përpjekje nuk do t'i pengojë SHBA-të të përqëndrohen tek kërcënimi në rritje, Kina.

Zëri i Amerikës: Zoti Sekretar, faleminderit shumë për bisedën sot me Zërin e Amerikës. Sot, 20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit, a janë Shtetet e Bashkuara më të sigurta se sa ishin në 11 shtator?

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin: Nëse shikoni vetëm aftësitë që kanë evoluar që nga viti 2001, për sa i përket aftësisë sonë për të mbledhur (informacion), analizuar dhe ndjekur kërcënimet e ndryshme në të gjithë globin, aftësitë tona janë rritur shumëfish. Aftësia jonë për të goditur është rritur disa herë. Ajo që është më e rëndësishme është se si qeveri, ne ndërveprojmë shumë më mirë me çdo agjenci përsa i përket aftësisë sonë për të shkëmbyer informacion, aftësisë sonë për t’u koordinuar dhe për të shmangur konfliktin. Pra, për shkak të të gjitha këtyre, do të thoja se, po, ne jemi më të sigurt.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për informacion, më lejoni të rikthehem tek tërheqja. Në prill, të dhënat e zbulimit tregonin se talebanët mund ta merrnin Kabulin rreth dhjetorit, në fund të dhjetorit, por deri në korrik ky afat kohor u afrua deri në fund të shtatorit. Pra, pse u befasuat kaq shumë kur ata morën kontrollin në mes të gushtit?

Sekretari Austin: Ajo që kemi themi është se ekzistonin vlerësime të zbulimit që parashtronin një sërë mundësish dhe ato ndryshuan me kalimin e kohës. Ne do t’u kthehemi dhe do t'i rishikojmë të gjitha këto gjëra në të ardhmen, ndërsa vlerësojmë ato që ndodhën dhe vlerësojmë gjërat që mundemi t'i bëjmë më mirë ndërmjet agjencive. Por, derisa ta përfundojmë këtë proçes, nuk do të rrezikoj të jap ndonjë lloj vlerësimi.

Zëri i Amerikës: Duke reflektuar, a mendoni se duhet të kishit ndalur tërheqjen kur filluat të merrnit të dhënat e zbulimit në korrik se kolapsi ishte më i afërt?

Sekretari Austin: Sërish, nuk dua të futemi në ndonjë hipotezë ose ndonjë lloj vlerësimi këtu. Mendoj se i detyrohemi vetes të bëjmë një vlerësim shumë të përgjegjshëm dhe të detajuar, jo vetëm për ushtrinë, por në të gjitha agjencitë.

Zëri i Amerikës: Kur po flisja me disa nga forcat e Divizionit të 10-të Malor, ata dëshironin që të shkonin në aeroportin e Kabulit. Shpresonin që të arrinin sa më shpejt në aeroport dhe të merrnin më shumë njerëz. A mendoni se evakuimi duhet të kishte filluar më herët?

Sekretari Austin: Sërish, mendoj se të rinjtë dhe të rejat tona që ishin pjesë e atij operacioni bënë një punë të jashtëzakonshme. Dhe unë mendoj se sapo ata mbërritën dhe pasi siguruan aeroportin, iu desh ta mbronin aeroportin dhe të evakuonin 124,000 njerëz. Nga 124,000, rreth 6,000 ishin amerikanë. Dhe ne jemi akoma, Departamenti i Shtetit është akoma i fokusuar në evakuimin e amerikanëve ndërsa ne po flasim. Pra, mendoj se të rinjtë dhe të rejat tona thjesht bënë një punë të jashtëzakonshme. Siç më dëgjuat të them, mendoj se ishte historike për shkak të përmasave të transportimit ajror dhe sigurisht, që ishte heroike për sa i përket veprimeve të tyre.

Zëri i Amerikës: Por a do të kishit dëshiruar që ta kishit filluar më herët?

Sekretari Austin: Sërish, do t’i rikthehemi dhe do t’i rivlerësojmë ato që bëmë në kohën kur i bëmë, por ju e dini, i morëm vendimet tona bazuar në të dhënat e zbulimit dhe aktivitetet që po ndodhnin në atë kohë...

Zëri i Amerikës: Ju mbikqyrët tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku, vetëm për t’i parë ushtarakët amerikanë të riktheheshin atje tre vjet më vonë. Pse drejtuat një tërheqje nga Afganistani, kur kishte kushte të ngjashme në Afganistan si në Irak, kur bëhet fjalë për terroristët?

Sekretari Austin: Mendoj se, para së gjithash, ne kurrë nuk e lamë plotësisht Irakun. Siç e dini, ne mbajtëm një prezencë në Irak që ishte e fokusuar në trajnimin e irakianëve. Por ndërsa krahasoni dy skenarët, ato janë krejtësisht të ndryshme. Ata janë njerëz të ndryshëm, ata janë të ndryshëm, përballë kundërshtarëve të ndryshëm. Pra, nuk mendoj se është e drejtë t'i krahasojmë ato ballë për ballë.

Zëri i Amerikës: Pra, nuk shihni ngjashmëri në terren tani, të cilat i keni parë në Irak?

Sekretari Austin: Do të ketë ngjashmëri në çdo operacion ushtarak, por do të ketë dallime të qarta në operacione bazuar tek kërcënimi, forcat në dispozicion dhe aleatët me të cilët po punojmë, pra njerëzit që po mbështesim.

Zëri i Amerikës: Le të flasim se ku shkon lufta kundër terrorizmit tani. Pra, në cilën zonë të globit besoni se terroristët kanë dëshirën dhe aftësinë më të madhe për të tentuar të godasin Shtetet e Bashkuara?

Sekretari Austin: Një pyetje shumë e mirë. Unë mendoj se ajo që keni parë dhe ajo që ju e dini se është e vërtetë është se terroristët ndërkombëtarë do të kërkojnë hapësira të pakontrolluara për t’u vendosur dhe nga të cilat mund të veprojnë. Dhe kështu, në mbarë globin, aty ku shohim prishje të qeverisjes, ose qeverisje të dobët, ose zona që nuk janë të qeverisura, mund të presim që, në një moment, të ketë një mundësi që aktiviteti terrorist të zërë rrënjë në ato vende.

Zëri i Amerikës: Keni përmendur disa zona në sallën e konferencave. Pra, nëse do të duhej të zgjidhnit një zonë ku fokusi duket të jetë më i madh për të sulmuar territorin e Shteteve të Bashkuara, ku ndodhet ajo tani?

Sekretari Austin: Sigurisht që nuk dua të futem në ndonjë vlerësim të zbulimit këtu, por, dua të them se shohim aktivitete terroriste ndërkombëtare në shumë vende. I shohim sigurisht në Afrikë, i shohim në Somali, shohim një numër organizatash që kërkojnë të veprojnë lirshëm atje.

Zëri i Amerikës: A po kërkoni të rivendosni trupa në Somali?

Sekretari Austin: Sërish, nuk kam asnjë njoftim për trupa për të bërë në këtë forum.

Zëri i Amerikës: Ne jemi ende të bllokuar në Afganistan, nuk kemi trupa atje, por jemi akoma të përfshirë në luftën kundër terrorizmit; a nuk do ta largojë kjo vëmendjen tuaj nga Kina dhe Rusia për të paktën ca kohë?

Sekretari Austin: E dimë se duhet të ruajmë fokusin, në mënyrë që të mbrojmë këtë vend, e cila është përparësia ime kryesore; ne duhet të ruajmë fokusin tek luftimi i terrorizmit ndërkombëtar dhe të parandalojmë eksportimin e terrorit nga çdo vend i globit drejt vendit tonë. Dhe do të mbetemi në veçanti të fokusuar tek kjo.

Zëri i Amerikës: Pra, do të na bllokojnë për ca kohë?

Sekretari Austin: Jo, kjo nuk po na pengon. Po sigurohemi që t'i kushtojmë vëmendje kërcënimeve ndërsa ato evoluojnë, por nuk do të na pengojë të bëjmë atë që duhet të bëjmë për t'u përqëndruar në elementët tanë kryesorë, sfida tona të mëdha. Dhe ju më keni dëgjuar të them se Kina mbetet sfida jonë në rritje e së ardhmes.

Zëri i Amerikës: Dhe unë dua t'ju pyes, meqë dhatë një mesazh më 11 shtator për familjet e viktimave. Çfarë dëshironi të thoni për afganët që luftuan pranë nesh, të cilët u bashkuan me ne në këtë luftë, pas 11 shtatorit, ata që humbën të dashurit e tyre në këtë luftë, ata që janë ende të shqetësuar për të ardhmen?

Sekretari Austin: Sigurisht që jemi mirënjohës për ndihmën e tyre në përpjekjet tona për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve në vendin e tyre. Siç e dini, për partneritetin e tyre, ata njerëz që shërbyen si përkthyes dhe lehtësuan operacionet tona, sigurisht dua t’iu them faleminderit dhe t'iu kujtoj se ne do të mbetemi mirënjohës në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Zoti Sekretar, faleminderit shumë që biseduat me Zërin e Amerikës.

XS
SM
MD
LG