Një statujë e lartë e gjeneralit të forcave të Konfederatës, Robert E. Lee në Riçmond të Virxhinias, do të hiqet të mërkurën, më shumë se 130 vjet pas ngritjes së saj për të nderuar një figurë të njohur të Luftës Civile, e cila tani shihet gjerësisht si një simbol i padrejtësisë racore, thanë zyrtarët shtetërorë të hënën.
"Monumenti më i madh i Virxhinias për nder të kryengritjes së (shteteve të) Konfederatës do të hiqet këtë javë", tha guvernatori i Virxhinias, Ralph Northam në njoftimin për shtyp të hënën. "Ky është një hap i rëndësishëm për të treguar se kush jemi dhe çfarë vlerësojmë si shtet", shtoi ai.
Pamja mbresëlënëse me një lartësi prej 6.4 metrash e statujës prej bronzi të gjeneralit Lee hipur mbi kalë, në majë të një piedestali graniti gati dy herë më të lartë, ndodhet në rrugën e famshme “Monument Avenue” në kryeqytetin e shtetit, Riçmond.
Guvernatori Northam njoftoi planet për heqjen e statujës në qershor të vitit të kaluar, 10 ditë pasi afrikano-amerikani George Floyd vdiq gjatë arrestimit, ndërsa një oficer i policisë së Mineapolisit i mbante gjurin në qafë, duke ndezur protesta mbarëkombëtare kundër brutalitetit dhe racizmit policor. Planet u zvarritën për më shumë se një vit nga dy padi të paraqitura nga banorët kundër heqjes së statujës, por vendimet javën e kaluar nga Gjykata e Lartë e Virxhinias i hapën rrugën heqjes së saj.
Në një deklaratë për shtypin, të lëshuar të hënën, zyrtarët shtetërorë thanë se përgatitjet për heqjen e statujës do të fillonin së shpejti dhe se të martën puonjësit do të instalojnë gardhe mbrojtëse rreth statujës.
Pas zhvendosjes nga piedestali, statuja pritet të ndahet në dy pjesë për transport, megjithëse plani përfundimtar për këtë mund të ndryshojë, tha Dena Potter, zëdhënëse e Departamentit të Shërbimeve të Përgjithshme të Shtetit.
Në Riçmond, që ishte kryeqyteti i Konfederatës për pjesën më të madhe të Luftës Civile, statuja e gjeneralit Lee u bë epiqendra e protestave të verës së kaluar. Qyteti tashmë ka hequr një numër statujash të Konfederatës nga pronat e tij, që nga vdekja e afrikano-amerikanit Floyd.
Duke marrë parasysh se ajo është një nga statujat më të mëdha dhe më të njohura të Konfederatës në vend, heqja e statujës së gjeneralit Lee në Riçmond pritet të tërheqë turma të mëdha.
Mundësitë e kufizuara për të parë këtë ngjarje nga afër do të jenë të disponueshme në bazë të radhës së kërkesave që do të vijnë për këtë, thanë zyrtarët shtetërorë në njoftimin për shtyp të hënën. Heqja e statujës gjithashtu do të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e guvernatorit të Virxhinias në Facebook dhe Twitter (@governorVA).
Statuja e gjeneralit Lee u krijua nga skulptori francez me famë ndërkombëtare Marius-Jean-Antonin Mercie dhe konsiderohet një kryevepër, bazuar në një listë në Regjistrin Kombëtar të Zonave Historike, ku ajo është regjistruar që nga viti 2007.
Kur statuja mbërriti nga Franca në vitin 1890, rreth 10,000 banorë të Virxhinias përdorën karroca për të lëvizur pjesët e saj përgjatë një distancë prej 1.6 kilometrash deri në vendin ku ndodhet aktualisht. Banorët e bardhë festuan statujën, por shumë banorë afrikano-amerikanë të Riçmondit e kanë parë prej kohësh atë si një monument që lëvdon skllavërinë.
Administrata e guvernatorit Northam ka thënë se do të kërkojë mendimin e publikut në lidhje me atë se çfarë duhet bërë me statujën. Piedestali prej graniti prej 12 metrash do të lihet prapa për momentin ndërsa vazhdojnë përpjekjet për ndryshimin e modelit të rrugës “Monument Avenue”. Disa mbështetës të luftës për drejtësi racore kundërshtojnë heqjen e tij, duke e parë piedestalin e mbuluar me grafite si një simbol të protestave që shpërthyen pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë.
Lawrence West, 38 vjeç, anëtar i “BLM RVA”, një grup aktivistësh që mblidhen shpesh për të protestuar para monumentit të gjeneralit Lee, tha se ai beson se vendimi për të hequr statujën u nxit nga përpjekjet e protestuesve.
"Ajo nuk hoq më parë. Ata (demokratët që kontrollojnë qeverinë e shtetit) i kishin të gjitha mundësitë për ta bërë këtë", tha ai.
Zoti West tha se dëshiron që vendi ku ndodhet statuja të kthehet në njëhapësirë për komunitetin "për të kultivuar të gjitha llojet e lidhjeve midis njerëzve të ndryshëm".
Facebook Forum