Lidhje

Shqipëri, në gusht rastet me Covid 19 rriten me 23 herë


Në Shqipëri, situata e pandemisë Covid 19 bëri një kthim tejet të shpejtë drejt përkeqësimit gjatë muajit gusht. Të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës, dëshmojnë një rritje me të paktën 23 herë të numrit të rasteve të reja, krahasuar me muajin korrik. Në total u rregjistruan 14.248 të infektuar rishtazi, nga 598 një muaj më parë.

Shpërthimi i ri i koronavirusit i dedikohet në një masë të madhe qarkullimit të përhapur të variantit Delta, i favorizuar dhe nga kulmi i sezonit turistik, gjatë së cilit e vetmja masë shtrënguese që u zbatua ishte ndalimi i muzikës pas orës 23.00. Pavarësisht se varianti Delta njihet të jetë më ngjitës, autoritetet mbyllën në mënyrë të ndërgjegjshme sytë para faktit se detyrimi për mbajtjen e maskave në mjedise të mbyllura haptazi nuk respektohej, sikundër lanë të hapur, dhe pa asnjë lloj kontrolli, hyrjet në kufi. Një qëndrim që duket të ketë qenë i ndikuar më shumë politikisht, për të mos penalizuar ekonominë e turizmit. Vetëm dy ditë më parë, të hënën, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi zbatimin e kufizimeve, duke nisur nga e mërkura, 1 Shtator, detyrimin për të gjithë ata që hyjnë në vend, që të kenë me vete certifikatën e vaksinës, apo dëshmitë për teste anti Covid të kyer në 48 apo 72 orët e fundit, e që të kenë rezultuar negativë. Po ashtu dhe ora policore u afrua me 60 minuta duke nisur tanimë që në 23.00 të mbremjes e jo më në mesnatë.

Totali i rasteve gjatë gushtit është gati sa dyfishi i 4 muajve të fundit (prill-maj-qershor-korrik) të marrë së bashku, dhe i afrohet muajit mars, kur pati mbi 17 mijë të prekur. Ndonëse një pjesë e shifrave mund t’i dedikohet numrit me të lartë të testimeve, fakt është që dhe pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja), u rrit me 15 herë krahasuar me korrikun, duke u ngjitur në një mesatare mujore prej 9.4 përqind, nga 0.6 përqind që ishte një muaj më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Po ashtu dhe numri i rasteve aktive u shumëfishua duke kapur kuotën e afro 10.600 të tilla nga 421 që ishin në fund të korrikut. Më shumë se gjysma, i përkasin Tiranës dhe Shkodrës. Vetëm kryeqyteti ka 36 përqind të rasteve aktive.

Pavarësisht shifrave të rasteve gjatë gushtit, ajo që vihet re është një numër shumë më i ulët si viktimave ashtu dhe i shtrimeve në spitale, në raport me të prekurit rishtazi. Numri i viktimave gjatë muajit gusht u ngjit në kuotën e 44 vdekjeve. Në 24 orët e fundit humbën jetën 3 persona: një qytetare 64 vjeç nga Elbasani, një qytetare 70 vjeç nga Fier dhe një qytetar 75 vjeç nga Berati.

Muaji gusht ishte i hapur për vaksinimin. Rezulton se janë kryer në total mbi 259 mijë doza, ose një mesatare prej 8358 doza në ditë. Mbi 824 mijë qytetarë mbi 18 vjeç, ose 37.1 përqind ka marrë të paktën njërën dozë, prej tyre 28.5 përqind të dyja dozat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG