Lidhje

Biden ofron mbështetje e ndihmë për Ukrainën


Joe Biden Volodymyr Zelensky
Joe Biden Volodymyr Zelensky

Presidenti Joe Biden i tha Presidentit të Ukrainës Volodmyr Zelenskiy të mërkurën se Shtetet e Bashkuara ishin "tejet te përkushtuara" ndaj integritetit territorial të Ukrainës dhe i ofruan Kievit 60 milionë dollarë ndihmë të re për çështje të sigurisë ndërsa përballet me agresionin rus.

"Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të vendosura ndaj sovranitetit dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit rus", tha Presidenti Biden në fillim të një takimi me homologun e tij ukrainas në Shtëpinë e Bardhë. "Ne do të diskutojmë sesi Shtetet e Bashkuara mund të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën ndërsa përparon axhendën e saj të reformave demokratike", tha ai më tej.

Të dy udhëheqësit, në takimin e tyre të parë ballë për ballë që kur zoti Biden mori detyrën në janar, pritet të diskutojnë mes të tjerash edhe rreth gazsjellësit rus “Nord Stream 2”, një projekt për të cilin Ukraina druhet se mund të përdoret nga Rusia si një armë gjeopolitike.

Zoti Zelenskiy e ngriti çështjen e gazsjellësit Nord Stream 2 në fjalimin e tij hapës dhe tha se do të kërkonte të dëgjonte vizionin e zotit Biden rreth mundësive të Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s si dhe kohën e mundshme të një hapi të tillë.

Zoti Zelenskiy u tha gazetarëve në qershor se ai do të donte një "po" ose "jo" të qartë nga zoti Biden për t'i ofruar Ukrainës një plan për t'u bërë anëtare e NATO-s. Ai u ka bërë thirrje vendet anëtare të kësaj organizate që të përshpejtojnë hyrjen e Ukrainës pas një konflikti me Rusinë këtë vit, gjatë të cilit Rusia dislokoi trupa shtesë dhe pajisje ushtarake pranë kufirit me Ukrainën.

Aleatët e NATO-s thonë se Kievi duhet të kryejë më shumë reforma politike para se të anëtarësohet.

Ukraina dhe Rusia kanë patur mosmarrëveshje që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe mbështeti separatistët në një konflikt në rajonin lindor të Donbaskut në Ukrainë, konflikt gjatë të cilit sipas Kievit u vranë 14,000 njerëz.

Takimi vjen pasi administrata Biden njoftoi një marrëveshje muajin e kaluar me Gjermaninë që synonte pjesërisht të qetësonte shqetësimet e Ukrainës në lidhje me gazsjellësin Nord Stream 2 që po ndërtohet nën Detin Baltik për të transportuar gaz nga rajoni Arktik i Rusisë në Gjermani.

Ukraina është e shqetësuar se ky projekt që anashkalon Ukrainën, mund të inkurajojë Moskën të ndërmarrë veprime të mëtejshme kundër Kievit dhe ka kërkuar garanci mbi statusin e saj si një vend transit gazi kur gazsjellësi të nisë të operojë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG