Lidhje

Situatë e rëndë humanitare në Afganistan, pasi talebanët morën pushtetin


Situatë e rëndë humanitare në Afganistan, pasi talebanët morën pushtetin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:07 0:00

Situata humanitare ishte e tmerrshme në Afganistan para se talebanët të hynin në Kabul më 15 gusht. Por me marrjen e pushtetit prej tyre situata është përkeqësuar edhe më shumë, pasi punonjësit e organizatave humanitare po përballen me një mjedis të ri pune.

Konflikti, thatësira dhe pandemia COVID-19 kanë krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë. Më shumë se 18 milionë afganë kanë nevojë për ndihmë.

Rënia e qeverisë dhe marrja e kontrollit nga talebanët e ka vështirësuar edhe më tepër situatën, ndërsa mijëra njerëz janë zhvendosur.

Agjencitë e ndihmave janë mësuar të punojnë në kushte të vështira dhe të rrezikshme. Por pasiguritë në terren nga situata e re e krijuar i ka detyruar shumë nga këto agjenci të evakuojnë personelin ndërkombëtar. Punonjësit lokalë janë dërguar në shtëpi, ndërsa një pjesë e mirë e shërbimeve janë ndërprerë.

“Unë mendoj se për ne dhe për kolegët tanë është e rëndësishme që të kemi një mjedis të sigurt për të vepruar. Ne duam të kemi siguri në zonën ku veprojmë dhe me të vërtetë duam që bashkësia ndërkombëtare të qëndrojë në Afganistan”, thotë për Zërin e Amerikës Ram Kishan, zëvendës Drejtor Rajonal i organizatës “Mercy Corps”.

Talebanët kanë sinjalizuar se duan që Kombet e Bashkuara dhe disa organizata joqeveritare të vazhdojnë punën e tyre, por nuk kanë thënë nëse do të vendosin kufizime ose kushte të reja për ta.

“Gjithçka për momentin, në lidhje me mënyrën se si funksionon UNICEF ende nuk dihet. Ne ende nuk kemi patur një takim në nivelin qendror me autoritetin e ri de facto. Ne jemi duke dialoguar në nivel rajonal dhe lokal. Ne ende nuk e dime se si do të funksionojë ky vend”, thotë Samantha Mort nga UNICEF për Zërin e Amerikës.

Programi Botëror i Ushqimit ndodhet në Afganistan që nga viti 1963 dhe sipas të dhënave aktualisht shpërndan ushqime për 4 milionë njerëz çdo muaj. Me situatën e re të krijuar, numri i atyre që kanë nevojë për ushqim mund të shkojë deri në 9 milionë njerez, gjatë muajit nëntor. Puna ka vijuar, por pa një qeveri të re në vend, e ardhmja duket e ndërlikuar për Programin Botëror të Ushqimit.

“Ka drejtues politikë në Doha, Katar. Këtu ka drejtues lokale. Shqetësimi ynë është se garancitë që mund të jepen në një nivel të respektohen nga autoritetet vendore apo edhe më të larta në nivele të tjera”, thotë Andrew Patterson nga Programi Botëror i Ushqimit për Afganistanin.

Logjistika është jetike për shpërndarjen efikase dhe të rregullt të ndihmave. Me largimin e SHBA nga Afganistani, pyetja kryesore është se kush do ta drejtojë aeroportin e Kabulit.

“Një aeroport funksional për një vend pa dalje në det do të jetë shumë kritik për të marrë furnizime. Ju e dini, që stafi ndërkombëtar të jetë në gjendje të hyjë apo të dalë nga vendi për arsye mjekësore”, thotë Sally Austin, drejtuese në organizatën “CARE International”.

Një tjetër shqetësim, sipas Andrew Patterson nga Programi Botëror i Ushqimit, është se agjencitë e ndihmave kanë frikë se mund të humbasin shumë donatorë, për shkak të qeverisë së udhëhequr nga talebanët.

“Kjo do të thotë ndërprerje e ndihmave. Ne me të vërtetë kemi nevojë për ndihmën humanitare për të vazhduar punën. Kështu do të jemi në gjendje të ndalojmë urinë masive në këtë vend”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Me miliona afganë tashmë në kërkim të ushqimit, punonjësit e organizatave humanitare thonë se shkurtimet e fondeve do të ishin vdekjeprurëse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG