Banorët e Nju Orlinsit i pret një punë e gjatë për të pastruar rrëmujën e shkaktuar nga uragani i furishëm Ida i cili shkaktoi vdekjen e të paktën një personi. Ata rrezikojnë të ngelen pa energji elektrike për javë të tëra.
Uragani Ida ka shkaktuar Stuhia me erëra që arrinin shpejtësinë prej 230 kilometrash në orë vjen 16 vjet pas uraganit vdekjeprurës Katrina.
Pemë të rrëzuara nga era e fortë kanë bllokuar rrugët, kanë dëmtuar linjat elektrike dhe kanë dëmtuar shtëpitë.
Ehab Meselhe, profesor në shkollën inxhinierike në Tulane, planifikohte të largohej nga qyteti sapo ai dhe gruaja e tij të përfundonin pastrimin e oborrit të shtëpisë së tyre.
“Unë kam një shtëpi tjetër në Lafajet”, tha ai. “Pasi të rikthehen dritat do të kthehemi dhe ne”.
Hank Gangerg filloi të pastronte zonën ndërsa në shtëpinë e tij të dëmtuar lehtë dëgjohej zhurma e gjeneratorëve të fqinjëve të tij. “Ata më kanë ofruar ndihmë kështu që ne do të jemi në gjendje të mirë sa i përket energjisë eletrike”, tha ai.
Guvernatori i Luizianës, John Bel Edwards tha se ekipet e kompanisë energjetike po bëjnë vlerësimin e dëmit të rrjetit të saj ndërsa shtoi se në shikim të parë dëmi dukej se ishte “katastrofik”.
Të hënën zyrtarët vlerësuan se mund të duhen javë për restaurimin e plotë në disa zona.
Zyrtarët e kompanisë energjetike, “Entergy”, thanë se një kullë gjigante që ndihmon mbartjen e linjave kryesore të transmetimit të energjisë mbi lumin Misisipi në zonën e Nju Orlinsit, përballoi forcën e uraganit Katrina, por u shkatërrua nga Ida.
Të hënën më shumë se 2 mijë kilometra të linjave elektrike nuk funksiononin, përfshirë 215 nënstacione të shpëndarjes së energjisë elektrike.
“Duke patur parasysh dëmin e madh, është ende herët të themi se kur do të mund të rikthehet energjia elektrike”, tha kompania.
"Entergy" ka më shumë se 11 mijë punonjës të gatshëm për të punuar në rikthimin e shërbimit ndërsa pret që numri i tyre të arrijë në 20 mijë.
Ndërkohë ekipet e shpëtimit u nisën me qindra varka dhe helikopterë për të ndihmuar njerëzit e bllokuar nga përmbytjet e shkaktuara nga uragani i furishëm.
Me erërat që arritën shpejtësinë prej 230 kilometrash në orë, Ida konsiderohet uragani i pestë më i fortë që ka goditur territorin e Shteteve të Bashkuara deri më tani.
Në një konferencë virtuale me personelin federal të urgjencës të shtunën, Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi banorët e Luizianës dhe Misisipit që të jenë vigjilentë gjatë gjithë stuhisë.
"Unë u bëj thirrje banorëve të zonës që të jenë të vëmendshëm dhe të përgatitur. Mbani në dispozicion furnizimet për familjen tuaj. Ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale. Dhe nëse duhet të transferoheni në strehë, sigurohuni që të vishni një maskë dhe të përpiqeni të mbani distancë, sepse ne ende po përballemi me variantin shumë më ngjitës delta të koronavirusit", tha presidenti Biden.
Sipas të dhënave të USA.org, aktualisht më pak se 41 përqind e popullsisë së shtetit të Luizianës është vaksinuar kundër koronavirusit.
Duke folur të dielën në emisionin "Face the Nation" të kanalit CBS, Guvernatori i Luizianës John Bel Edwards tha se shumë njerëz ju bindën paralajmërimeve të ekspertëve.
"Duket se qindra mijëra njerëz shfrytëzuan rastin për t'u larguar, veçanërisht ata nga zonat e ulëta në juglindje të Luizianës përgjatë bregdetit, të cilët nuk janë të mbrojtur nga sistemi ynë i zvogëlimit ë rrezikut nga stuhitë. Ne u kërkuam njerëzve të tjerë që vendosën të qëndronin në shtëpitë e tyre që të bëjnë përgatitje e duhura për të kaluar stuhinë", tha ai.
Guvernatori tha se zonat më të populluara duhet të jenë të mbrojtura nga përmbytjet pas një investimi prej 14 miliardë dollarësh pas uraganit Katrina.
Zyrtarët thanë se intensifikimi i shpejtë Ida-s nga një stuhi në një uragan të fuqishëm brenda tre ditëve nuk ofroi kohë të mjaftueshme për evakuimin e 390 mijë banorëve të Nju Orlinsit.
Uragani Ida ka lënë mbi një milionë njerëz pa energji elektrike, thuhet në një njoftim të organizatës PowerOutage.
Zyrtarët thanë sot se stuhia Ida, megjithëse më e dobësuar, po sjellë reshje të mëdha shiu në shtetin e Misisipit, duke shkaktuar përmbytje të rënda.
Facebook Forum