Lidhje

Shqipëri: Treguesit e përkeqësuar të pandemisë Covid kthejnë presionin mbi ekonominë


Në Shqipëri, rikthimi i vdekjeve dhe infektimeve me Covid-19 risolli në qendër të vëmendjes rrezikun e një vale të re të pandemisë në vjeshtë dhe në dimër.

Vëzhgues të pavarur të ekonomisë pohuan se gjysmën e parë të vitit ekonomia u rimëkëmb nga eksportet dhe turizmi, por kjo rritje ekonomike nuk po shndërrohet në një punësim më të lartë.

Shqipëri: Treguesit e përkeqësuar të pandemisë COVID kthejnë presionin mbi ekonominë
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00

Ndërsa pandemia vazhdon ende dhe shifrat e infektimeve po përkeqësohen sërish, vëzhgues të ekonomisë pohuan se asaj i duhet kushtuar një vëmendje më e madhe me fonde dhe masa të tjera.

Drejtuesja e revistës ekonomike Monitor, Ornela Liperi, vëren se faturat e shtrenjta që sollën kufizimet vitin e kaluar e shtynë qeverinë që në vazhdim të nxiste ekonominë përkundrejt kujdesit për shëndetin e njerëzve.

Këtë vit ka një rritje të ndjeshme të të ardhurave buxhetore, më të larta se në 2019, shtoi ajo, eksportet po ecin shumë mirë, janë 15 për qind më shumë se sa viti 2019, turizmi ka patur një ecuri të mirë.

Hyrjet e turistëve në korrik ishin po aq sa në 2019, po ashtu edhe në gusht, dhe kjo, sipas saj, po gjallëron konsumin, transportin, bizneset, karburantet dhe gjithë sektorët e tjerë zinxhirë, që tërheq turizmi.

Por ndërkohë që vendi rrezikon të përballet me nje valë të re të pandemisë, thotë zonja Liperi, zyrtarët nuk po ndajnë më shumë fonde për shëndetësinë, ndërsa rishikimi i buxhetit çoi para në projekte të mëdha të infrastrukurës, që nuk janë të domosdoshme dhe as emergjente për momentin.

“Në 15 muaj pandemi ndodhën 10 mijë vdekje më shumë se një vit më parë. Kjo është vdekshmëria shtesë më e madhe në Europë. Kjo erdhi sepse qeveria zgjodhi ekonominë dhe jo shëndetin e njerëzve. Edhe tani po bëhet i njëjti gabim; po përqëndrohet vëmendja tek ekonomia dhe jo tek shëndeti I qytetarëve” - tha zonja Liperi.

Sipas vëzhgimeve të revistës Monitor, statistikat tregojnë që pavarësisht se ekonomia po rimëkëmbet me shpejtësi, nuk ka një shtim të vendeve të punës në sektorin privat jobujqësor. Pra, rritja ekonomike nuk po shndërrohet në më shumë punësim, sipas redaksisë, por po ndodh vetëm një vetëpunësim, ku njerëzit po i largohen tregut të punës për të shmangur tatimin e dyfishtë për të dypunësuarit.

Sektorët me punësim të lartë si tregtia, shërbimet dhe transporti shënuan vitin e kaluar një rënie deri në 15 për qind, pohon revista Monitor.

Sipas burimesh të tjera mbyllja shkaktoi afro 70 mijë të papunë, konsumi ra ndjeshëm, po ashtu eksportet dhe turizmi.

Rënien ekonomike vitin e kaluar e zbutën vetëm dy faktorë, pohojnë ekspertët e revistës Monitor: shtimi i ndërtimeve dhe i shitjeve në pasuritë e paluajtshme me para cash në mes të pandemisë dhe izolimit, që u rritën 7 për qind në 2020.

Blerja e pronave dhe banesave në mes të izolimit të pandemisë dhe mbijetesës me “paga lufte” nuk ka ndonjë shpjegim ekonomik, sipas tyre, sepse shumë biznese u mbyllën.

Sektori i dytë që u rrit është ndërtimi, i cili është lidhur drejtpërdrejt me sektorin e pasurive të paluajtshme.

Në gjysmën e parë të vitit të kaluar pandemia mbylli njerëzit në shtëpi së bashku me një numër të madh biznesesh dhe qeveria miratoi paketa ndihme për to.

Në gjysmën e dytë të vitit rënia ekonomike prej vetëm 4 për qind u zbut kryesisht prej sektorit të ndërtimeve dhe shitjes së pasurive të paluajtshme.

Rritja në këto dy sektorë, sipas tyre, lidhet me paranë informale që hyn në vend, sepse çmimet u rritën, por pagat nuk janë rritur. Realiteti ekonomik i shqiptarëve nuk përputhet me zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Kjo përmirëson shifrat në letër, por në realitet ka shumë gjëra që nuk shkojnë, pohoi zonja Liperi.

Nga rënia e lehtë ekonomike e vitit të kaluar shpresohej që ekonomia shqiptare ta kapte këtë vit nivelet e para Pandemisë, por punësimi nuk u rrit, pohoi ajo.

Nga ana tjetër, sektorët publikë më shumë të goditur nga pandemia, sipas qendrës Faktoje.al, janë shëndetësia dhe arsimi.

Drejtuesja e kësaj qendre Klodiana Kapo, thotë se këto dy sektorë kanë nevojë për më shumë kujdes dhe investim përballë një vale të re pandemie.

“Nga artikujt e shumtë investigativë që ne kemi bërë rezultoi se këta dy sektorë nuk mundën të përballonin pandeminë për shkak të numrit të ulët të mjekëve për banorë, për shkak të infrastrukturës shumë të dobët shëndetësore. Nga ana tjetër edhe sistemi arsimor nuk iu përgjigj si duhet krizës që solli pandemia. Ne nuk kishim mësues të përgatitur për të përdorur metodat e reja të mësimit online. Pjesa e infrastrukturës në të gjithë vendin nuk ishte ajo e duhura për t’i shërbyer gjithë nxënësve dhe mësuesve me mësimin online. Boshllëqet në këtë mënyrë mësimi janë ende të panjohura dhe nuk dihet nëse janë bërë studime për dëmet e procesit mësimor” - tha zonja Kapo.

Ekspertët pohuan se paratë informale zbutën vjet shifrat e rënies ekonomike, ndërsa sivjet po shihet se ato janë para që nuk nxitin punësim, sepse nuk janë ekonomi reale, por shifra të fryra artificialisht.

Ndërsa kjo para informale nuk rriti punësimin, pohojnë ata, rritja e turizmit sivjet është një zhvillim pozitiv, por edhe kjo ka prapa riskun e shëndetit publik të Covid, sepse heqja e çdo kufizimi në udhëtime dhe pushime mund të shtojë infektimet në vjeshtë, duke shtuar kostot në spitale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG