Disa nga përfaqësuesit kryesorë të republikanëve po sfidojnë drejtoritë arsimore në zonat urbane, kryesisht në ato zona të dominura nga demokratët, lidhur me urdhrat për mbatjen me deyrim të maskave në shkolla. Ky zhvillim ka ringjallur ndarjet ideologjike mbi këtë çështje edhe pse rritja së fundmi e numrit të infeksione me koronavirusit po dëmton zonat më të pavaksinuara të vendit, të cilat dominohen nga republikanët.
Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis ka lëshuar një urdhër ekzekutiv duke kërcënuar se do të shkurtojë fondet për ato drejtori arsimore që kundërshtojnë një vendim të tij që ndalon në rang shteti mbajtjen me detyrim të maskave në klasa. Ai ka thënë se zyra e tij mund të japë udhëzime që të mos paguhen ata administratorë shkollash që imponojnë një masë të tillë.
Guvernatori i Karolinës së Jugut, Henry McMaster ka kërcënuar se do të ndalojë financimin e shkollave në kryeqytetin e shtetit të tij, Kolumbia, lidhur me çështjen e maskave, ndërsa Guvernatori i Teksasit Greg Abbott, ka thënë se do të zbatojë një urdhër të ngjashëm kundër maskave, pavarësisht se drejtoritë arsimore në të gjithë shtetin, përfshirë Dallasin dhe Austinin, kanë thënë se do të bëjnë përpara me udhëzimin e tyre për vendosjen e maskave me detyrim në klasë.
Edhe kandidati republikan për guvernator i Virxhinias ka kundërshtuar urdhrat për vendosjen e detyruar të maskave shkollë në emër të mbrotjes së të drejtave prindërore. Vixhinia shihet si një shtet me ngjyrë vjollcë për shkak se si republikanët ashtu edhe demokratët gëzojnë një nivel pothuajse të njëjtë mbështetjeje.
Qëndrimi ndaj maskave vjen me disa nxitje të qarta politikë nga ana e republikanëve. Baza e partisë i ka kundërshtuar urdhrat për vendosjen e maskave prej më shumë se një viti dhe e ka kritikuar prej kohësh konceptin "me detyrim". Megjithatë disa nga radhët e republikanëve kanë filluar të ngrenë shqetësime lidhur me sigurinë dhe rreziqet që paraqet shndërrimi i shkollave dhe shëndetit të fëmijëve në një fushëbetejë kryesore për luftë ideologjike.
"Është shumë e thellë", thotë zoti Brendan Steinhauser, një ekspert i politikave republikane në Teksas. "Ne po i qasemi kësaj (çështjeje) në mënyrë shumë antagoniste, me shumë zemërim, e me qasje politike", thotë ai, duke shtuar se secila palë po i mëshon idesë së vet "në vend që të përpiqen të bëhen bashkë, në nivelin më lokal e të kërkojnë të gjejnë atë që është më e mira".
Çështja ka mbushur sallat e shkollave dhe ka shkaktuar debate të nxehta. Pamjet filmike nga një takim në Qarkun Williamson në Tenesi tregonin prindër të zemëruar duke brohoritur "Jo më maska" dhe tek ndiqnin mbështetësit e maskave nga pas duke i fyer. Ligjvënësja republikane Madison Cawthorn, denoncoi së fundmi rregullat për maska të miratuara nga anëtarët e bordit të shkollave në qarkut e saj, duke i quajtur ato "asgjë më pak se abuzim psikologjik me fëmijët".
E gjithë kjo vjen pasi disa shtete të drejtuara nga demokratët po lëvizin në drejtimin tjetër, duke rivendosur rregullat për maska në klasa dhe hapësirat e tjera publike, rregulla që ishin lehtësuar gjatë muajve të fundit, kur dukej se infeksionet me koronavirus po shkonin drejt rënies.
Udhëzimet që fëmijët të mbajnë maska në shkollë janë në përputhje me rekomandimet e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Një raport i kohëve të fundit nga Akademia Amerikane e Pediatrisë dhe Shoqata e Spitaleve të Fëmijëve zbuloi se gati 4.3 milionë raste me COVID-19 në SHBA janë fëmijë. Kjo është rreth 14% e të gjitha rasteve në mbarë vendin. Por në raport thuhej se shtrimi në spital dhe vdekjet mes fëmijëve ishin diçka "e pazakontë".
Në Florida, e cila ka shënuar një rritje të ndjeshme të rasteve me COVID dhe të shtrimeve në spital, disa drejtori arsimore po ngrenë padi kundër urdhrit të zotit DeSantis. Zona të tjera, si komuna Leon që përfshin kryeqytetin e shtetit, Tallahasin, planifikojnë t'u kërkojnë studentëve të mbajnë maska. Një nga administratorët e shkollave Rocky Hanna shkruante në një letër drejtuar guvernatorit se drejtoria e tij arsimore kërkonte "fleksibilitet dhe autonomi për të marrë vendime për shkollat e veta".
Disa vënë në dukje se nxitja për të ndaluar vendimet per të vendosur maska, bie ndesh me etikën tradicionale politike republikane -- asaj të qeverisjes së kufizuar dhe "kontrollit lokal", apo lënies së vendimmarrjes për gjëra të tilla në dorë të zyrtarëve lokalë.
Senatori republikan Bill Cassidy, tha se ai kundërshton urdhrin e DeSantis mbi çështjen e maskave në shkolla. Ai tha për rrjetin televiziv CNN të dielën: "se janë zyrtarët lokalë që duhet të vendosin".
Një guvernator republikan është tërhequr nga ky qëndrim. Guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchison thirri ligjvënësit e shtetit në një seancë të posaçme për të shqyrtuar heqjen e një ndalimi ndaj një vendimi për mbatjen e detyruar të maskave, për të cilin tashmë ai thotë se i vjen keq që e nënshkroi në ligj në muajin prill. Një urdhër gjykate e ka bllokuar tashmë përkohësisht vendimin e guvernatorit.
Por jo të gjitha drejtoritë shkollore po kërkojnë mbajtjen me detyrim të maskave. Pasi Guvernatori demokrat i Kentakit Andy Beshear urdhëroi vendosjen e maskave në shkollat e shtetit të tij, disa punonjës të arsimit e duartrokitën, një tjetër përfaqësues i tyre e kritikoi guvernatorin si një "liberal i çmendur".
Në Virxhinia, guvernatori demokrat Ralph Northam, argumenton se rekomandimet e fundit të CDC-së shërbejnë si një detyrim de facto për vendosjen e maskave në shkolla, pas miratimit të një ligji nga ky shtet në muajin mars, i cili kërkon ndjekjen e udhëzimeve federale mbi këtë çështje. Kandidati republikan për guvernator, Glenn Youngkin është zotuar të mos vendosë maska në shkolla nëse zgjidhet, duke thënë se "Ky duhet të jetë një vendim që duhet ta marrin prindërit".
Ndryshe nga zoti DeSantis, zoti Abbott dhe shumë republikanë të tjerë me emër, zoti Youngkin i ka dhënë përparësi përvojës si biznesmen më shumë sesa është nisur nga besnikëria ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Komentet e tij tregojnë se kundërshtimi ndaj maskave shkon përtej pro-Trumpistëve të flaktë.
Një sondazh i Universitetit Monmouth i publikuar javën e kaluar zbuloi se 73% e republikanëve e kundërshtojnë rikthimin e udhëzimeve për maska dhe distancim social, ndërsa 85% e demokratëve e mbështesin atë. Të pavarurit ndahen më thellë, me 42% në mbështetje dhe 55% kundër.
Por mbështetja për mbatjen e maskave në klasa mund të jetë më e lartë. Një studim i Gallup-it në fund të korrikut zbuloi se 57% e prindërve me fëmijë në shkolla para universitare preferojnë maska për nxënësit e pavaksinuar, radhët e të cilëve dominojnë shkollat fillore sepse vaksinat janë të disponueshme vetëm për ata të moshës 12 vjeç e lart.
Një sondazh i majit nga Korporata RAND zbuloi se qëndrime të tilla ndahen ndjeshëm përgjatë vijave racore. Rreth 86% e prindërve afrikano-amerikanë, 78% e prindërve hispanikë dhe 89% e prindërve aziatikë thanë se duhen zbatuar urdhrat për maska me detyrim për të rriturit dhe fëmijët në mënyrë që ata të ndiheshin të sigurt në dërgimin e fëmijëve të tyre në shkollë, krahasuar me 53% të prindërve të bardhë që mbështesnin një gjë të tillë.
Studiuesja e lartë e politikave në RAND, Heather Schwartz, autorja kryesore e studimit, tha se një arsye e mundshme për këto dallime mund të jetë se prindërit në zonat rurale, të cilat kanë tendencë të jenë kryesisht të bardhë, kanë më shumë gjasa të kundërshtojnë masat anti-COVID. Një tjetër mund të jetë fakti se i llogaritur në përqindje, virusi ka shkaktuar më shumë viktima në mesin e pakicave amerikane sesa tek të bardhët, tha ajo.
I njëjti studim zbuloi se 26% e prindërve të bardhë dhe 29% e prindërve në zonat rurale mendonin se shkollat duhet të ktheheshin plotësisht në veprimtarinë e tyre normale këtë vjeshtë. Zonja Schwartz tha se disa nga të anketuarit shkruanin gjëra të tilla si "qeveria nuk ka nevojë të na tregojë se çfarë duhet të bëjmë" në përgjigjet e tyre.
Facebook Forum